Një studim i munguar për kohërat dhe kohën që jetojmë

(Mbi studimin etnokulturor: “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i Dygjuhësisë dhe Derivati i Origjinës“)

Thanas L. Gjika

Fatmir Terziu është sot një ndër krijuesit e studiuesit më të suksesshëm shqiptarë me botimin e mbi 50 librave me studime, romane, drama, përmbledhje poezish, tregimesh e monografi të ndryshme në disa gjuhë, sidomos në shqip dhe anglisht.  Para disa javësh pasi pashë tek portali “www.fjalaelire.com” se libri i tij “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i Dygjuhësisë dhe Derivati i Origjinës ” ishte botuar që në vitin 2020, dhe ndodhet tashmë në shitje globale në “Amazon” dhe disa hapësira të tjera, ia kërkova miqësisht që të ma dërgonte për ta lexuar në formatin Pdf.

Fjala e Lirë | Albanian Creative People in ExileFjala e Lirë – ACPE – Albanian Creative People in Exile (ACPE) – Njerëz Krijues Shqiptarë Në Mërgim.

Studimi më tërhoqi, më ndihmoi të shtoja njohuritë e mia historike dhe kulturore mbi popullsinë dygjuhësore shqiptare të asaj zone, për të cilën kisha lexuar shumë pak. Kështu vendosa të shkruaj këtë vlerësim për këtë libër studimor, i cili e shpërndan mjegullën që ka sunduar mbi të vërtetën e krahinës dhe të banorëve të Gollobordës së Dibrës.

Golloborda është një zonë malore-kodrinore, që sot përfshin 24 fshatra, nga të cilat 18 fshatra, që ndodhen në të majtë të rrjedhës së lumit Drin i Zi, i përkasin Shqipërisë, kurse 6 fshatra, që ndodhen në të djathtë të rrjedhës së lumit Drin i Zi, i përkasin Maqedonisë së Veriut. Keto fshatra përbejnë një zonë që shtrihet brenda territorit shqipfolës, që shtrihet prej kohëve të lashta iliro-arbërore e deri sot që nga Deti Adriatik në Perëndim, deri në qytetet Preshevë, Kumanovë, Shkup e Prilep në Lindje. Deri në vitet 1912-1913, kur u ndanë kufijtë, popullsia e kësaj zone ka pasur një karakterisitkë gjuhësore të ndryshme nga popullsia shqiptare që e rrethonte, tipar që e ka ruajtur deri në ditët tona, kohë kur shumica e zonave malore po shpopullohet me shpejtësi. Pjesa mashkullore e gollobordasve zotëronte dygjuhësinë, fliste dhe flet ende një dialekt arkaik të bullgarishtes si dhe shqipen, kurse pjesa femërore fliste dialektin bullgar e shumë pak shqip. Burrat e Gollobordës, ashtu si shumica e burrave të fshatrave të krahinës së Dibrës kanë si veshje karakteristike veshjen e krahinave gege të Shqipërisë me qeleshe të bardhë, xhamadan, etj. Mbi të gjitha ata kanë qenë dhe janë ustallarë të talentuar. Në mbarë Maqedoninë e Veriut (Ohër, Manastir, Strugë, Dibër, Tetovë, Gostivar, Shkup, etj) dhe në Shqipërinë e Veriut (Librazhd, Elbasan, Tiranë, Durrës, Lexhë, Shkodër, Kukës, etj) njihen punimet me gurë e drurë të gdhendur bukur, të cilat studiuesi Zija Shkodra i quante punime të “Shkollës Dibrane të Ndërtimit”. Kjo shkollë ka konkuruar gjatë shekujve për përdorimin e gurit e të drurit me “Shkollën Kolonjare dhe Oparake e Ndërtimit”, e cila e shtrinte aktivitetin e vet në mbarë Shqipërinë e Jugut deri në Berat, Vlorë, Gjinokastër, Kostur, Konicë, Janinë e Çamëri. Mjeshtëria e gurit dhe e drurit, ku dibranët, kolonjarët dhe oparakët shfaqën talentin e tyre krijues, jo vetëm i mbajti gjallë, por i bëri të shquar, prandaj kërkoheshin në mbanë botën shqiptare dhe përtej, ku kanë lënë monumente të duarve të tyre të arta. Po aq duararta janë dhe gratë gollobordase të cilat janë shquar për përpunimin e leshit për krijimin e veshjeve shumëngjyrshe e të shumëllojshme për femrat e të gjitha moshave. Këto veshje janë të ndryshme nga veshjet karakteristike të grave shqiptare të të gjitha krahinave.

