Një shtetasi të Kosovës iu sekuestruan 25 mijë euro të padeklaruara në kufi

Tiranë, 16 prill 2024 – Policia e Shqipërisë njoftoi se një shtetasi të Kosovës i janë sekuestruar 24,900 euro në Pikën Kufitare të Morinës për shkak se nuk i kishte deklaruar te autoritetet shqiptare.

Përveç sekuestrimit të shumës së parave, ndaj 45-vjeçarit, me iniciale I.Z, ka nisur edhe një procedim penal. Ai është i dyshuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. Z.

Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 24 900 euro që po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar I. Z., 45 vjeç, banues në Lipjan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

(r.m.)

Comment

*