Një mjet shpërthyes gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës

Prishtinë, 28 shtator 2023 -Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën mbrëma ka gjetur një mjet shpërthyes në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku u gjet një arsenal i madh i armatimit dhe  pajisjeve ushtarake, pas sulmit të grupi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka bërë të ditur se mjeti është gjetur në afërsi të Manastirit të Banjskës. Ai ka thënë se policia po punon për identifikimin e saktë të këtij mjeti.

“Policia ka gjetur një mjet shpërthyes në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan. Momentalisht nuk kemi arritur ende ta identifikojmë nëse është mjet i pashpërthyer”, ka thënë ai.

Elshani ka thënë se policia do të japë informacione të hollësishme sapo të bëhet identifikimi.

(r.m.)