Një i vdekur dhe tret ë plagosur në një sulm me armë në Skënderaj

Prishtinë, 10 gusht 2023 – Një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë plagosur nëë nj sulm me armë zjarri në një kafene në Runik të komunës së Skënderajt, natën mes të mërkurës dhe të enjtes.

N.L., 39-vjeçar, i cili rapportohet të jetë djali i pronarit të lokalit, ka mbetur i vdekur në vend, kurse tre të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Shaqir Uka, shef i repartit të Kujdesit Intensiv në QKUK, ka bërë të ditur se njërit nga të plagosurit në këtë sulm i është amputuar pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë, për shkak të plagëve të rënda në regjionin e gjurit. Ai ka thënë se ky pacient është ende në gjendje më të rëndë, pasi ka pasur gjakderdhje të madhe.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se dyshohet që dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal, kanë shtënë me armë ndaj të pranishmëve pa ndonjë objektiv dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.  Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur”, ka thënë Zahiti.

Ai ka thënë se ekipet policore, të udhëhequra nga prokurori i rastit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur e sekuestruar disa gëzhoja të plumbave të shkrepur si edhe materiale e prova të tjera.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit apo kryesve të veprës si edhe për zbardhjen e kësaj vepre penale”, ka thënë Zahiti.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se sulmi është kryer nga dy persona të  maskuar.

“Prokuroria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas hetimeve të deritanishme dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe kanë gjuajtur me armë, ku është vrarë një person dhe janë plagosur tre të tjerë. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë” dhe personat që e kanë kryer veprën penale” nuk janë identifikuar ende”, ka thënë Prokuroria.

Musa Gashi, i cili ka qenë në lokal në momentin e sulmit, ka thënë se sulmi ka zgjatur dhjetë a pesëmbëdhjetë sekonda. Ai ka thënë se nga vendi ku ka qenë i ulur e ka parë vetëm njërin nga autorët e sulmit, i cili ka shtënë me Kalashnikov ndaj të pranishmëve në local, pa ndonjë shënjestërr të veçantë.

Gashi ka thënë se sulmuesi të cilin e ka parë ka pasur maskë të zezë në fytyrë dhe ka qenë i veshur me veshje kamuflazhi, të tilla çfarë përdorin njësitë ushtarake e policore gjatë operacioneve dhe gjatë stërvitjeve.

Sipas tij, në momentin e sulmit, në lokal kanë qenë të pranishëm 15-16 persona.

(r.m.)