Në vitin 1913, kur Komisioni Ndërkombëtar i kufijve kaloi në brigjet e lumit Drin i Zi, për të ndarë kufijtë midis Shqipërisë dhe Serbisë, banorët e Gollobordës, burra e gra, i kërkuan këtij komisioni që të bënin pjesë në territorin e shetit të ri shqiptar, sepse e ndjenin veten shqiptarë, ishin myslimanë si shqiptarët e mbarë krahinës së Dibrës, edhe pse flisnin në shtëpi një dialekt sllav. Ushtria serbe i kishte vrarë e djegur pa mëshirë, prandaj nuk donin të bënin pjesë në shtetin serb. Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i ra shkurt punës dhe caktoi rrjedhën e lumit Drin i Zi si kufi ndarës për zonën e Gollobordës. Këtë parim ndoqi komisioni dhe pak më në veri, ku në të djathtë të lumit Drin i Zi ndodhej qyteti thjesht shqiptar i Dibrës, të cilin ia dha Serbisë, sepse nuk i rezistoi dot presioneve të përfaqësusesit të Rusisë Cariste dhe atij të Serbisë.

Studiuesi Fatmir Terziu

Studiuesi Fatmir Terziu, e ka ngritur zërin kundër pushtetarëve shqiptarë të tranzicionit, pra deputetëve dhe politikanëve të viteve të fundit, të cilët shpallën me ligje nëntë minoritete kombëtare midis popullit shqiptar. Ai i kritikon me guxim si intelektual dhe atdhetar këta politikanë që nuk kanë koncepte shtetformuese. Politikanët tanë të kësaj periudhe përveç minoritetit grek të njohur historikisht që vitet 20-të të shek. XX-të dhe të minoritetit maqedon të njohur mbas vitit 1945, shpallën e i mbrojnë me ligje si minotirete kombëtare dhe gollobordasit, aromunët/ vllehtë, ciganët, evgjitët, goranët, etj, të cilët kanë qenë e janë komunitete kulturore brenda arealit shqiptar. Ky veprim, sqaron autori, i largon këto komunitete kulturore nga bashkësia e popullit shqiptar, i detyron të tjetërsohen nga gjendja që kanë sot.

