Një testament për ortopedinë shkencore shqiptare, themeluesin, dhe heronjtë e saj

Një vështrim mbi librin “Prof. Dr. Panajot Boga – themelues dhe figurë qendrore e ortopedisë shkencore shqiptare”, të autorit Prof. Dr Ilia Mazniku

Nga Ruben Avxhiu

Krahasuar me disa degë të tjera në “familjen e madhe të kirurgjisë”, ortopedia dhe traumatologjia u zhvilluan relativisht pak më vonë në Shqipëri, por shpejt fituan nivelin profesionist dhe respektin popullor që meritonin.

Rolin kyç në historinë e zhvillimit të këtyre specialiteteve e ka luajtur një nga personalitetet e shquara të mjekësisë shqiptare Prof. Dr. Panajot Boga.

Jeta dhe puna e tij e jashtëzakonshme janë tema të një libri të botuar këtë vit nga shtëpia e mirënjohur botuese “Toena”, me titullin “Prof. Dr. Panajot Boga – themelues dhe figurë qendrore e ortopedisë shkencore shqiptare”.

Autori i librit është Prof. Dr. Ilia Mazniku, i cili gjithashtu ka qenë një nga kirurgët më të shquar të ortopedisë në Shqipëri, dhe e ka njohur, si pak të tjerë, nga afër, Prof. Dr. Bogën, fillimisht si student i tij e pastaj si koleg, bashkëpunëtor e mik i ngushtë. Bashkëpunimi mes tyre në kuadrin e grupit të përkushtuar e energjik të ortopedisë shqiptare shtrihet në disa dekada dhe numëron me mijëra e mijëra operacione të cilat kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe kanë përmirësuar thelbësisht cilësinë e jetës dhe shëndetin e dhjetëra mijëra të tjerëve në mbarë vendin e kombin shqiptar.

Të dy këta mjekë e kirurgë të nderuar nuk arritën ta shihnin daljen në dritë të këtij libri. (Prof. Dr. Boga vdiq në 7 qershor 2020, kurse Prof. Dr. Ilia Mazniku, në 9 maj 2023) mirëpo përmbajtja e tij do të çimentojë në vite për brezat e sotshëm e të ardhshëm kujtimin dhe kontributin e një aradhe të çmuar kirurgësh, mjekësh ortopedë, specialistësh, anestezishtësh, infermieresh, instrumentistësh, artistësh e mjeshtërish të punimeve në allçi apo gips, e profesionistësh e punonjësish të tjerë të atij ekipi të jashtëzakonshëm që me në krye Prof. Dr. Panajot Bogën e ngritën ortopedinë shkencore e traumën lokomotore në nivelin e një aseti të vërtetë kombëtar.

Libri përveçse përshkruan rrugën e jetës së Profesor Bogës dhe ecurinë e ortopedisë shqiptare në baza shkencore, përshkruan atmosferën e punës, zhvillimin e metodave dhe aspektet e punës së ekipit, është i pasur edhe me analiza rastesh konkrete mjekësore, me probleme reale e zgjidhje të ofruara për to. Në këtë kuptim, libri do të mbetet një manual i vyer për profesionistët e sotëm dhe të ardhshëm. Më së paku si libër nuk duhet të mungojë në bibliotekën e çdo ortopedi ose çdo punonjësi të përfshirë apo të lidhur me ortopedinë. Në fakt, nga ai ka shumë për të mësuar e për të zgjeruar horizontin çdo njeri që merret apo jo me mjekësinë.

Veç meritave të përmbajtjes, libri nga Botimet Toena është gjithashtu një produkt shumë cilësor, shtypjen e të cilit e mundësoi Genc Boga, një prej djemve të mjekut të shquar.

Panajot Boga u lind në fshatin Stegopul në Lunxhëri të Gjirokastrës, në vitin 1932. Vinte nga një familje patriotike e me tradita, e cila e rriti e i dha bashkë me edukatën e parë edhe disiplinën e madhe të punës që tregoi gjatë gjithë jetës.

Boga shkëlqeu në mësime në shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër dhe studioi në Fakultetin e Mjekësisë, në vitet 1953-1958, përpara se të kryhej inkorporimi dhe themelimi i Universitetit të Tiranës.

