Një libër shumëdimensional: Larmishmëri e stilit, gjuhës dhe pikëpamjeve të autorit

Analizë letrare e Romanit “KËPUCA E AKTORIT” të autorit Visar Zhiti

Pergatiti: Valentin Lumaj, 

“Mësues dhe Specialist i Gjuhës Angleze”

Qendra Kulturore “Nënë Tereza”

Michigan, 28 Maj 2023

Romani “Këpuca e Aktorit” vjen për lexuesin si një vepër në prozë përtej letrares, si një libër shumë-dimensional, me një amalgamë vlerash autentike shqiptare, ku përzihen rrjedhshën epoka të ndryshme, dhe secila epokë ka ngjarjet, personazhet, specifikat dhe vlerësimet e veta.

Në qendër të romanit është Hektori, një aktor, personazh surreal, në relacion te ngushtë me familjen e tij, dhe saga e kësaj familjare të shtrirë në tre breza, të babait Moisiut, vetë aktorit Hektorit dhe vajzës së tij Irisit. Personazhet fiktivë si subjekte të fantazisë së autorit, lidhen në mënyrë perfekte me ngjarje të vërteta që kanë ndodhur, personalitete dhe njerëz realë, që kanë jetuar në kohë të ndryshme apo jetojnë ende dhe mendoj unë, qëllimi i autorit ka qenë nxjerrja në pah e vlerave, kontributeve dhe rolit të tyre pozitiv apo negativ në historikun e Shqipërisë që nga shteti i Ahmet Zogut seri në ditët e sotme.

Unë kam bërë një zbërthim letrar të librit, ku kam gjetur një larmishmëri të stilit, të gjuhës dhe pikëpamjeve të autorit.

1. Stili i autorit përfshin të gjitha mënyrat e të shkruarit në prozë.

• Romani është pjesërisht personal dhe herë herë duket si një monografi, ku autori Visar Zhiti jep detaje rreth përvojave, ndjenjave dhe brengave të tij personale apo edhe të familjes, por që e që e lejon lexuesin të marrë këto ndjenja nëpërmjet një personazhi tjetër, pra Hektorit aktor. Nga ky kënd i vështrimit dhe me aq sa e njoh unë autorin Zhiti, ai i ngjet kaq shumë personazhit kryesor Hektorit, kjo nga pikëpamjet dhe gjykimet bindëse që jep, sa une lirshëm do ta titulloja romanin: “Visari në këpucët e aktorit”.

• Romani është shumë përshkrues. Autori Zhiti përshkruan me detaje vende dhe ngjarje të vërteta. Përshkrimi fantazues por edhe real i vendeve dhe ngjarjeve, lejon lexuesin që të jetë më i interesuar për t’a lexuar librin duke i dhënë atij një imazh dhe perceptim që të duket sikur po e përjeton vetë vendin apo ngjarjen.

P.sh. përshkrimi i një riti dhe tradite familjare, bujarisë :

“Ma mbushën dhe mua goten me raki. Nje sahan i madh plot me mish te pjekur e vunë në mes te sofrës. Nëna ndau fasulet nëpër pjata, ishin me pastërma, ndërsa Guriu na vuri të gjithëve nga një copë mishi në anë duke zgjedhur më të mirat për mikun, pastaj për babain, pasi më dha dhe mua, mori dhe për vete. Pasi uroi “ju bëftë mirë!” nëna doli nga oda me hap të lehtë. Babai ngriti gotën i pari dhe uroi mirëseardhjen me dy shëndete njëherësh, për Flamurin dhe mikun”.

Ose një shembull tjetër ku në një paragraph përshkrues të shkurtër lexuesi kupton situatën e një periudhe të tërë, atë të viteve 1997-‘98:

“…nje nuse e çuan me tank te shtëpia e dhëndrit. Dasmorët s’e dinin ç’u erdhi ashtu, si ndonjë sulm i papritur dhe rrëmbyen armët, antitankun bërtisin, por u hap kapaku i kullës së hekurt të tankut dhe doli mbi të një flamur i bardhë, jo, ishte vello nuseje, pastaj nxori kokën e drobolitur vete nusja dhe shpërthyen kengêt e vallet hedoniste. Nisen qê sipër zinxhirëve te tanksit”

• Romani ka karakter historik. Aty paraqiten ngjarje historike të Shqipërisë që nga koha e Mbretit Zog, koha luftës çlirimtare, ndarja e shqiptarëve në “Internacionalistë dhe nacionalistë apo komunistë dhe ballistë, koha e miqësisë me Kinën e Rusinë, e liberalizimit të artit të viteve 1970 dhe hakmarrja komuniste ndaj saj, vdekja e diktatorit, koha e lëvizjeve demokrtike të viteve “90, rënia e diktaturës, ku Hektori merr pjesë në rrëzimin e një busti të Diktatorit, dhe koha e pseudo-demokracisë, siç e quan autori.