Gjatë shek. XIX-të, kur në Ballkan u zhvilluan lëvizjet kombëtare të popujve këto grupe banorësh nuk zhvilluan lëvizjet e tyre kombëtare, nuk e shkruan gjuhën e tyre, nuk e mblodhën folklorin, nuk shpallën lidhje gjaku me asnjë komb të Ballkanit, nuk krijuan flamur e as hymn kombëtar, sepse e ndjenin veten shqiptarë pavarësisht se brenda shtëpive të tyre flisnin dialekte arkaike të gjuhëve të huaja (gollobordasit e Dibrës flisnin dialekt bullgar; goranët e Kukësit flisnin dialekt serb; aromunët/ vllehtë flisnin gjuhën “rëmëneshti” që nuk ishte dialekt i gjuhës rumune/ vllahe, por ishte një e folme që ka brenda saj dallime dialektore, trashëguar prej regjimenteve të ushtrisë romake që u vendosën për të mbrojtur Rrugën Egnatia e degët e saj e për të furnizuar atë ushtri me mish, bulmetra e prodhime leshi. Ciganët nga ana e tyre flisnin një dialekt të gjuhës së Kashmirit prej nga kishin ardhur shumë shekuj më parë. Kurse evgjitët/ jevgjit ishin asimiluar, ata kishin humbur veshjen karakteristike dhe gjuhën arabe që flisnin në Egjypt, prej nga i kishin sjellë ushtritë osmane si ustallarë të përpunimit të hekurit (kovaçë) dhe sazexhinj ahengjesh me def dhe cyrle. Asnjë nga këto grupe popullore deri në vitin 1992 nuk e shkruante gjuhën që fliste në familje. Në gjithë shtetet e Europës këto pakica kulturore shkollimin e merrnin në gjuhën zyrtare të shtetit ku jetonin. Kështu edhe në Shqipëri deri në vitin 1992 këto grupe kulturore shkollimin e kishin marrë në gjuhën shqipe, ashtu si arbërorët e Greqisë /avanitasit, megjithëse përbënin mbi 30% të popullsisë së Greqisë dhe kishin luajtur rol të rëndësishëm për çlirimin kombëtar të shtetit grek nga zgjedha turke, nuk njiheshin e nuk njihen si pakicë kombëtare edhe pse dialektin arbërisht/ arvanitika e patën shkruar me alfabet grek që në vitet 1878-1879 në revistën “I foni tis Alvanias“ (shqip: Zëri i Shqipërisë) prej Panajot Kupitorit, etj, dhe vijojnë ta shkruajnë ende tek revista “MPESA“ (BESA). Po kështu nuk u njohën si minoritet kombëtar shqiptar edhe arbëreshët e Italisë, të cilët u hodhën në Itali mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndonëse luajtën rol në luftën për bashkimin kombëtar të Italisë me Garibaldin dhe e shkruan gjuhën që nga shek. XVI-të me Lek Matrëngën dhe vijuan ta shkruanin me Jeronim De Radën, Gavril Darën, Zef Skiroin, etj dhe e shkruajnë edhe sot. Arbëreshët e Italisë sot kanë të drejtë t’i shkruajnë në dy gjuhë emrat e qytezave dhe të rrugëve brenda tyre në italisht dhe arbërisht, si komunitet kulturor arbëresh. Këtë rrugë që ka ndjekur Italia demokratike me arbëreshët shqiptarë, duhej të kishin ndjekur edhe deputetët e politikanët tanë me banorët e fshatrave të pakicave kulturore bullgare, serbe, aromune, cigane, etj, por jo t’i shpallnin pakica kombëtare.

Këta banorë të Shqipërisë duke mos e ndjerë veten pakicë kombëtare, si i shpalli qeveria shqiptare mbas vitit 1992, sot vrapojnë nëpër ambasadat e shteteve të ndryshme për të marrë pasaporta të ndryshme. Mjaft gollobërdas vijojnë të quhen shqiptarë, por shumë të tjerë kërkojnë të njihen për bullgarë, disa për maqedonë. Po ashtu ka mjaft aromunë/ vlleh që vijojnë të quhen shqiptarë, por ka dhe shumë të tjerë që kërkojnë të njihen për rumunë e disa për grekë e disa për italianë. Po ashtu disa banorë të anës perëndimore të liqenit të Prespës, pra të anës shqiptare, kërkojnë të njihen për maqedonë e disa për bullgarë; etj.

Duke e njohur në thellësi mentalitetin e popullit të zonës së Gollobordës studiuesi Terziu përqendrohet në shpalosjen dhe interpretimin e toponimeve dhe të traditave gojore të trashëguara nga prindërit dhe gjyshërit. Si zonë e banuar prej popullit shqiptar që së lashti (ilirëve, si e dëshmon ura romake mbi lumin Drin i Zi dhe rënojat e një kështjelle antike pranë fshatit Trebisht) shumë emra vendesh, janë vendosur gjatë historisë pasi ka ndodhur një ngjarje e shënuar, ose ka dhënë jetën një banor i shquar. E shumë nga këto ngjarje dhe nga këta persona të shquar i kanë përkitur botës arbërore, madje dhe vetë kënga popullore “Rosa rosit vo arbanoshka zemja (shqip: Vesa veson në tokën Arbërore”) tregon se popullsia e kësaj zone, ku ka ende dy fshatra në anën Perëndimore që flasin vetëm shqip, i ka rrënjët në botën arbërore-shqiptare. Këtë mendim e ka shprehur dhe studiuesi Agim Çadri, në studimin e tij (2014).

