Një shkrim nga Sali Nivica që mbetet aktual edhe më shumë se një shekull më pas

Nga Subi Çako

Me rastin e 104 vjetorit të vrasjes së Sali Nivicës unë kam zgjedhur të sjell në vëmendjen e lexuesve një prej artikujve nga publicistika e tij e shumtë e titulluar “Për Memurët” (Për Nëpunësit). Shikoni se sa aktual e realist është akoma ky artikull që përshkruan memurët tanë të cilët nuk është se ngjasojnë vetëm këto tri dekada po kështu paskan qënë edhe gati një shekull më parë. E kur të jetë ndryshe edhe ne mund të jemi ndryshe, edhe vendi ynë do të jetë ndryshe e nuk do dallojë nga të tjeret.

Pak të dhëna nga jeta dhe vepra e Sali Nivicës.

Ai lindi më 15 maj 1890 në Rexhin të Kurveleshit të Sipërm rrethi Tepelenë, u vra nga dora e armiqve te Kombit më 10 janar 1920 në Shkodër. Ishte publicist, patriot, politikan e shkrimar. Ai është ‘Nderi i Kombit’.

Në vitin 1904 filloi studimet e shkollës së mesme në gjimnazin “Idadi Mylyqi” të Manastirit. Aty u lidh me atdhetarin Bajo Topulli, themelues i Komitetit të Parë Kryengritës për çlirimin e Shqipërisë, aktivist i të cilit u bë edhe djaloshi Sali Nivica, sidomos me shkrime me frymë të fuqishme atdhetare në shtypin e kohës. Dy vitet e fundit të shkollës së mesme Saliu i perfundoi, në vitin 1909, në gjimnazin Zosimea të Janinës.

Anetar i Komësise Letrare Në korrik 1912, i gjëndur në Durrës si mësues, për veprimtaritë e tij antiosmane, arrestohet dhe burgoset në Stamboll. Pasi u lirua nga burgu me ndërhyrjen e Ismail Qemalit, fillon punën e mësuesit të gjuhës shqipe në ‘Rober Kolezh’, në Stamboll, ku krijon edhe drejton shoqërinë Qarku letrar. Në vitet 1914-1915 bashkëpunoi me publicistin e atdhetarin Muço Qulli për nxjerrjen e gazetës Populli, dhe deri me 1916 punoi në fushen e arsimit. Ishte mbrojtës e përhapës i flaktë i arsimit dhe gjuhës shqipe. Motoja e tij ishte” Kombin e mban dhe difton komb nji atdhe homogjen, nji histori e kthjellët, nji besim i bashkët e nji gjuhë e livrueme. ”Ai kërkonte të ngrihej një Akademi për studimin e një gjuhe të përbashkët dhe një fjalor të gjuhës shqipe.

Më pas veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Sali Nivicës përqëndrohet në Shkodër. Më 6 shkurt 1918 ftohet dhe bëhet anëtar i “Komisisë letrare”, të krijuar në Shkodër më1916, ku dha një kontribut të veçantë për probleme të lëvrimit të gjuhës shqipe në Shkodër, asaj Vllaznia e Rozafa. Është ndër organizatorët e krijimit dhe zgjidhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh ne 7 nëntor 1918. Aty bashkëpunoi me figura të ndritura kombëtare si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçens Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës gazetën e tij Populli, zyra e të cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit. Nga numri i parë e deri te ai nr. 19 gazeta doli me moton ‘Për lavdinë e Atdheut’ dhe, gjatë punimeve të ‘Konferencës së Paqes në Paris’, deri te numri i fundit, Nr. 48, 10 janar 1920 duke ju përgjigjur zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit e për mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare, doli nën moton ‘Për indipendencën e plotë të Shqipërisë’. Gazeta Populli botohej kryesisht në dialektin gegërisht.

Gazeta, në vitin 1919, u shpërnda jo vetem brenda Shqipërisë, por edhe jashtë shtetit , në Francë, Itali, Zvicër dhe SHBA, Veprimtaria e tij atdhetare e publike ishte pengesë për planet aneksioniste serbo-sllave, italiane e greke. Ndaj më 10 janar 1920, në prag të ngjarjes së madhe kombëtare, të mbledhjes së Kongresit të Lushnjës, u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku, njeri i vënë në shërbim të forcave pushtuese serbe e italiane, i paguar dhe i armatosur posaçërisht. Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri Saliut të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie.

Ai është nderuar si “Mësues I Popullit”në 1961, ”Dëshmor i vjetër i Atdheut”në 1971 dhe me Urdhërin “Nder I Kombit”në 2011.

