Në qershor të vitit 1990 në Kosovë erdhi për vizitë kongresisti Tom Lantos dhe ish kongresisti Joseph DioGuardi, të shoqëruar nga një grup aktivistësh të komunitetit shqiptaro – amerikan.
Pas një konference shtypi në Hotelin Grand nga Lantos dhe DioGuardi në mbrëmje u shtrua një darkë në restorantin Dubrovnik të Prishtinës ku merrte pjesë Joseph DioGuardi, aktivistët e komunitetit shqiptar në Amerikë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova e intelektualë të tjerë të shquar të Kosovës.
Atmosferën e tregon bukur kjo fotografi. Shqiptarët e Kosovës në hapin e tyre drejt lirisë, pas vizitës së këtij delegacioni amerikan në Kosovë e vizitave të ambasadorit amerikan në Beograd, Warren Zimmerman, filluan të shpresojnë tek Amerika e cila akuzoi Serbinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në foto duket presidenti Ibrahim Rugova duke vallëzuar në restorantin “Dubrovnik” në mbrëmje bashkë me të rinjtë e intelektualët e Kosovës. Majtas tij është botues i sotëm i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, në atë kohë redaktor i gazetës së studentëve “Bota e Re” në Prishtinë.