• Romani është rrëfyes dhe informues. Në libër autori nëpërmjet personazhit kryesor Hektorit, rrëfen përshtypje, ndjenja dhe ndodhi të shumta me informacion të bollshëm mbi figura të njohura publike dhe politike shqiptare apo të huaja, të kohëve të ndryshme me detaje të panjohura më parë.

-Në libër Hektori tregon mbresa nga takimi me At Gjergj fishtën, ku at Fishta paraqitet me natyren e tij burrnore dhe këshillat e tij të çmueshme në dialektin gegë:

“Shkollat janë si oazet në shkretinë”, “Duhet me e dashtë atdheun…ai asht i pari…edhe dija asht dashtni…Shqipnia asht kryqi em…”

-Takimi në vitet e Luftës me një pinjoll të familjes Frashëri, Mithat Frashërin, i cili ishte themelues i Ballit Kombëtar, që siç e përshkruan autori: “…ishte një njeri i kulturuar. Kishte një librari në Tiranë. E quan fatkeqësi vëllavrasjen, por fajin ua hidhte komunistëve, që shkelën Marrëveshjen e Mukjes”.

-Miqësia në vitet e luftës Italo-Greke me poetin grek Odise Aristisis, autor i Albaniadës, dhe shumë vite më vonë Hektori merr vesh nga radioja ndërsa dëgjon fshehurazi Zërin e Amerikës se Odise Artisitis merr çimin Nobel në Letërsi, po ashtu edhe për Nënë Terezen.

-Takimi i Hektorit me nënë Terëzen, përjetimet dhe mbresat, vizita e Nënë Terezes tek Varri i Enverit, qetësimi i varrit të diktatorit që dridhej deri atëherë, biseda e Nënë Terezes me presidentin Klinton etj. Po edhe njohja dhe takimet me Maks Velon, Lirak Bejkon, Ismail Kadarenë, Petro Marko, Gjosho Vasinë, Anton Pashkun, Vaçe Zelën …, përshkrimet për Sali Berishën, Edi Ramën e shumë e shumë persona publikë realë.

-Më prekëset nga takimet e Hektorit autor apo i autorit Hektor janë takimet me Atjonin. I pari, një takim imagjinar me Atjonin student, diku në ballkonet kateve të sipërme, tamam midis tokës dhe qiellit.

Dhe takimi i dytë ndodh në mbyllje të kësaj sage dramatike, si një vegim në agoninë e Hektorit midis jetës dhe vdekjes, ku Atjoni vjen si shpëtimtar:

“Si i dërguar nga qielli po më dukesh”, thotë Hektori, “andej vij, ma jep dorën ngrihu”, përgjigjet Atjoni dhe ikën. Dhe vijon rrëfimi i Hektorit “…ia dhashë britmës. Së pari për studentin, mikun dhe djalin, Atjonin, që u zhduk ashtu, pa e kuptuar si ndodhi.

• Një tipar tjetër i rëndësishëm i stilit të autorit është edhe metoda vlerësuese dhe bindëse per lexuesin. Libri është i mbushur me vlerësime dhe mendime origjinale të autorit, shpesh herë të shkruara në vetën e parë të shoqëruara me vështrime specifike për çështje të ndryshme që tentojnë të edukojnë dhe bindin lexuesin:

“Gjermanët nuk ishin pushtues por kalimtarë…More t’ju thonim pse ikët…” “U clirua shqipëria, por jo shqipëtarët”

“post diktatura i ngjet diktaturës”

“As demokracia nuk ka ardhur, as diktatura nuk ka ikur.”

