NJË KOMUNITET QË KA FYTYRËN E AMERIKËS

Nga Ruben Avxhiu

Ditën e enjte në darkë, kryetari i republikanëve të New York-ut, dhëndër i Presidentit Nixon, u solli shqiptaro-amerikanëve përshëndetjet e Presidentit Trump.

Të nesërmen në mëngjes, në një shkollë publike në Bronx, kongresistja progresive, nga më të majtat e demokratëve, Alexandria Octavia-Cortez, e njohur me shkurtimin AOC, foli fjalë të ngrohta për shqiptarët dhe pastaj nuk duroi pa zbritur në shesh ku u përpoq të kërcente vallen tonë me vajzat e vogla shqiptare. Videon sapo e postoi vetë në rrjetet sociale.

Kështu ka qenë gjithmonë komuniteti shqiptar, me miq në të dy partitë kryesore politike amerikane. E tillë ka qenë edhe mbështetja që kemi fituar për Kosovën në Washington. Një nga çështjet e rralla ndërkombëtare që ka bashkuar bashkë republikanë e demokratë, të djathtë e të majtë.

Sa herë vijnë zgjedhjet shqiptarët ndahen në partitë e preferuara, votojnë për kundërshtarë politikë dhe kushdo që fiton e ka një mik në komunitetin tonë.

Kjo nuk është strategji lobimi. Nuk është aritmetikë interesash. Shqiptaro-amerikanët janë si të gjithë amerikanët e tjerë. Vijnë nga rrethana të ndryshme politike, sociale, ekonomike, e kulturore. Ata reflektojnë preferencat politike të fqinjve të tyre amerikanë, të kolegëve të punës, të lagjeve, rrethinave, e komuniteteve ku jetojnë.

Ky është një komunitet që ka fytyrën e Amerikës. I gjen të gjitha rrymat politike mes tij. Jo më kot, në darkën e AARC-së foli një kongresist reganian si Keith Self, kundërshtar i vendosur i Rusisë në Kongres dhe një demokrat konservator, si kryebashkiaku Eric Adams, të cilin majtistët si AOC nuk e shohin dot me sy, e luftuan shumë që të mos zgjidhej.

Sigurisht ka komunitete emigrantësh që anojnë shumë majtas, por shumica e tyre janë më konservatorë sesa liberalët pro-emigrantë, sepse reflektojnë shoqëritë nga vijnë. Sidomos ato komunitete që përjetuar komunizmin dhe kanë krijuar lidhje tradicionale me republikanët në kohën e Luftës së Ftohtë, apo që nuk janë dakord me disa pikëpamje kulturorë e socialë të të majtës së sotme amerikane. Në këto komunitete gjejnë vend të dy partitë e mëdha amerikane dhe shumë rryma ideologjike e qendrime.

Edhe shqiptarët që kanë kandiduar për poste politikë në vitet e fundit kanë qenë nga të dy krahët e politikës. Do të dëshiroja që ashtu të vazhdonte dhe që ky komunitet të mos ia mbyllë derën asnjë partie dhe as anëtarëve të tij pavarësisht nga pikëpamjet që gëzojnë.

Por preferoj sigurisht veprimtarët e komunitetit që janë së pari njerëz, shqiptarë, dhe amerikanë e pastaj rastësisht janë republikanë apo demokratë, sesa ata që vënë para çdo gjëje ideologjinë politike. Ideologjitë janë pjesë e jetës dhe botëkuptimit tonë, por humanizmi, mirëkuptimi dhe dhembshuria për njerëzit që na rrethojnë, për familjarët, fqinjët, kolegët, njerëzit me të cilët ndajmë hapësirat e jetës, punës, dhe debateve, bashkatdhetarët amerikanë dhe shqiptarë, duhet të jenë më të rëndësishme se politika.

Unë kam mbetur një romantik që e merr malli për politikën e vjetër amerikane dhe kur them të vjetër, nuk shkoj më shumë se 20-30 vjet më parë. Këta të kohës së sotme më duken si një esencë tjetër, më e ngjashme me botën që lashë pas kur erdha në Amerikë sedsa me atë që gjeta. Por dua që të reflektohen edhe këta në komunitetin tonë. Ne nuk mund ta shpëtojmë Amerikën. Jemi pjesë e saj, do të shpëtojmë apo mbytemi të gjithë bashkë me të.

Sado që të përleshen në debatet e tyre, më pëlqen që kur vijnë në komunitetin tonë, duket sikur i lënë sipas zakonisht shqiptar armët te dera. Kongresisti Self flet për raki rushi, kryetari Cox flet për vjehrrin dhe miqësitë me shqiptarë, e AOC del në shesh dhe shndërrohet thjesht në një vajzë që tund shaminë imagjinare.

VIDEOJA NE LINK:

https://www.facebook.com/share/r/1HQ4cZGdF8