Nju Jork, 1 dhjetor 2025 – Një rrugë e qytetit të Nju Jorkut është pagëzuar me emrin e Heroit të Kombit, Isa Boletini.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit, ka thënë se ky akt është shprehje e vlerësimit të historisë së shqiptarëve për liri dhe pavarësi, por edhe dëshmi e lidhjes së forte ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. ‘Isa Boletini’ në Nju Jork është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë”, ka shkruar Peci në Facebook.
Postimi i plotë i Faton Pecit:
Me ftesë të Kongresit Amerikan, pata nderin e veçantë që sot në New York të jem pjesë e përurimit të rrugës që tani e tutje mban emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletinit, një prej figurave më të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. Isa Boletini në New York është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë.
Faleminderit miqve kongresmenë, autoriteteve të New York dhe komunitetit shqiptar për përkushtimin e tyre të palodhur. Diaspora jonë ka qenë dhe mbetet një forcë e jashtëzakonshme e imazhit dhe interesave të Republikës së Kosovës.
Le të vazhdojmë të ndërtojmë ura të përjetshme miqësie e bashkëpunimi, me dinjitet, me punë dhe me krenari, ashtu si do të donte Gjeneral Boletini.
Zoti e bekoftë Amerikën
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kosovën përjetësisht të lirë!




(r.m.)