“Enveri ishte ujk, Ramizi dhelpër,”

“Enveri ka qenë vagabond, dhe është, ma ka thënë Petro Marko kur po pija një kafe me të”

Si referencë për vetëvrasjen e Lirak Bejkos: “…Ish të burgosurit djegin veten për Shqipërinë, ndërsa politikanët djegin Shqipërinë për veten e tyre…”

• Një veçori tjetër letrare shumë e përdorur në libër është edhe monologu. Mungesa e lirisë së shprehjes, ku edhe miku më i ngushtë ishe spiuni i tij, i imponon Hektorit mënyra të tjera të shprehjes, pra monologun, që herë-herë ngjet me skenare nga filmi Cast Away, ku aktori i humbur për vite në një ishull, personifikon një top dhe e bën shok dhe bisedon me të. Në mënyrë të ngjashme, Hektori ndahet më dysh, Vetja I dhe Vetja II:

“Dua të flas. Por më dhëmbin nofullat, sikur të kem ulerirë në ngricë, natën. Mëngiesi duket më pa shpresë…S’flas dot, kam gurë mes dhëmbëve a dhëmbët e thyer. Ç’kam ngrënë në ferr? Dua të ha. Veten time. Kam dhe këto maska mbi fytyrë, njërambi tjetrën, edhe një sanitare në fund, kam dhe një kuti plot me to, kush m’i solli, që po te dilja, fare s’kam dals, as nga teatri s’kamshkuar, duan ta shembin, prapë? A s’e shembën një herë? Apo i pengoi pandemia? Përkundrazi. Corona Virus, Covid 19, si kod, titull drame, dosjeje. Dënim. Po mua me ra dhe travi i skenës në kokë dhe me ndau, Vetja ime I dhe Vetja ime II…Vëllezër siamezë. E si dilet nga gërmadhat? Si dilet nga dënimi. Të paktën të shpëtojë njëra nga vetët, ajo II. Po ka thyer kimbën, çalon. Po hiqe këpucën, dreqi e marrtë!

2. Gjuha e autorit

• Gjuha me elementet e saj që janë perdorur e bëjnë romanin të pëlqyeshëm dhe të suksesshëm.

• Përmbajtja e librit është shkruar me një elokuencë superiore më së shumti në fjali të gjata por të rrjedhshme. Ndërthurja harmonike e fjalëve në fjali dhe fjalive me njëra-tjetrën, ngjet në mënyrë figurative me një “valle popullore dorë më dorë” ku lexuesi ndjen argëtim teksa lexon.

• Gjuha e pastër shqipe ka të përpunuar në shkallën më të lartë të gjitha elementet e saj letrarë, morfologjikë, leksikorë dhe sintaksorë, kaq të nevojshme për shpjegimet e shumta psikologjike dhe persiatjet mendimeve të thella të natyrës kafkane.

• Në roman ka edhe gjuhë dhe pjesë erotike, të cilat vijnë natyrshëm nga raporte dashurore njerëzore, por ne disa raste edhe si shfaqje e boshllëkut kulturor dhe degjerimit moral të kasës drejtuese të një sistemi komunist pa vlera.

• Romani ka si element të tij edhe simbolikat, që janë këpucët dhe maskat e aktorit. Nëpërmjet këpucës, që Hektori dhe i ati paraqiten në shumë raste me një këpucë, autori paraqet rrugëtimin e vështirë të një aktori që jeton dhe aktron nga një regjim në një tjetër, duke shprehur shijen pa shije të diktatorit dhe jo talentin e aktorit, ku arti dhe teatri duhet që ti shërbejë regjimit the jo publikut.

Sindromi i këpucës së humbur, simbolizon një popull që i ka humbur busulla, që ecën me një këpucë, me një ecje gjithmonë të lëkundur dhe të penguar, që sillet në një rreth vicioz të vetes së tij dhe nuk mbërrin askund:

“E nisja duke shikuar nga kembët e tyre, disa të shtrira para, aq sa mund të pengoheshe, opinga te mëdha, të ngrëna, por dhe të vogla fëmije, gjysma çizmesh, nallane, shapka të vjetra, zbathur, eh, për çmpirje të njërës këmbë, çorape të grisura, me gishtërinjtë si koka zhapiku, këpucë qytetase, të shtrembëta, sandale rripkëputura, çizme ushtarake, ja, aty si biografi ecjesh, si shenja karakteresh, po edhe frymëzim…

• E veçantë në roman:

– është pika e nisjes në një kohë më zgjidhjen. Romani fillon me një skenë dramatike gjatë prishjes së Teatrit Kombëtar, ku aty në skenë, aktori gjendet në një gjendje “shoku” mbasi i ka rënë një tra në kokë dhe po aty përfundon në mënyrë dramatike ku marrin kuptim dhe zgjidhje të gjitha pikepyetjet dhe dilemat e aktorit.

