“Një zë tepër individual muzikor”

Recension me pesë yje nga Revista Britanike Musical Opinion për albumin e ri të Thoma Simakut me solistë të Ensemble Intercontemporain

Pas reçensioneve të shkëlqyera në Londër dhe Bruksel – BBC Music Magazine dhe Crescendo Magazinenjë tjetër artikull me pesë yje është botuar në revistën prestigjoze britanike Musical Opinion (Dimër 2023; Nr. 1537).  Në qarkullim të pandërprerë që nga viti 1877, kjo është “revista e muzikës klasike me shërbimin më jetëgjatë në botë”. 

Kritiku i njohur Paul Conway është thellësisht i impresionuar me “muzikën e fuqishme elokuente” të Simakut dhe “performancat autoritare” të solistëve të Ensemble Intercontemporain të Paris-it, Jérôme Comte, Dimitri Vassilakis, Aurélien Gignoux dhe Clément Saunier.  Duke komentuar në detaje secilën nga pesë veprat që “shfrytëzojnë gamën ekspresive të një instrumenti të vetëm me një imagjinatë të mprehtë dhe ndjenjën e aventurës”, Paul Conway e përshkruan Soliloquy VIII për klarinetë si një “pjesë thellësisht elokuente, që shpesh hijshëm të çarmatos, ku virtuoziteti teknik vihet tërësisht në shërbim të ngrohtësisë dhe qartësisë së shprehjes muzikore.”

Në fund të artikullit, kritiku britanik shkruan: “Thoma Simaku ka një zë tepër individual muzikor dhe partiturat e tij të ndjeshme dhe krijuese të imponojnë vëmendjen dhe i shpërblejnë dëgjimet e përsëritura. I regjistruar dhe prodhuar në mënyrë të shkëlqyer, ky album i NMC rekomandohet me gjithë zemër.”