Boston, 24 qershor 2025 – Një gjykatëse federal e bllokoi të martën zbatimin e planit të administratës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndaluar hyjnë në Shtetet e Bashkuara të shtetasve të huaj për të studiuar në Universitetin e Harvardit.
Allison Burroughs, gjykatëse federale në Boston, lëshoi një urdhër të përkohshëm që e bllokon përpjekjen e fundit të asministratës së Presidentit Trump për të kufizuar mundësinë e Harvardit për të pranuar studentë ndërkombëtarë.
Urdhri i përkohshëm e zgjat një urdhër të përkohshëm që ajo e kishte lëshuar më 5 qershor, një ditë pasi Trump e kishte nënshkruar një urdhër për këtë çështje “për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare”.
Gjykatësja Burroughs tha se ka të ngjarë që administrata e Presidentit Trump ta ketë shkelur të drejtën e lirisë së fjalës në Harvard, të garantuar me Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke iu hakmarrë universitetit për refuzimin e përmbushjes së kërkesave të tij për kontrollin e kurrikulave dhe të studentëve.
Universiteti i Harvardit tha se vendimi i gjykatëses Burroughs do t’i mundësojë të vazhdojë të pranojë studentë dhe studiues ndërkombëtarë, derisa çështja vazhdon të trajtohet nga gjykata. Universiteti theksoi se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e universitetit, të studentëve dhe të studiuesve të tij.
Universiteti i ka ngritur dy padi të veçanta në gjykatë, duke kërkuar që administrata Trump të zhbllokojë rreth 2.5 miliardë dollarë fonde për universitetin dhe ta parandalojë ndalimin e regjistrimit të studentëve ndërkombëtarë.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, njoftoi në fund të muajit maj se departamenti i saj po e tërhiqte menjëherë certifikimin e programit të shkëmbimit të studentëve, duke e akuzuar universitetin për “nxitje të dhunës, antisemitizmit dhe koordinimit me Partinë Komuniste Kineze”.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për rritje të antisemitizmit dhe islamofobisë në Shtetet e Bashkuara për shkak të luftës në Gaza, ndërsa administrata Trump deri më tani nuk ka paralajmëruar kurrfarë veprimi kundër urrejtjes ndajarabëve dhe muslimanëve.
Vitin e fundit në Universitetin e Harvardit studiuan afër 6,800 studentë ndërkombëtarë apo rreth 27 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve.
(r.m.)