Një serb i Kosovës është plagosur dhe është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës

Prishtinë, 3 nëntor 2025 – Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. pjesëtar i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, njoftoi Policia e Kosovës.

Në njoftim thuhet se gjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor, në zonën e njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, tha Policia e Kosovës, të hënën, më 3 nëntor.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet më tutje në njoftim.

Policia e Kosovës bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit për incidentin e ka njoftuar KFOR-in, që është përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar me Serbinë.

Informacion më të detajuar lidhur me rastin e plagosjes dhe rrëmbimit të shtetasit të Kosovës M.V. e ka publokuar avokati serb Ivan Niniq, Ai e ka publikuar edhe identitetin viktimës (Millan Vukashinoviq) dhe fotografinë e tij.

Niniq, në praforëm X, ka shkruar se Millan Vukashinoviq është plagosur rëndë nga të shtënat  në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën. Ai u drejton pyetje publike lidhur me rastin Presidentit të Setrbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe autoriteteve tjera kompetente të Serbisë.

 

 

Niniq, ndër të tjera, shtroi pyetjen nëse në incident kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në uniforma kamuflazhi, pa shenja dalluese. Ai ka shtruar edhe pyetjen nëse në “aksionin e gjuetisë” ndaj Milanit ka marrë pjesë edhe “dikush tjetër”, përveç ushtrisë. Niniq ka pyetur gjithashtu se a kanë qenë në terrenin ku ka ndodhur sulmi edhe “3 xhipa pa targa”.

(r.m.)