Dr. Boga ishte prodhim krenar i Fakultetit të ri shqiptar të Mjekësisë dhe u kthye vetë në një kontribues të shkollës dhe akademisë shqiptare. Duke mos patur patur privilegjin e shumë prej emrave të mëdhenj në mjekësinë e kohës të cilët erdhën të diplomuar nga shkolla mjekësore me emër nga jashtë vendit, ai u bë një shembull i triumfit të bazuar tërësisht në punën e palodhur dhe këmbënguljen e paepur.

Përpara themelimit të ortopedisë shkencore, ashtu si në shumë fusha të mjekësisë, nevojat e pacientëve përmbusheshin tradicionalisht nga mjeku popullor. Në traditën shqiptare spikat figura e shquar, e njohur nga populli si Ceni. Rastet e ndërhyrjeve kirugjikale, në mjediset klinike, patën filluar për ortopedinë që në kohën e mbretërisë, nga pionerë të kirurgjisë shqiptare si dr. Osman Jonuzi, prof. Filip Shiroka e shumë të tjerë. Por përpjekjet për hapjen formale të një Shërbimi të Ortopedisë fillojnë me ardhjen nga Bashkimi Sovietik të mjekut të shquar Fadil Spahiu. Bashkëpunëtor kryesor i tij shumë shpejt u bë mjeku i ri Panajot Boga. Kur dr. Spahiu vendosi të përqendrohet te onkologjia, fillon për dr. Bogën rruga e themelimit të një Shërbimi të Ortopedisë, ku do të ngrinte një ekip mjekësh e profesionistësh model për gjithë Shqipërinë.

Duke qenë edhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë, ai do të njihte dhe praktikisht përzgjidhte personalisht pothuajse të gjithë bashkëpunëtorët e tij të afërt. Këta u rritën profesionalisht nga studentë, në stazhistë, e më pas në asistentë e kirurgë të vërtetë – një udhëtim ky, profesional e akademik, të cilin e përshkruan dhe e vlerëson lart një prej tyre, autori i librit kushtuar Panajot Bogës, Prof. Dr. Ilia Mazniku.

Vendosja e ortopedisë dhe traumës në baza shkencore, përqafimi dhe zhvillimi i teknikave moderne të kirurgjisë, unifikimi i punishtes së gipsit, përmirësimi pa ndalim i të gjitha hallkave të procesit të ndërhyrjes kirurgjikale duke nisur nga pastrimi i rregullt, kalendarik dhe i thellë, për të shmangur infeksionet, bënte që çdo punonjës e anëtar i Shërbimit pavarësisht nga niveli të bëhej pjesëmarrës aktiv me përgjegjësi dhe përkushtim për rezultatin e punës.

Prof. Dr. Panajot Boga

Prof. Dr. Boga përveçse një mjek, kirurg, e studjues i shquar del në pah në këtë libër edhe si një udhëheqës vizionar dhe këmbëngulës. Ai jo vetëm formon dhe nxit përparimin e kolegëve dhe vartësve por ushtron presion të pandalshëm me energji dhe kreativitet të jashtëzakonshëm për të detyruar autoritetet shtetërore që të sigurojnë kushte gjithnjë e më të mira për Shërbimin e Ortopedisë. Për më tepër, dëshmon talent në sallën e operacionit por edhe në përballimin e rrethanave politike gjatë dhe pas rënies së regjimit.

Të paktën shtatë kirurgë ortopedë në Klinikën e ortopedisë dhe traumologjisë mbrojtën dizertacione e morën grada: Dr. Pëllumb Karagjozi, Dr. Ilia Mazniku, Dr. Eduard Gjika, Dr. Valdimir Gjata, Dr. Ismail Sulo, Dr. Gjergj Çaushi dhe Dr. Thoma Milori. “Trimi i mirë me shokë shumë”, e cilëson autori Mazniku në librin e tij stilin drejtues të profesor Bogës, në Klinikë. Me këtë frymë, jo vetëm që u ngrit një ekip qendror i Shërbimit të Ortopedisë dhe Traumës, por u krijuan edhe degë të tij nëpër Shqipëri.

