Një gjeneral serb në pension thirret në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd si i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Beograd, 2 gusht 2026 – Gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave, Momir Stojanoviq, ish-shef i Sigurisë së Korpusit të Prishtinës dhe drejtor i parë i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë, ka njoftuar se nga Prokuroria për Krime Lufte në Beograd është thirrur sërish për t’u marrë në pyetje si i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

“Në një adresë ku nuk jetoj prej një kohe të gjatë, nga Gjykata për Krime Lufte në Beograd këto ditë e mora një thirrje për t’u paraqitur në këtë institucion për t’u marrë në pyetje për shkak të dyshimit se kam kryer një krim lufte”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Ai ka publikuar foton e thirrjes në gjykatë, shënime zyrtare të Zyrës së Prokurorit të Krimeve të Luftës dhe dokumente të tjera.

Gjenerali Stojanoviq ka thënë se edhe më parë në Serbi ishte zhvilluar një hetim kundër tij, me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, por, sipas tij, “hetimi ishte pezulluar pas tri vitesh, për shkak të mungesës së provave”.

Ai ka thënë se “dikush nga aparati shtetëror” ua ka dorëzuar të dhënat e tij autoriteteve të Kosovës.

“Meqenëse thirrja është dërguar në adresën e vjetër, të cilën sikurse edhe shumë kolegëve veteranë dikush nga aparati shtetëror i vendit tënd ua ka dhënë autoriteteve kosovare të drejtësisë, mund të konkudohet për përsëritjen e gjithë procesit në bazë të kërkesës së prokurorisë së shtetit të Kosovës që nuk njihet apo që njihet por ne nuk dijmë”, ka shkruar ai.

Gjenerali Stojanoviq i akuzon “autoritetet shtetërore” të Serbisë edhe se nuk kanë shprehur gatishmëri as ta shqyrtojnë kërkesën e tij për tërheqjen e urdhër-arrestit të kuq të lëshuar nga Interpoli.

Këto ditë në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës, po bëhen gërmime për një varrezë masive, në të cilën dyshohet se janë groposur 23 civilë shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në vitin 1999.

Tre persona, të tre serbë të Kosovës, janë arrestuar si të dyshuar lidhur me këtë rast. Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ka gjetur prova se njëri prej tyre kishte qenë pjesë aktive e ushtrisë jugosllave në kohën kur dyshohet se ishte kryer krimi.

Brigada e Motorizuar 38 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka vepruar në pjesën veri-perëndimore të Kosovës, e cila ka vepruar në pjesën veriperëndimore të Kosovës në vitin 1999, dyshohet për kryerje të krimeve të luftës.

Dosjet e kësaj brigade, sikurse edhe dosje të tjera të ushtrisë e policisë që kanë vepruar në Kosovë, janë kualifikuar si dokumente të klasifikuara që nuk mund të hapen deri në vitin 2044. Autoritetet e Kosovës kërkojnë nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit për hapjen e këtyre dosjeve me qëllim zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*