Terziu e vlerëson toponiminë (emrat e vendeve) si një dukuri që zgjon memorien. Memoriet stabilizojnë lidhjen midis individualizmave tanë dhe kolektivitetit tonë të së shkuarës. E shkuara ecën me ne, është gjithnjë mes nesh dhe e përcakton të sotmen tonë, rri pezull mbi heshtjet dhe shpejgon se si ne u bëmë vetvetja. Për të dhënë një interpretim sa më të thellë të toponimisë së asaj zone, studiuesi ka mbledhur e interpretuar të dhëna nga disa krijime folklorike, legjenda, rituale, botëkuptimi i banorëve, kujtime baballarësh dhe gjyshërish; të dhëna nga testamenti i Gjon Kastriotit, babait të Gjergj Kastiotit ku përmendet se ky princ shqiptar i dhuroi Manastirit të Hilandarit në Athos fshatrat Radostushë dhe Trebisht; Defteri Osman i vitit 1467, ku figurojnë gjithsej 48 fshatra në atë zonë, midis të cilave dhe disa fshatra me emra shqip si Shullani, Plepa, Fushë Studna, Manastireci, etj. Të gjitha këto të dhëna autori i ka kaluar në një sitë analizash logjike dhe arrin të japë për herë të parë interpretimin e kësaj dukurie për vendin dhe njerëzit me ndikime të shumanshme nga kulturat e pushtuesve dhe të banorvve ardhacakë.

Prania e disa gollave/ishujve me popullsi që flet një dialekt bullgar arkaik është dukuri ballkanike, të tilla si zona e Gollobordës, sqaron autori, ka dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Këta ishuj janë krijuar gjatë shekujve, kur mbi popullsinë vendase arbërore u vendos prej pushtuesve bullgarë gjatë shek. XI-XII (koha e Perandorisë Bullgare) një sasi familjesh bullgare me detyra të ndryshme, dhe pastaj mbi këtë përzierje gjatë shekujve pasardhës u mbivendosën dhe familje rëmëne (aromune), turke, jevgjish, shqiptarësh, etj, të cilat lanë gjurmë në gjuhë dhe në tradita të ndryshme gatimesh e profesionesh. Popullsia e Gollobordës, konkludon studiuesi Terziu, nuk ka qenë dhe nuk është e pastër si nga përbërja etnike dhe ajo gjuhësore, si e tillë ajo nuk mund të konsiderohet nga ana etnike pakicë kombëtare bullgare, sepse nuk është identike me popullin bullgar për shkak të nënshtresës arbërore dhe mbishtresave rëmëne, turke, jevge e shqiptare.

Fatmir Terziu ka të drejtë të mburret se kjo zonë ka pasur mësues të gjuhës shqipe që në vitin 1902, ka pasur delegatin e vet në Kongresin e Manastirit (1908) e mbi të gjitha gjaku i tij, Ali Kapllan Terziu, kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe bashkë me dy ustallarët e tjerë, Nuredinin dhe Hasanin, e shpunë flamurin në Gollobordë ku e ngritën te xhamia e fshatit Trebisht-Bala.

Analizat shkencore në mjaft faqe ua lenë vendin disa rrëfenjave tërheqëse dhe prekëse të krijuara prej poppullit të zonës, ku përmes ngjarjeve zbulohet pse i është vënë ky apo ai emër një vendi të caktuar. Të tilla janë “Vajtimi i kukumjaçkave”, “Guri i lotit”, “Tre lisat”, “Dardha e bekuar”, Zogu i jargavanit”, “Guri i Xhemos”, Ara Raven”, “Radec”, “Kodra e Shutecit”, “Krasta”, “Smilen”, “Kallogjeri”, Dragolicë”, “Turku i Bellovodës”, etj; të cilat nuk po i ritregoj për ta mbajtur gjallë kuriozitetin e lexuesve, me qëllim që ta blejnë e lexojnë librin.