Artikulli “Per Memuret” është i botuar në Nr. 19 , Datë 6 Gusht 1914 te gazetës “Populli”në Vlorë . Ky është një nga shkrimet e shumtë të publicistikës së Sali Nivicës. Ne vazhdim po e sjellim atë me disa shkurtime:

Po i shkreti nëpunës? Lidhur e i penguar me një qint leq e ferra të kanunit; puna e tij e vëndosur, siellia e tij e shkurtuar, fjala e tij e caktuar. . . . Jeta, jetë e zezë, nën shtyp e nënë shtrëngim, gjithë frikë se mos shkelë ligësht, se mos flasë keq, se mos e qërtoin, se mos e dënoin, se mos i presin ligësht, se mos i japin rrugën. . . Gjithë laika e pullatika, t’a ken në sy të mire t’a ken kuidesë, t’i shtoin meashin (rrogen, S. Ç. ), t’i ngren rutbeen (pozitën në aparatin e shtetit, S. Ç. );shpesh herë shtrëngohet të gënjejë, gënjehet të viedhë… Me gjith këto lemeritë të shihte dobarem, pak hair, por, mierisht, as këtë jo! Unë s’njoha ndonjë nëpunës të jetë bër cirak , të ket bër tog e prokopië vetëm nga rroga që merr.

Dënuar të numërojë ditët e moit me gishtrinj:c’ditë hyri, c’ditë do të dalë, kaq do të mar, kaqë kam për të prishur, aqë do të më mbeten…Dhe ato të pesë kacidhet e shkreta, rrush e kumbulla si pare bixhozi;se varidat(të ardhurat. S. Ç) i prer, t’a di dhe miku dhe armiku;pra ndyr e pështyr I bukur dreq në të. Tërë jeta në brengë e në nevoje këtu borxh e aty veresie;me shtëpie në krahë, me fëmijë për dore;s’dihet nga fryn era, s’dihet ku të zë hera…. ja, dhe memurieti, sa fat-keqesië!. . .

Nuk e mohoim dot shërbimet që mund t’i sjellë kombit e atdheut të vetë një nëpunës i dijtur e i zoti, as që duam të themi, me këtë shënim, s’na lypsen nëpunësit…

Se kanë dhe këta një detyrë më vete, zën një rend te posatshëm e të duhur në rregullimin e punërave njerëzore, janë mieshtrat, drejtonjësit e shortit t’ëne, janë, me një fjalë qeveria vetë. Pra na duhen nëpunësit. Na duhen është e vërtete, por, jo dhe si e bëim na, jo ti harroim burimet e tierë të ushqimit, jo t’i sulemi qeverriës si mizat e lisit, jo të mblidhemi që nga ana e anës në Durrës e në Vlorë, të qelbemi në strehë të dyqaneve, të na shqepin mizat mi tavlla e mi letra të kafeneve e, ditën e moit, të derdhemi si dhent më krypë në Hazine e të rrëmbeim, pa cipë syri, pa pikë hamijeti, nga 20 e 30 napolona, jo të mieroim, kështu kombin e të varfëroim qeverriën. Ne u pështuan vendet, në mos ka punë ja ku ësht fusha e luftës!

Për napolona e dashkemi Shqipëriën, po për punë jo!Le të kemi frikë nga perëndia, përse i marrim gjith këto te holla. Ç’shërbim I suallëm dhe mund ti sjellim kombit e atdheut! Le të na vrasë ndërgjegjia jonë se ka dhe qint- mijëra Shqiptarë vëllezërt t’onë, që desin për bukë rrugave dhe ullinjve dhe qeverria s’ka t’u ndihë me nga 20 e 30 para, jo napolona. Le të shohim se ka dhe burra që bëin detyrën e tyre, na ruain nderin , na siguroin jetën, luftoin në këtë pisk vape e qeveria s’është e zonjat’u dërgoje bukë. Unë s’dëgjova nonjë memur që kish marrë pushkën në dorë a të kish dhënë një dhjetësh ndihmë, me gjithë kto myxyra, jo, por vec për të marrë, për të rrëmbyer;gjith me kast, si korbat në kërmë, si kur s’është gjaku i tyre, shpirti i tyre, atdheu i tyre po ndonjë vend i shkretë e i huaj, kush të ndukë pjesën më të madhe!Jam shigurse si ketu edhe në Durrës, numëri i memurëve hypën dhietë herë mi atë të burrave me armë në dorë.

Kudo të vesh, me kë do të bisedosh, çështia e memurëve të del përpara. Se ku jeshëm, një mik midis nesh u hoth e tha: “Më mbani vesh një fialë, o shokë , se belqita des e më mbetet peng: Turqiën e prishën Selaniklit e Shqipërien po e prishin mehmurët…. ”

Mirë këta memurët, që, të themi, këtë kanë zanat, kështu gjein e bëin, po ministri i financave, vallë , ç’menton, ku i del ky hesap që i paguan kaq shumë e kaq me rregulle?

Qeveria në brengë e në nevojë për ushtarë, i lypsen armë, i lypsen municione, i lypsen rroba, i lypset ngrënie, muhaxhirët një barrë e rëndë më vete e zoti ministër na jep urdhër të paguhen meashet.

Në të tilla rreziqe, në të tilla nevoja, mbretërit e botës u presin dhe nga-nje dhe nga-dy e tre meashe nëpunësve e shikoin punëra më të mëdha; sidomos ushtriën nuk e lën keq! Një nënpunës i ndershëm i kontabilities më tha se këtë muaj që dolli , c’qenë memurë dhe ca mytekaidë, u paguan me të vendit e me të ardhurit. Nashti kasa mbeti teneqe. Për ushtrien e gendarmërien e Viosës, ska as një dhietësh! Atëhere, na ruatë ministri I financave!

(Sali Nivica)