Një muaj paraburgim për zyrtarin e lartë të Serbisë, Igor Popoviq

Prishtinë, 20 korrik 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i është një muaj paraburgim.

Popoviq është i dyshuar për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit I.P., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale:, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Avokati i Popoviqit, Ljubomir Pantoviq, ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të gjykatës.

“Është pranuar kërkesa e prokurorisë, në të cilën pretendohet se Igor Popoviq ka nxitur përçarje dhe urrejtje në fjalimin që e mbajti para dy ditësh”, tha Pantoviq.

Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, Në komunën e Rahovecit, e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste”, ndërsa luftën e saj e ka krahasuar me veprimet e “Hamasit” në Rripin e Gazës.

Popoviq, në fjalimin e tij e ka akuzuar faktorin ndërkombëtare në Kosovë se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e konsideron organizatë çlirimtare në vend se ta dënonte.

“Përkundër pranisë së forca ndërkombëtare dhe hetuesve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe të Tribunalit të Hagës ende nuk ka të gjykuar dhe të dënuar. Përkundrazi UÇK-në e cilësojnë organizatë çlirimtare dhe pjesëtarët e saj luftëtarë për liri”, ka thënë ai.

Pas këtij fjalimi, ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.

Reagimet e Beogradit pas vendimit

Autoritetet më të larta shtetërore në Serbi kanë reaguar ashpër pasi Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se të gjithë partnerët ndërkombëtarë i ka njoftuar për këtë vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ai e ka akuzuar Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke paralajmëruar se ky vendim  “mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.

Vuçiq ka thënë se ai do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por ka theksuar se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit për zëvendësdrejtorin e saj si “vendim politik” duke drejtuar akuza të rënda në adresë të autoriteteve të Kosovës.

“Çdo mundësi për marrëveshje dhe negociata me Prishtinën bie poshtë pas këtij vendimi skandaloz, të paligjshëm dhe të papranueshëm, derisa Popoviq të lirohet. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë bashkëfajtorë në këtë vendim ndaj Igor Popoviqit, përfaqësues i lartë i shtetit serb”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.

Ka reaguar edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi. Edhe ajo e ka cilësuar vendimin për paraburgimin e Popoviqit si “vendim politik”.

“Arrestimi i Igor Popoviqit është një sulm ndaj dialogut, një sulm ndaj vendosmërisë së shtetit serb për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut. Po ashtu, është dëshmi e qasjes joserioze dhe të papërgjegjshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët po e tolerojnë arbitraritetin, autokracinë dhe persekutimin e gjithçkaje që është serbe nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, ka thënë Lista Serbe.

Ministri në detyrë I Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka krahasuar deklaratat e Popoviqit me ato të kohës së Millosheviqit.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, ka thënë Sveçla pas arrestimit të Popoviqit.

“Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, ka theksuar ai.

(r.m.)