Në dekadat e fundit kemi pasur Kongrese të Ortopedisë Shqiptare, ku figura të kirurgjisë me reputacion ndërkombëtar vijnë dhe paraqesin arritjet dhe metodat e tyre për kolegët shqiptarë ashtu si këta të fundit kanë marrë pjesë në sa e sa aktivitete ndërkombëtare ku kanë paraqitur punimet, kumtesat, përvojat e tyre profesionale. Transformimi në harkun e rreth gjysëmshekulli ka qenë historik. Kur e mendon se nga nisi, kushtet e fillimit, prezantimin e ndrojtur të disa metodave të kohës, përvojat e para, sukseset fillestare me veteranë, invalidë të luftës, me fëmijë që vuanin nga problemet e përhershme të luksacionit kongjenital-femoral, nga dekada në dekadë përparimi është i jashtëzakonshëm. Ky përparim vazhdon të japë fryte edhe sot e kësaj dite kur kolegët e Prof. Dr. Bogës vazhdojnë punën e nisur nga ai dhe ekipi i tij.

Libri përfshin kujtime edhe nga kolegë të shquar të Panajot Bogës, të cilët autori Mazniku i ka ftuar të kontribuojnë e u ka lënë me bujari hapësirë në libër që të shprehin vlerësimet e të ndajnë kujtimet e tyre personale. Pa e mbytur artikullin me emra, po përmend disa prej tyre: Prof. Hulusi Hako, pedagog i Filozofisë në Universitetin Bujqësor, shokë klase me Bogën në gjimnazin e Gjirokastrës; Prof. asoc. Dr. Vilson Ruci, kirurg ortoped, Nëndrejtor Teknik, i Spitalit të Traumës; Dr. Sh. M. Luan Greva, kirurg ortoped, Spitali Qendror i Ushtrisë; Dr. Bashkim Habibi, kirurg ortoped, Spitali Rajonal Durrës; Dr. Murat Kaçi, kirurg ortoped, Spitali rural “Omer Nishani”, Gjirokastër etj.

Në libër përshkruhet krijimi i qendrës kirurgjikale-rehabilituese në Plepa-Durrës për trajtimin e luksacionit kongjenital kokso-femoral. Mijëra familje me fëmijë të lindur me probleme që normalisht do të mbeteshin me kufizime e probleme fizike gjithë jetën gjetën shpëtim e zgjidhje në këtë qendër. Po ashtu shumë metoda e teknika të përdorura në vite e që vlejnë edhe sot për kolegët e tij që duan të dijnë e mësojnë më shumë prezantohen e përshkruhen me detaje e bujari nga Prof. Dr. Mazniku që ka punuar me shpirt e me dashuri për këtë libër.

Në vitin 2012, Shërbimi Universitar Spitalor Ortopedi-Traumatologji mori emrin “Panajot Boga”. Një vlerësim i rrallë për një personalitet që ishte ende gjallë e që pasqyron mirënjohjen e madhe të kolegëve dhe pasardhësve të profesionit që tani ecin në rrugën e hapur prej tij.

Gjirokastra e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” kurse Kuvendi i Shqipërisë me “Çmimin e Republikës së Shkallës së Dytë” si dhe me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kur u nda nga jeta folën për të të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit.

Në këmbë, “Çunat e Ortopedisë”, nga e majta: d.sh Lutfi Balili, sr. Bardhyl Guçe, prof. dr. Eduard Gjika, prof. asoc. Vilson Ruci, prof. dr. Pëllumb Karagjozi, dr. Harun Iliazi, prof. dr. Panajot Boga, prof. dr. Ilia Mazniku, dhe dr. sh Agim Kolasi.

Libri që na la pas, Prof. Dr. Ilia Mazniku është një testament i madh jo vetëm i punës, jetës dhe figurës së Prof. Dr. Panajot Bogës, por edhe i mbarë Shërbimit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i mjekëve dhe kirurgëve shqiptarë të cilët përgjatë shekullit të parë të pavarësisë shqiptare bënë një revolucion të vërtetë, pavarësisht prej prapambetjes nga ku filluan, pavarësisht nga regjimet politike, me kufizimet dhe brutalitetin që imponuan, nga çoroditjet e ndërrimit të epokave, e pengesave të panumërta ekonomike, kulturore, shoqërore e njerëzore. Trashëgimia që ata lanë pas është me të vërtetë një monument dijesh, praktikash, profesionistësh e mjedisesh pune për t’u admiruar. Për këtë figurat si Prof. Dr. Panajot Boga, Prof. Dr. Ilia Mazniku e kolegët e tyre nuk do të harrohen kurrë e do të jenë gjithmonë të gjallë.