Nga Yaakov Katz dhe Khaled Abu Toameh, The Hill
Në vitin 2013, gjenerali John Allen, këshilltari i Barack Obamës në bisedimet e paqes izraelito-palestineze, rekomandoi një plan revolucionar. Izraeli do të tërhiqej nga pjesa më e madhe e Bregut Perëndimor, duke përfshirë Luginën e Jordanit në frontin lindor, dhe do të ndërtonte një gardh për të mbajtur larg terroristët.
Gjithashtu do të përdorte drone për të vëzhguar situatën dhe madje do të kishte akses në satelitët amerikanë për të parandaluar pushtimet e ardhshme.
Ndërsa procesi i paqes me palestinezët ka ngecur tani për më shumë se një dekadë, në vazhdën e pushtimit të Hamasit më 7 tetor dhe masakrës brutale ku 1400 izraelitë u vranë, plane si ajo që Allen propozoi një dekadë më parë janë krejtësisht joreale.
“Pas asaj që ndodhi më 7 tetor, ideja që Izraeli një ditë do të tërhiqet nga territori si Lugina e Jordanit është e pamundur të mendohet për të paktën dy brezat e ardhshëm”, na tha një oficer i lartë ushtarak izraelit.
Ky është mësimi i vështirë nga sulmet e Hamasit. Izraeli nuk do të jetë në gjendje të heqë dorë nga prania e sigurisë përgjatë kufijve të tij në dekadat në vijim dhe nuk do të jetë në gjendje të fshihet pas gardheve dhe sistemeve të mbrojtjes raketore si Iron Dome, e cila është efektive për të shpëtuar jetë, por gjithashtu i dha Izraelit një ndjenjë të rreme sigurie, ndërsa një kërcënim monstruoz u rrit pak përtej kufirit.
Çfarë do të thotë kjo praktikisht, është se struktura “dy shtete për dy popuj” për të cilën bota ka debatuar gjatë 30 viteve të fundit nuk do të ndodhë siç u mendua dikur. Në vend të kësaj, Izraeli, palestinezët dhe SHBA-ja duhet të ridefinojnë qëllimet e tyre.
Në këtë mënyrë rekomandohen tetë hapa, katër për Izraelin dhe katër për Autoritetin Palestinez që mund të ndihmojnë në krijimin e një mekanizmi që mund t’i japë fund një herë e mirë luftës, si dhe avancimin e një procesi diplomatik kur të përfundojë.
Hapi i parë për Izraelin është që qeveria të deklarojë se nuk do të ketë vendbanime izraelite në Rripin e Gazës. Disa ministra të qeverisë kanë shprehur dëshirën e tyre për të rindërtuar ato vendbanime të shkatërruara dhe kryeministri Benjamin Netanyahu ende nuk i ka refuzuar këto thirrje.
Hapi i dytë është që Izraeli të deklarojë se dëshiron që Autoriteti Palestinez të zëvendësojë Hamasin si entitet qeverisës mbi Rripin e Gazës. Meqenëse Izraeli nuk dëshiron të qëndrojë pafundësisht brenda Gazës pas kësaj lufte, opsioni më i mundshëm për të sunduar zonën është Autoriteti Palestinez, entiteti për të cilin Netanyahu ka punuar prej më shumë se dy dekadash për ta dobësuar dhe margjinalizuar.
Hapi i tretë do të duhet të jetë veprimi i Izraelit për të forcuar Autoritetin Palestinez. Kjo duhet të përfshijë rrjedhjen e lirë të fondeve nga Izraeli te Autoriteti Palestinez, një koordinim më i rreptë i sigurisë si dhe lëvizjet izraelite në Bregun Perëndimor për të frenuar dhunën hebraike dhe zgjerimin e paligjshëm të vendbanimeve.
Hapi i katërt do të jetë që Izraeli të bëjë të qartë një qasje të re për sigurinë duke nisur një dialog diplomatik me Autoritetin Palestinez pas luftës, me qëllim arritjen e mirëkuptimeve të reja.
Kjo do të jetë e ndërlikuar, pasi Izraelit do t’i duhet të bëjë të qartë është se “dialogu diplomatik” nuk është edhe një term tjetër për një zgjidhje me dy shtete në mënyrën se si e mendonim përpara 7 tetorit. Kjo do të thotë se ky duhet të jetë një dialog që synon të krijojë besim, mirëkuptim, koordinim dhe një rrugë eventuale përpara – jo një shtet, por një mënyrë për të krijuar një të ardhme më të mirë.
