Beograd / Prishtinë, 31 korrik 2026 – Në Kralevë, në Serbinë qendrore, të enjten, është arrestuar Ranko Tepavac (1980) nga Istogu i Kosovës, i dyshuar nga organet serbe të hetuesisë për spiunazh në favor të Kosovës. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.
Sipas mediave serbe, Tepavac dyshohet se për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me shërbimin informativ të Kosovës. Sipas organeve serbe të hetuesisë, ai ka mbledhur dhe ka dorëzuar të dhëna dhe informacione mbi aktivitetet e pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, MPB-së të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së shtetit serb në Kosovë.
Po sipas medieve serbe, për shkak të aktiviteteve të Tepavac, para pak ditësh në Kosovë janë arrestuar dy serbë të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Zobin Potok, në vitin 1999.
Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka cilësuar si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës” arrestimin e Tepavac me pretendimet se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive të dyshuar në Kosovë.
“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se ky është “sabotim i drejtpërdrejtë i procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe shkelje e frymës së Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel”.
Hoti nuk ka bërë të ditur se në bazë të cilave informacione pretendon se personi është arrestuar për shkak të ndihmës së supozuar në zbulimin e varrezës masive, ndërsa ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment shtesë.
Arrestimi ka ndodhur disa ditë pasi autoritetet e Kosovës nisën gërmimet në Kalludër të Vogël, në Zubin Potok, në një varrezë të dyshuar masive.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, konfirmoi më 30 korrik se gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore.
Sipas tij, identifikimi i viktimave do të kërkojë kohë, pasi mbetjet mortore do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se në këtë lokacion mund të jenë vrarë e groposur 23 civilë shqiptarë nga Mitrovica, të cilët konsiderohen të zhdukur prej muajit prill të vitit 1999. Grupi i civilëve, mes të cilëve kishte intelektualë e profesionistë të fushave të ndryshme, si mjekë, profesorë, avokatë, etj., po largoheshin drejt Malit të Zi. Prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë bërë të ditur se sinjalizimi për varrezë masive të mundshme në Zubin Potok është bërë prej më shumë se dy dekadash.
Sipas FDH, informacioni i parë se në fshatin Kalludër Vogë mund të ketë një varrezë masive ishte bërë publik më 7 janar 2013, kur e përditshmja “Zëri” e kishte publikuar një deklaratë të Ranko Tepavac për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e trupave të tyre në luginën e fshatit.
(r.m.)