“Një provokim i rëndë dhe i papranueshëm për komunitetin shqiptar e boshnjak nga Mali i Zi”

Reagim i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, Staten Island, New York

Shoqata Shqiptaro-Amerikane në Staten Island shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me emërimin e znj. Snežana Jonica si konsulle e Malit të Zi në New York. Ky emërim për ne përbën një provokim të rëndë dhe të papranueshëm për komunitetin shqiptar dhe boshnjak nga Mali i Zi.

Jemi thellësisht të shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Malit të Zi, e cila propozon si përfaqësuese shtetërore një person me orientim të hapur pro-serb, e njohur për lidhjet dhe përkrahjen ndaj politikave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit – një regjim që la pas vuajtje, spastrim etnik, dëbime dhe dhimbje të pashlyeshme për popujt e Ballkanit.

Si mund të përfaqësojë një shtet një person që ka mbështetur politikën e ashtuquajtur të “kasapit të Ballkanit”, kur pikërisht nga ajo politikë u detyruam të largoheshim nga trojet tona dhe të emigronim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të lirisë, sigurisë dhe një jete më të mirë?

Pyesim publikisht: kur do të ndalet Qeveria e Malit të Zi me këto provokime të vazhdueshme ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve? Pse kërkohet që vazhdimisht të na rikujtohen plagët dhe vuajtjet e së kaluarës?

Ne besojmë se asnjë shqiptar nuk do t’i drejtohej për ndihmë apo përfaqësim një personi që ka qenë në krah të politikave të Millosheviqit. Ky emërim minon besimin, dëmton bashkëjetesën dhe fyen komunitetin tonë në diasporë.

I bëjmë thirrje urgjente institucioneve të Malit të Zi – Kryeministrit, Presidentit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme – që ta tërheqin menjëherë këtë emërim dhe të ndalin këto provokime të panevojshme. Në një qytet si New York-u, ku shumica e diasporës nga Mali i Zi janë shqiptarë, është e papranueshme që përfaqësimi diplomatik të bëhet nga një figurë me prapavijë pro-serbe, në vend që të reflektojë realitetin dhe diversitetin e komunitetit.

Nëse ky emërim nuk tërhiqet, komuniteti ynë rezervon të drejtën për protesta demokratike dhe paqësore para Konsullatës dhe për ta ngritur zërin tonë deri në institucionet më të larta, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë. Shqiptarët sot janë më të vetëdijshëm, më të organizuar dhe e dinë mirë se ku dhe si të reagojnë.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje ministrave dhe deputetëve shqiptarë që të ngrenë zërin në parlament dhe në institucionet përkatëse kundër këtij emërimi provokues.

Nuk mund dhe nuk do të pranojmë të provokohemi – aq më pak në Amerikë.

Kërkojmë me vendosmëri tërheqjen e saj sa më parë.

Me respekt,

Naser Nika
Kryetar
Shoqata Shqiptaro-Amerikane
Staten Island, New York