– U festua 20 vjetori i themelimit të Shkollës Shqipe “Besa” –
Nga Fuat Memelli
Kanë kaluar 20 vjet kur në qytetin e Bostonit , qytetin me histori të madhe për komunitetin shqiptar, u regjistrua në shtet dhe u hap zyrtarisht Shkolla Shqipe “Besa”. Ishte një ëndërr e emigrantëve shqiptarëve e cila u realizua në vitin 2006. Për të festuar këtë ngjarje të shënuar, organizatorja dhe mbështetësja e kësaj shkolle Shoqata “Mass. Besa”, kishte zgjedhur datën 7 Mars që është edhe dita e Mësuesit. Diku kam lexuar “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.”
Nxënës të shkollës, mësues, prindër e shqiptarë të tjerë u mblodhën në restorntin e shqiparit Leo Koka në qytetin Braintree. Pas himneve të Amerikës dhe të Shqipërisë, të cilët na ngjallin emocione sa herë i dëgjojmë, e mori fjalën kryetari i Shoqatës “Mass.Besa” Sokol Lushllari, i cili është një nga veprimtarët e palodhur të komunitetit shqiptar të Bostonit. Ndër të tjera ai theksoi se Shkolla Shqipe “Besa” dhe grupi i valleve ‘’Bashkimi Dance” kanë një kontribut të veçantë për ruajtjen e identitetit kombëtar këtu në shtetin e Massachusetts“. Ai falenderoi mësuesit, prindërit vullnetarët, ish drejtues të “Mass.Besës” dhe bizneset shqiptare të cilët e mbështetën shkollës shqipe, që fëmijët të mësonin shkrim e këndim në gjuhën e bukur të nënës.
Një informacion të zgjerurar për rrugëtimin e shkollës në këto 20 vite, paraqiti drejtoresha aktuale e shkollës shqipe, Blerina Omari. Ajo shprehu respektin e mirënjohjen për nismëtarët e shollës që ishin: Adrian Papandili, Mark Kosmo, Albana Orgocka, Enkelejda Kapia, Edlira Dhe Agron Gjerasi,Fatmir Beja, Vilma Simeqi, Gentiana Pambuku, Pandeli Dhima, Rolnda Dhimitri, Oltiana Mara, Stefan Koçi dhe Arben Malaj. “Hapja e shkollës shqipe, vazhdoi Blerina, u bë me mbështetjen e veçantë të Shoqatës Mass. “Besa”, të kishave shqiptare në Boston si dhe të Ministrisë së Arsimit e Kulturës në Shqipëri.
Shkolla e nisi aktivitetin e saj me dy klasa në Boston University dhe tre klasa në Katedralen e Shën Gjergjit dhe kishën e Shën Trinisë. Në fillim kishte dy lëndë, abetare dhe gjuhë shqipe por më pas u shtua edhe leximi e matematika. Në vitin 2015 në Festivalin e Zërave të Rinj që u zhvillua në New York, nxënësit e kësaj shkolle fituan çmimin e parë me këngën që kënduan.
Pastaj e morën fjalën vogëlushët e shkollës. Recitimet dhe këngët e tyre më ngjasin si cicërima bilbilash. Recitimet i kushtoheshin mësuesve, gjuhës shqipe, prindërve, etj. Vargjet e Naim Frashërit për gjuhën shqipe, këtë “gjuhë përëndie” siç e quan poeti ynë i shquar, jehuan nga zërat e vogëlushëve: Gjuha jonë sa e mirë/Sa e ëmbël, sa e gjerë/ Sa e lehtë sa e dlirë/ Sa e bukur , sa e vlerë! Kënga kushtuar mësuesve e cila këndohet prej vitesh nga fëmijët tanë, ishte pjesë e programit të tyre. ”Festën e mësuesit/Ne do ta festojmë/Lulet më të bukura/Ne do t’i dhurojmë.”
Pas çdo recitimi e kënge, vogëlushët u “shpërblyen” me duartrokitjet e të pranishmëve. Për themeluesit e shkolllës si dhe për kontribuesit kryesorë, u dhanë dëshmi Mirënjohje , ndërsa për kontribuesit me fonde u dhanë çertifikata. Si flutura këcyen pastaj vajzat e grupit të valleve”Bashkimi dance”, duke marrë edhe ato duartrokitjet e pjesëmarrësve. Pas tyre sallën e “pushtoi” këngëtari i njohur Indrit Mlika, i cili prej vitesh vjen në Boston. Këngët e vallet që vazhduan gjatë, ia shton bukurinë kësaj dite të shënuar të Shkollës Shqipe “Besa”.