Pasi ka sqaruar karakterin e gadishullit ballkanik si një urë lidhëse midis kulturave të Europës (përfaqësuar që herët nga iliro-arbërorët dhe grekët) dhe Azisë (përfaqësuar prej popujve sllavë dhe turq që erdhën gjatë Mesjetës e më vonë), autori ndalet tek zbërthimi i valles “Pajtushka”, të cilën e luajnë sot të gjithë popujt e Ballkanit. Kjo valle e luajtur prej një trupe artistike të Kosovës nën drejtimin e mjeshtres shqiptare Sevime Gashi, rrëmbeu zemrat e publikut në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Londrës. Kjo valle, shton autori, përmes artit ka bashkuar gjatë shekujve brezat e kombeve të ndryshëm. Ajo është luajtur prej personaliteteve të artit dhe politikës si Lord Bajroni, Princesha e Maleve Shqiptare Edith Durham, Sekretarja e ShBA-ve Madalenë Ollbrajt, Presidenti Bill Klinton, Kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Bler, etj. Për mendimin tim (Th. Gj.) shtrirja e kësaj valleje në mbarë popujt e Ballkanit, tregon se ajo e ka zanafillën tek fiset pellazgo-ilire, që banonin në mbarë gadishullin tonë. Vetë emri “Pajtushka” ka në rrënjën e vet kuptimin e fjalëve iliro-shqiptare “pajtoj, pajtues”.

E dhimshme është përmbajtja e këngës “Sedumdeset i dva dena“ (shqip: Shtatëdhjet e dy ditë), që këndohet në ceremoni dasmash me alternim të strofave në shqip e në gjuhën e përzierë të zonës. Kjo këngë është krijuar prej një anonimi, që mesa duket i ka përkitur kohës gjatë pushtimit osman në ato kohë në Gollobordë, përderisa vetëm aty këndohet. Sundimtari turk kishte vënë një rregull të pashkruar: “çdo nuse para se të flinte me burrin, duhej të flinte 72 ditë me sundimtarin, pastaj mund të kalonte tek shtëpia e bashkëshortit. Fëmija i parë, po të ishte djalë, kishte të drejtë trashëgimie nga pronat e sundimtarit”. Vargjet e fundit të kësaj kënga, që i këndon nusja, shpalosin mospajtimin e saj ndaj gjendjes poshtëruese e shkaktuar jo për faj të saj:

“Ka një plagë në zemrën time

Nuk është plagë nga sëmundja

Tashmë është plagë dhe pikëllimë

Merre pushkën dhe më vrit,

pastaj thuaj se s’të dua!”

Fakti që këtë këngë, ose variante të saj e këndojnë në disa zona edhe popuj të tjerë si malazestë, boshnjakët, hungarezët, serbët e bullgarët, do të thotë se këtë zakon poshtërues pushtuesi osman ua kishte imponuar jo vetëm banoreve të Gollobërdës, por edhe banorëve të tjerë të disa zonave të ndryshme të Perandorisë Osmane.

Me interes janë dhe studimet dhe incizimet që kanë bërë studiuesit bullgarë e rusë për folklorin e zonës së Gollobordës, përmendur himtësisht në këtë studim. Po ashtu interes paraqitin edhe materialet e sjella këtu prej arkivave britanike që nga koha e fundit e pushtimit turk dhe gjatë vitit 1914, ku pasqyrohen shkrime dhe fotografi mbi masakrat që kryen ushtarët serbë në fshatrat e Gollobordës.

Përveç analizave tërheqëse janë dhe shumë kuriozitete të këndshme që e bëjnë lexuesin të mos e lëshojë nga dota librin deri në fund. Mund të përmend këtu disa shënime të arkivave britanike ku sqarohet se babai i Musatafa Kemal Ataturkut, quhej Ali Riza Efendi, i cili ishte shqiptar nga fshati Pirush afër fshatit Steblevë të Dibrës jo shumë larg nga Librazhdi, që sot bën pjesë në zonën e Gollobordës. Kurse nëna e tij, Zyberja, ishte bijë e një familjeje korçare që jetonte në Selanik. Mustafa Kemali mbeti jetim nga babai që në moshën 7-vjeçe dhe u shkollua në gjuhën turke, prandaj e humbi gjuhën shqipe si gjuhë aktive.

