Një skandal që saboton së pari vetë Presidentin Trump

Partia Republikane promovon shkrimin nga mbesa e çetnikut që paraqet Kosovën si atdheu të cilin ia vodhëm serbëve – republikanët shqiptarë duhet të protestojnë

Nga Ruben Avxhiu

Komiteti Kombëtar i Partisë Republikane Amerikane, në Twitter, ka postuar një shkrim nga Tiana Lowe, që e paraqet Kosovën si “atdhe të serbëve që nga koha e Perandorisë Romake”, të cilën po ua vjedhin kolonistët otomanë që kanë depërtuar nga kufiri me Shqipërinë.

Tiana Lowe që është mburrur më përpara me gjyshin e saj çetnik është një gazetare e re, pa rëndësi. Ka plot në SHBA që shkruajnë artikuj të çoroditur e plot teorira konspirative serbe që sulmojnë Kosovën. Këto bëhen problem vetëm kur kullojnë në mediat dhe faktorët kryesorë të vendit.

Duke qenë se shkrimi paraqet Joe Biden si një maniak luftërash që e shtyu Presidentin Clinton të bombardojë Beogradin, kurse Presidentin Trump si paqebërës për shkak të takimit në Shtëpinë e Bardhë, disa republikanë të njohur e kanë promovuar këtë shkrim në rrjetet sociale. Tani, sapo e bëri edhe Komiteti Kombëtar i Partisë Republikane Amerikane, në Twitter.

Kjo është e papranueshme. Sidomos në një vit elektoral.

Shumë nga këta operatorë të llogarive të rrjeteve sociale janë të rinj dhe injorantë dhe nuk e dinë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës kanë qenë të mbështetura nga të dy partitë. Kjo nuk e bën përqafimin e rishkrimit të historisë nga serbët më të tolerueshëm.

Nëse Partia Republikane mendon se duhet të përqafojë propagandën e Millosheviqit që të bëjë që të duket keq Joe Biden, atëhere ajo nuk i meriton votat tona.

Unë besoj se çdo republikan shqiptaro-amerikan duhet të luftojë brenda Partisë Republikane që të triumfojë e vërteta. Sulmet nga demokratët shqiptarë vetëm sa do t’i bëjnë injorantët të mendojnë se kanë të drejtë. E vërteta është se duke menduar se po ndihmojnë Presidentin Trump, këta militatë partiakë janë duke ia humbur votat në shtetet kyçe. Dhe jo vetëm vota shqiptarësh. Një apologji e regjimit të Milosheviqit është një fyerje për komunitetet boshnjake, sllovene, kroate etj në SHBA.

Votuesi amerikan nuk pyet për ngjarje në Ballkan as në 2020 e jo më në 1999. Këto krahasime të Joe Biden në 1999 me Trump në 2020 janë kotësira që vetëm sa rrezikojnë votat e diasporave nga Ballkani. Serbët që janë pak në numër në SHBA janë shpesh njerëz që janë arratisur vetë që t’i shpëtojnë Millosheviqit. Për më tepër, Trump vetë e ka mbështetur bombardimin e Jugosllavisë madje e ka kritikuar Presidentin Clinton se po ia kufizonte opcionet ushtarakëve.

Për mendimin tim është një fyerje për vetë shqiptaro-amerikanët që po mbështesin fushatën e Presidentit Trump. Ata duhet të ngrenë zërin e tyre dhe të kundërshtojnë. Të kërkojnë minimum fshirjen e mesazheve në rrjetet sociale që promovojnë këtë shkrim.

Pavarësisht se në cilën anë të barrikadës politike ndodhesh, kjo është diçka që duhet luftuar.

Kthesë:

Ne Amerike duhet te ankohesh.

Pas protestave te mia dhe shume te tjereve ne Twitter, Partia Republikane e fshiu postimin antishqiptar

Mbase permendja e votave ne shtete kyçe luajti rol. 😜

Nuk mund ta nenvizoj sa duhet kete pune, regjistrohuni per te votuar dhe votoni. Politikanet vetem kur ka zgjedhje kane frike nga ne.