Një zyrtar i BDI-së plagoset në një sulm me armë në Kumanovë

Kumanovë, 7 tetor 2025 – Një person është plagosur të martën pasdite në një rrugë prapa ndërtesës së Komunës së Kumanovës. I plagosuri është dr. Zekirja Shaini, 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës, kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Likovë,

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se Shaini është qëlluar me armë zjarri në veturën e tij derisa ishte në lëvizje nga dy persona.

“Sot në orën 13.54 në SPB Kumanovë është denoncuar se në udhëkryqin mes rrugëve ‘Dimitrije Tucoviq’ me rrugën ’11 Oktomvri’ në Kumanovë, dy persona në lëvizje me armë zjarri kanë shtënë ndaj makinës “Golf” e drejtuar nga Z.Sh (43) nga fshati Sllupçan, komuna e Likovës, i cili është plagosur dhe më pas dërguar në spital”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Spitali i Komanovës tha se Shaini është jashtë rrezikut për jetën, por është dërguar për trajtim më të specializuar në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup.

“Në ora 14 erdhi personi me iniciale Z.SH., me katër plagë nga arma e zjarrit në pjesën e parakrahut të majtë dhe në gjurin të djathtë. Pas ndërmarrjes së masave te ne, të gjitha protokolleve për mjekim, është konstatuar se personi është jashtë rrezikut për jetë, megjithatë për shkak të plagëve që i ka, është dërguar në Klinikën e Traumatologjisë në Shkup, por sërish, jashtë rrezikut për jetë”, tha drejtor i spitalit të Kumanovës, Sasho Stoshevski.

Prokuroria Themelore në Kumanovë tha se një person është ndaluar lidhur me rastin, kurse autori i sumit është në kërkim.

“Dy prokurorë nga Zyra e Prokurorisë Themelore të Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po kryejnë hetimet. Gjurmët dhe të provat materiale po grumbullohen dhe më pas do të ekzaminohen. Një person është ndaluar lidhur me të shtënat, ndërkaq në kërkim është sulmuesi”, thuhet në njoftim.

Prokuroria tha se, sipas të dhënave fillestare, sulmi me armë ndaj Shainit nuk ka prapavijë politike.

“Të dhënat fillestare nuk tregojnë për motive politike pas incidentit të armatosur, por të gjitha rrethanat po verifikohen”, tha Prokuroria.

BDI-a tha se sulmi i armatosur ndaj Shainit është kryer nga dy persona të maskuar. Ajo u bëri thirrje institucioneve kompetente që sa më parë të identifikojnë autorin dhe ta nxjerrin para drejtësisë

“Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati”, tha BDI.

Ajo u bëri thirrje simpatizantëve të saj dhe të gjithë qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve të ndryshme.

Edhe Koalicioni VLEN e dënoi sulmin dhe bëri thirrje për qetësi.

“Ne si koalicion dënojmë çdo formë të dhunës dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e rastit. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, tha VLEN.

Ky subjekt politik bëri thirrje që ky rast të mos përdoret për qëllime politike.

“Apelojmë që organet e rendit të zbardhin sa më shpejt motivet dhe autorët e këtij akti, ndërsa bëjmë thirrje që raste të tilla të mos përdoren për qëllime politike”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

(r.m.)