-Pika kulminante, mendoj unë, është aktrimi i Hektorit dhe “Barbi Girl” nga një këpucë e madhe e improvizuar në një kovë ekskavatori përmes balkoneve të qytetit, në një kohë pandemie të Corona Virusit, por edhe si një revoltë apo shpërthim civil ndaj boshllëkut kulturor të një shoqërie që po e braktiste artin. Mesazhi i aktorit ishte: kur ju nuk vini në teatër, teatrin ua sjellim ne në ballkonet tuaja.

3. Konkluzione të ndryshme

Autori e paraqet personazhin kryesor Hektor Tomorrin, si një viktimë e kohës, gjithmonë në konflikt me realitetin që e rrethon, por edhe me veten e tij. Hektori, një aktor bir aktori, me baba të vrarë nga partizanët dhe i rritur nga xhaxhai partizan, ndodhet pothuajse gjatë gjithë librit në mes dy përjetimesh, vetes së tij 1, mendimve dhe ndjenjave origjinale, dhe vetes 2, nje version tjeter fallco, pra aktori përveçse roleve të shumta në skenë, ai luan edhe një nje rol tjetër edhe ne jetë, kjo për të mbijetuar dhe dalë gjallë nga ai ferr ku jetonte. Hektori gjendet vazhdimisht në qoshk te humnerës, për shkak edhe të mendimeve të tij disidente. Ndërsa e pyesin: “E ç’aktorë ishit ju, të realizmit socialist? E di por s’ishim dot gjallë ndryshe”, pergjigjet Hektori. Urrejtja ndaj sistemit dhe diktatorit shfaqet dukshëm, më së shumti në monologjet e Aktorit, por edhe në aktrimet e tij në mënyrë të fshehtë dhe cinike. Në një shfaqje, ku merrte pjesë edhe diktatori Hoxha, aktori Hektor, gjatë aktrimit, rrezohet dhe ashtu i shtrirë në skenë thërret diktatorin për ndihmë:

“Shtrirë jam si një Molier,

Me ngre veç dora e shokut Enver…”

Dhe diktatori ngrihet, del në skenë, perkulet dhe i jep dorën Hektorit të ngrihet. Ndërsa salla brohoret për diktatorin, Hektori kënaqet po ashtu: e bëra diktatorin të përkulet para meje, mendonte ai, kjo edhe për të na treguar se diktatorët janë të thyeshëm.

Disidenca e Hektorit vazhdon edhe në demokraci. Ai shpreh revoltën e tij për mungesën e artit dhe të kinematografisë. “E kanë braktisur teatrin se dramat janë nëpër rrugë” sikurse shprehet Hektori. Po ashtu Hektori shfaq kundërshtinë e tij për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në një farë mënyre shembja e teatrit bëhet një teatër dramatik i fateve njerëzore në Shqipëri.

Shembja e teatrit edhe si deshtim e aktorit dhe artit të tij, ku mes pluhurit të shembjes, përhumbin të gjakosura, shfaqje, skena, të qeshura, denime, të qara, aktrime, ku teatri i dramës do të kthehej në teatër të tragjedisë.

Si përfundim dhe mbi të gjitha, romani ka jetë brenda tij, ka ndjenjë, përjetim, rrënqethje, është kulturë dhe unë ja rekomandoj gjithkujt, sidomos rinisë shqiptaro-amerikane, që të njohin dhe kuptojnë realizimin e pasioneve dhe ëndërrave të rinisë nën një regjim ku për të mbijetuar duheshin jo këpucë aktorësh por çizme me gozhdë, kjo në kontrast me mundësitë e reja dhe të pafundme amerikane dhe të bëjnë diferencën, si motivim per të ardhmen e tyre.

Qendra Kulturore “Nënë Tereza”

Michigan, 28 Maj 2023

Autori i shkrimit, Valentin Lumaj (majtas) me shkrimtarin Visar Zhiti.