Asgjë nga këto, megjithatë, nuk do të jetë e mundur pa reforma të thella dhe thelbësore brenda Autoritetit Palestinez, i cili me dekada e ka minuar pozitën e vet në mesin e popullit palestinez.
Hapi i parë për Autoritetin Palestinez do të jetë që liderët e saj të ndalojnë së foluri me dy zëra, të marrin një vendim se është në anën e shteteve arabe që kanë zgjedhur të jetojnë në paqe me Izraelin, ndryshe nga terroristët që mbështeten nga Irani, të cilët dëshirojnë ta eliminojnë atë. Kjo do të bëhet përmes një deklarate publike se Autoritetit Palestinez po i bashkohet lëvizjes për normalizim të nisur nga Marrëveshja e Abrahamit.
Hapi i dytë do të jetë një reformë serioze dhe gjithëpërfshirëse qeveritare dhe ndalimi i korrupsionit, i cili është ende i përhapur në shumë zyra qeveritare. Dështimi i Autoritetit Palestinez për të bërë reforma gjithëpërfshirëse ose për të mbajtur zgjedhjet e vonuara prej kohësh e ka dëmtuar rëndë besueshmërinë e tij. Para dëbimit të tij nga Gaza, në vitin 2007, Autorteti Palestinez dhe forcat e tij të sigurisë ishin të urryera nga shumë palestinezë atje, kryesisht për shkak të korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Nëse Autoriteti Palestinez mbetet ashtu siç është tani, do të jetë joreale të pritet që palestinezët në Gaza ta mirëpresin në qytetin e Gazës.
Hapi i tretë është ndalimi i nxitjes së dhunës, sidomos dhënia fund sistemit që ua paguan pagat terroristëve të burgosur në Izrael dhe që e nxit drejtpërdrejt vrasjen e hebrenjve. Ndonëse Autoriteti Palestinez zyrtarisht mban koordinimin e sigurisë me IDF-në në Bregun Perëndimor, sistemi i tij arsimor është plot me tekste dhe retorika anti-izraelite. Nxitja dhe sistemi i pagesës për vrasje duhet të marrin fund menjëherë. Kjo i ka hutuar palestinezët në lidhje me qëllimet e vërteta të Autoritetit Palestinez, prandaj shumë e kanë humbur besimin në udhëheqjen e tij me bazë në Ramallah.
Hapi i katërt është më i vështiri. Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas është në vitin e 18-të të mandatit katër-vjeçar dhe shumë palestinezë e konsiderojnë udhëheqës jolegjitim. Si i tillë, ai nuk ka mandat për të çuar përpara një proces diplomatik me Izraelin në emër të shumicës së palestinezëve. Do të nevojitet një udhëheqje e re, gjë që do të kërkojë përfshirjen e amerikanëve, egjiptianëve dhe sauditëve.
Megjithatë, ka një levë. Palestinezët janë pothuajse tërësisht të varur nga ndihma financiare amerikane dhe evropiane. Prandaj, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’ përdorin fondet e tyre për të kërkuar nga Autoriteti Palestinez që të bëjë reformat e nevojshme dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të mundësuar përparimin diplomatik. Tani të gjithë duhet të bëjnë lëshime, për të krijuar një të ardhme më të mirë që është e sigurt dhe e qëndrueshme për të dyja palët.
Ndonëse kjo zgjidhje nuk është perfekte as për Izraelin, as për Autoritetin Palestinez dhe as për SHBA-në, kjo është një rrugë e mundshme drejt përfundimi të kësaj lufte. Kështu mund të krijohen kufij më të sigurt për Izraelin, një Gazë pa qeverisjen e dhunshme të Hamasit, një mjedis më të begatë në Bregun Perëndimor dhe një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë për izraelitët dhe për palestinezët.
Yaakov Katz është bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Politikave të Popullit Hebre, ish-redaktor i ‘Jerusalem Post’ dhe autor i tre librave mbi çështjet ushtarake izraelite.
Khaled Abu Toameh është një raportues dhe analist i çështjeve palestineze me bazë në Jerusalem.
(r.m)