Një Urdhër Ekzekutiv mbi nënshtetësinë amerikane nga lindja: çfarë duhet të dini

Avokati Kieran Both

Më 20 janar 2025, Presidenti Donald Trump nxori një Urdhër Ekzekutiv lidhur me të drejtën e marrjes së nënshtetësisëamerikane nga lindja. Ky urdhër synon të pengojë fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara të bëhen nënshtetas amerikanë nëse prindërit e tyre janë emigrantë pa dokumente ose kanë status të përkohshëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Marrja automatike e nënshtetësisë për këdo që lind në territorin e Shteteve të Bashkuara ka qenë e garantuar me ligj që prej më shumë se 100 vjetësh dhe mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës. Gjykatat federale e bllokuan menjëherë urdhrin si antikushtetues. Gjyqtarët vendosën se vetëm një amendament kushtetues ose një rinterpretim nga Gjykata e Lartë mund të ndryshojë Klauzolën e Nënshtetësisë të Amendamentit të Katërmbëdhjetë.

Kritikët argumentojnë se nënshtetësia nga lindja nxit emigracionin e paligjshëm (“anchor babies”, një term i përdorur për fëmijët që pretendohet se përdoren për të lehtësuar qëndrimin e prindërve në SHBA) dhe rëndon shërbimet publike. Megjithatë, provat tregojnë të kundërtën: emigrantët pa dokumente zakonisht nuk janë në gjendje të fitojnë status të ligjshëm përmes fëmijëve të lindur në SHBA. Gjithashtu, studimet tregojnë se kontributi i vazhdueshëm që japin emigrantët duke paguar taksa është më i madh se përfitimet që ata marrin.

Ata që e mbështesin marrjen e nënshtetësisë nga lindja theksojnë se diçka e tillë parandalon krijimin e një “nënklase të trashëguar” duke shmangur kështu trajtimin ndryshe të emigracionit të ligjshëm nga ai i paligjshëm, siguron trajtim të barabartë dhe promovon integrimin. Gjithashtu, shmanget kaosi burokratik—kërkesa për të provuar statusin e prindërve për çdo lindje do të mbingarkonte sistemet shtetërore dhe do të krijonte fëmijë pa nënshtetësi, siç është vënë re në Republikën Domenikane.

Për shkak se nënshtetësia nga lindja është e sanksionuar në Kushtetutë, ka të ngjarë që ajo të mund të hiqet vetëm nëpërmjet: një amendamenti kushtetues, që kërkon dy të tretat e votave të Kongresit dhe tre të katërtat e shteteve, ose hedhjes poshtë të precedentit nga Gjykata e Lartë e SHBA-së—një lëvizje kjo e paprecedentë. Gjykata e Lartë, në çështjen Afroyim v. Rusk (1967), konfirmoi gjithashtu se, me përjashtim të procedurave të çnatyralizimit, nënshtetësianuk mund të hiqet përveç rasteve kur hiqet dorë vullnetarisht.

Kohët e fundit, Gjykata e Lartë e SHBA-së ka dëgjuar argumentet pro dhe kundër për një çështje që është thuajse e sigurt se do të çojë drejt një vendimi historik. Në thelb të saj është sfida që Presidenti Donald Trump i ka bërë një dispozite kushtetuese, e cila prej kohësh është interpretuar si dispozita që i garanton nënshtetësinë amerikane çdo fëmije të lindur në Shtetet e Bashkuara. Një vendim për këtë çështje pritet të merret nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut.

Kush mund të preket nga ky urdhër ekzekutiv?

Urdhri Ekzekutiv u lejon marrjen e nënshtetësisë nga lindja vetëm atyre fëmijëve që kanë të paktën njërin prind nënshtetas amerikan ose rezident të përhershëm të ligjshëm (LPR). Një kufizim i tillë do të ketë pasoja për shumë individë, përfshirë fëmijët, nëna e të cilëve “jeton në mënyrë të paligjshme” në SHBA, ndërsa babai nuk është as nënshtetas amerikan dhe as person me green card, si edhe fëmijët, nëna e të cilëve ka një status të përkohshëm të ligjshëm, ndërsa babai nuk është as nënshtetas amerikan dhe as person me green card. Mes personave me status të përkohshëm të ligjshëm përfshihen joemigrantët (vizitorë, studentë, punëtorë të përkohshëm, etj.), personat që kanë “parole”, përfituesit e TPS-së, ata që janë futur në Programin e Heqjes së Vizave, ata që përfitojnë nga “deferred action” (shtyrje e zbatimit të një vendimi jo të favorshëm), përfituesit e programit LIFE Act Family Unity, si dhe personat që kanë përfituar pezullim të largimit ose shtyrje të largimit sipas Konventës kundër Torturës etj.

Çfarë ndodh nëse urdhri ekzekutiv hyn në fuqi?

Nëse Urdhri Ekzekutiv shpallet i ligjshëm, afati kohor për zbatimin e tij mbetet i paqartë. Ka shumë çështje logjistike dhe administrative që ende nuk janë trajtuar nga Urdhri Ekzekutiv ose nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), mes të cilave mund të përmendim mënyrën se si do të provohet e drejta për nënshtetësi amerikane dhe cili do të ishte statusi i emigracionit të fëmijëve të prekur nga ky urdhër pas lindjes. Spitalet, qeveritë vendore, zyrat e gjendjes civile dhe Administrata e Sigurimeve Shoqërore do të duhet të ndryshojnë mënyrën dhe kohën kur lëshojnë dokumente për fëmijët e sapolindur.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com