Thjeshtësia dhe komunikimi i ngrohtë, cilësi të politikanëve amerikanë
Fuat Memeli
Para disa ditësh, botova një shkrim te gazeta “Illyria”, i cili bënte fjalë për Iftarin e shtruar në një kishë të qytetit të Maldenit, afër Bostonit. Midis pjesëmarrësve , atë mbrëmje ishte edhe kryetari i bashkisë së Maldenit, Gary Christenson, i cili edhe i përshëndeti pjesëmarësit. Në shenjë respekti, unë i çova sekretares së tij një kopje të gazetës “Illyria”, e cila përmbante shkrimin në fjalë si dhe disa fotografi nga kjo veprimtari. Ajo më falenderoj dhe hyri menjëherë te kryetari i bashkisë për t’i dhënë gazetën. Ndërkohë që po bëhesha gati për të ikur, ai del nga zyra dhe më fton për të hyrë brenda. Me anglishten time të dobët , i shpjegova për përmbajtjen e shkrimit. Ai më falenderoj për shkrimin i cili pasqyronte një veprimtari të zhvilluar në qytetin e tij. Pastaj i tha sekretares të thërrasë fotografin profesionist të bashkisë, për të na bërë një fofografi së bashku. Sapo mbriti fotografi, mori përpara gazetën “Illyria” dhe i tha atij që ta shkrepë. Është fotua që shoqëron këtë shkrim. Më pas e porositi fotografin që të bëjë një foto të zmadhuar për mua. Para se të ma jepte fotografinë, bëri një dedikim. E falenderova për këtë dhuratë të thjeshtë por mjaft domethënëse. Biseduam pastaj për shkrimet që boton kjo gazetë e komunitetit shqiptar në Amerikë. Kur u ndamë, më tha: “Dera ime është e hapur. Mund të vini në çdo kohë.”
Takimi ishte i shkurtër, por mua më la një mbresë të veçantë , për disa arsye: për ftesën që më bëri për të shkuar në zyrë, për fotografinë që bëmë së bashku e për dhuratën që më bëri, për komunikimin e ngrohtë, për thjeshtësinë e tij si dhe për shprehjen që më tha: “ dera ime është e hapur. Mund të vini në çdo kohë.” Në çast mua më shkoj mëndja te kryetarët e bashkive si dhe pushtetarët e tjerë në Shqipëri. Me ndonjë përjashtim, rrallë ndodh që një kryetar bashkie apo pushtetar tjetër i lartë, pa të njohur, të të presë aq shpejt, aq ngrohtë, sikur të njiheshe prej kohësh, siç ndodhi me kryetarin e bashkisë së Maldenit, Gary Christenson. Mësuam më pas se është hera e parë që ai është zgjedhur kryetar bashkie dhe se gëzon respekt në këtë qytet. Krahas aftësisë dhe përkushtimit në punë, komunikimi me njerzit, është një nga “sekretet” e respektit të tij. Përgatitja profesionale, eksperienca në punë, komunikimi me njerzit, janë kërkesa kryesore për punësimin në Amerikë, që nga punëtori i thjeshtë, menaxheri e deri te politikani më i lartë. Gjatë këtyre pak viteve që jetoj në Amerikë, kam dëgjuar se në mjaft raste janë pushuar njerëz nga puna, pasi nuk kanë komunikuar mirë me klietnët e tyre. Komunikimi dhe respekti për njerzit, të çdo kategorie qofshin, janë vlera të tjera të shoqërisë amerikane, nga e cila kemi ç’të mësojmë.