Osmanisti Myqerem Janina, i cili kishte jetuar e ishte shkilluar gjithë jetën në Stamboll, në vitin 1945 shkoi në Shqipëri për të mbledhur taksat e pronave të veta, por u burgos prej regjimit komunist që kishte ardhur në pushtet. Mbasi kreu dënimin e parë ai punoi disa vjet si përkthyes i osmanishtes pranë Institutit të Historisë. Në atë kohë unë, autori i këtyre radhëve, punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që ishte në një godinë me Institutin e Historisë tek Rruga Naim Frashëri. Gjatë një pushimi kur po rrija në oborrin e përbashkët të këtyre dy instituteve, Myqerem Janina më tregoi se gjatë vitit 1938 i kishte bërë vizitë për t’i uruar shëndet Musatafa Kemal Ataturkut të sëmurë bashkë me një shokun e tij shqiptar, kushëri i Mustafa Kemalit. Kur ky kushëri i kishte thënë: “Lum ti Ataturk që e shpëtove popullin turk nga tregtarët grekë dhe e ktheve Turqinë në Republikë. Populli do të të dojë gjithë jetën.” Ataturku i ishte përgjigjur: “Nuk bëra gjënë më të rëndësishme: e lashë popullin turk në familjen e popujve të Azisë, duhej ta kisha pagëzuar në të krishter, që t’ia kisha ngjitur Europës”.

Unë që e dëgjova pas më shumë se 35 vjetësh këtë thënie të Mustafa Qemalit nuk e besova dhe i thashë Myqerem Janinës se ai ndoshta po shprehte një dëshirë të tij. Myqeremi u betua se nuk më gënjeu, por më riprodhoi shqip fjalët që Mustafa Kemal Ataturkut kishte thënë në turqisht i shtrirë në divanin e tij, ku pas disa muajsh dha shpirt. Myqeremi më sqaroi se ia kishte thënë edhe studiuesit Ferdinand Leka, por edhe ai kishte shprehur dyshim. Nuk e kundërshtova më tej, por, sot jam penduar që nuk i kërkova t’i shkruante kujtimet e jetës së tij e ta theksonte kete fakt. Nuk kaluan as tre vjet, Myqerem Janinën e arrestuan dhe e burgosën për të dytën herë, kësaj radhe “për agjitacion e propagandë” në moshën e thyer mbi 80-vjeçare. Kur ai vuante dënimin e dytë në burg, gjatë një takimi me Prof. F. Lekën e hapa bisedën për dëshminë e Myqeremit lidhur me idenë vizionare të Ataturkut dhe ai ma konfirmoi se ia kishte thënë dhe atij, por as unë as ai nuk bëmë gjë për ta popullarizuar këtë kujtim me vlerë…

Për nga rëndësia dhe gjerësia e shtrirjes së problemit studimi i F. Terziut hyn në radhën e studimeve shumëdimensionale që quhen studime jete, sepse kërkojnë përveç përgatitjes së gjerë profesionale dhe vite të shumta studimi, si dhe shtrirje në disa fusha. Duke menduar se autori do t’i kthehet këtij studimi për ta plotësuar edhe më i sugjeroj që në të ardhmen të kapë edhe fushën e onomastikës (emrat dhe mbiemrat) e banorëve, ku mund të gjenden dhe mjaft emra e mbiemra që kënë kuptim në gjuhën shqipe dhe turke si vetë mbiemri Terziu (rrobaqepës), Çadri, Drinziu, etj, që hasen aty këtu dhe në faqet e këtij studimi dhe që nuk kanë lidhje me gjuhën bullgare. Gjithashtu me interes mendoj se do të jetë sjellja këtu e disa bisedave me rrotulla, karakteristike për krahinën e Dibrës, që dëshmojnë për zgjuarësi e shqiptarisi të banorëve të atyre anëve, pra dhe të zonës së Gollobordës. Si zonë ku ka mbizotëruar zanati i muratorëve, mendoj se dhe ustallarët gollobordas duhet të kenë përdorur midis tyre një zhargon profesional, për të mos u marrë vesh prej të zotëve të shtëpive që ata ndërtonin. Në këtë zhargon profesional ka mundësi të ketë disa deformime kuptimore të disa fjalëve të gjuhës shqipe, turke e greke dhe asaj bullgare, dukuri që duhet studiuar dhe që po të mos bëhet sot, askush nuk mund ta bëjë në të ardhmen, sepse personat që mund ta dijnv këtë zhargon po rrallohen me shpejtësi…

Comment

*