Një studim i ri nxjerr përfundime të reja për origjinën e sllavëve dhe vendosjen e tyre në Ballkan

Zagreb, 3 shtator 2025 – Migrimi dhe përhapja e sllavëve u analizua gjatë punës katër vjeçare të më shumë se 30 shkencëtarëve, të cilët arritën në përfundime të habitshme. Rezultatet e hulumtimit sapo janë botuar në revistën Nature”, njërin nga botimet shkencore më prestigjioze dhe më të rëndësishme në botë. Gjurmët gjenetike të sllavëve kanë dhënë përgjigjen përfundimtare në pyetjen për atdheun e stërgjyshërve të sllavëve, shkruan transmetuesi publik i Kroacisë, HRT.

“Atdheu stërgjyshor i të gjithë sllavëve, përfshirë neve [kroatëve], ndodhet në zonën ku takohen tri vende të mëdha – Ukraina veriore, Bjellorusia jugore dhe Rusia perëndimore, rreth rrjedhës së sipërme të lumit Dnjepër”, shpjegon akademiku Mario Shlaus, këshilltar shkencor i përhershëm në Qendrën Antropologjike të Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve.

Sllavët u vendosën në Poloni, në Gjermaninë lindore dhe në Kroaci, por në përmasa të ndryshme me popullsinë vendëse.

Kroatët, thotë ai, mbërritën në Adriatik në gjysmën e dytë të shekullit të 7-të, megjithëse disa gjurmë mund të tregojnë vendbanime më të hershme.

“Ndryshe nga komunitetet tjera, gjatë migrimit, kroatët i kanë pranuar mirë të ardhurit, por edhe vendësit”, tha ai.

“Në Gjermani dhe në Poloni, 90 për qind e popullsisë u bë sllave papritmas. Situata me ne është e ndryshme. A është kjo sepse kaluam rrugën më të gjatë, a është sepse u vendosëm në një zonë që ishte ende pjesë e Perandorisë Romake, kurse ata nuk ishin, por ne, edhe gjatë atij rrugëtimi, i kemi pranuar me dëshirë në mesin tone të huajt. Këtë e kemi parë gjenetikisht. Dhe së dyti, sapo arrijmë në bregun lindor të Adriatikut, ne e mirëpresim popullsinë vendase”, thotë Shlaus.

Bazë për kërkimet e ardhshme

Studimi është rezultat i bashkëpunimit midis Qendrës Antropologjike të Akademisë Kroate të Shkencës dhe Artit, Muzeut Arkeologjik në Zarë dhe Institutit Max Planck.

“Kanë punuar bashkë shumë ekipe. Në terren, ato kanë marrë mostra në lokalitete arkeologjike që lidhen me sllavët, si para ashtu edhe pas ndryshimeve në shekullin e 6-të. Ato na kanë dërguar kocka dhe ne i kemi analizuar. Befasia më e madhe ishte se në gjithë zonën, njerëzit janë shumë të ngjashëm gjenetikisht, gjë që dëshmon ndryshim të madh të popullsisë në kontinent”, thotë Joscha Gretzinger, gjenetist nga Instituti Max Planck dhe autor kryesor i studimit.

Ky studim i parë gjithëpërfshirës i lidhur me migrimin madh të fundit – atë të sllavëve, tregoi shumë më shumë se sa prisnin studiuesit. Si i tillë, ai i hodhi themelet për hulumtimet e ardhshme mbi atë se si u përshtatën kroatët në atdheun e tyre të ri dhe me çfarë sfidash u përballën, transmeton Index.hr.

(r.m.)