Një profesionist i pavarur, që nuk bën pazar me të vërtetën

Në vend që t’i ofrohej posti i Ministrit të Mbrojtjes apo të avancohej me meritokraci në majat e Shtatmadhorisë së Armatës, Bela u përball me mure burokratike, presione dhe diskriminim institucional, derisa iu desh të mbrohej duke trokitur dyerve të gjykatave
 
 
Nga Naser Pajaziti
 
Pensionimi i heshtur i Kolonel Dr. Muhaedin Belës nuk është thjesht mbyllja e një kapitulli individual apo largimi i radhës i një oficeri nga zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut.
Është një akt dështimi – sa politik, aq edhe institucional. Është pasqyra më e qartë dhe më goditëse se si sistemi në Maqedoninë e Veriut, i udhëhequr nga pazaret e ngushta partiake dhe frika ndaj profesionalizmit, vazhdon të shkatërroj dhe të mënjanojë figurat me integritet absolut.
Në një shtet normal, veçanërisht në një vend anëtar të NATO-s, një profil si ai i Muhaedin Belës do të ishte aset kombëtar. Me arsimim në akademitë më prestigjioze ushtarake – nga Harvardi e Gjeneva, te Kolegji i Luftës në Turqi dhe përvoja në Komandën Qendrore të SHBA-së (USCENTCOM) – Bela nuk ishte thjesht një ushtarak me uniformë. Ai është strateg, doktor shkencash, njohës i thellë i gjeopolitikës dhe arkitekt i dokumenteve bazë për përfaqësimin e drejtë dhe integrimin e shqiptarëve në sektorin e mbrojtjes.
Por pse kjo dije dhe ky bagazh nuk u shfrytëzuan kurrë në nivelin që meritonte?
Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe e hidhur: Muhaedin Bela zotëronte atë që politikës ditore i pengon më së shumti – integritetin profesional dhe palëkundshmërinë e parimeve.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes dhe kanë mbajtur pozita të larta ekzekutive. Sfidat e mbrojtjes dhe sigurisë kërkonin pikërisht një njeri të përgatitur në qendrat më të mëdha të vendimmarrjes botërore, një ushtarak që e vlerësonin gjeneralët amerikanë si Wesley Clark dhe Joseph Lengyel, duke e cilësuar si “gjeneralin e ardhshëm”.
Megjithatë, përfaqësuesit tanë politikë zgjodhën ta anashkalojnë. Në vend që t’i ofrohej posti i Ministrit të Mbrojtjes apo të avancohej me meritokraci në majat e Shtatmadhorisë së Armatës, Bela u përball me mure burokratike, presione dhe diskriminim institucional, derisa iu desh që dyerve të gjykatave të kërkonte të drejtat për përfaqësim të drejtë e adekuat.
Një profesionist i pavarur, që nuk bën pazar me të vërtetën dhe që ngre zërin publikisht kur cenohet barazia, bëhet automatikisht “i pakëndshëm” për karriget politike.
Largimi i tij pa ceremoni të mëdha, flet më shumë se çdo diskurs solemn. Ai u largua në heshtje, por lë pas një mesazh të fuqishëm alarmues!