Një shtetas i Kosovës akuzohet për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

Prishtinë, 12 prill 2024 – Prokuroria e Posaçme ngriti të premten aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për përfshirje në veprën penale “Krime kundër njerëzimit” dhe veprën “Shkelje e rëndë e ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, shtetasi që u identifikua me inicialet M.D. dyshohet se u përfshi në krime që “u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazidi’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014 – 2017”.

Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth të akuzuarit. Një person me këto iniciale është dërguar në paraburgim në tetor të vitit 2018, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, e dënueshme në bazë të për ndalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë vendit.

Në një njoftim të një gjykate në Prishtinë thuhej se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.D. që nga muaji mars i vitit 2013, kishte shkuar nga Gjermania përmes rrugëve të ndryshme në Republikën Arabe të Sirisë dhe u është bashkuar organizatave të ndryshme, të shpallura si organizata terroriste nga ana e Kombeve të Bashkuara”.

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara kishin konstastuar se ekstremistët e grupit militant Shteti Islamik kanë kryer gjenocid në Siri dhe Irak ndaj pakicës fetare, Yazidi.

Në vitin 2018, Nadia Murad, pjesëtare e kësaj pakice, fitoi çmimin Nobel për paqe, bashkë me mjekun Denis Mukwege, nga Republika Demokratike e Kongos, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë e luftës.

Në arsyetimin e komitetit thuhej se Nadia Murad është një nga rreth 3 mijë vajzat dhe gratë Yazidi, që ishin viktima të përdhunimeve dhe abuzimeve tjera të grupit militant Shteti Islamik. Abuzimet ishin sistematike dhe pjesë e strategjisë ushtarake dhe ato u shfrytëzuan si armë në luftën kundër pakicës Yazidi dhe pakicave tjera fetare.

(Zëri i Amerikës)