Njëri nga të arrestuarit në veri të Kosovës do të mbrohet në liri

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Radosh Petroviq, i cili u arrestua më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjes ndërmjet serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, është liruar për t’u mbrojtur në liri.

Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) familjarët e tij, duke thënë se është paguar garancia.

Petroviq akuzohet nga Prokuroria e Kosovës se ka kryer veprat penale “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.

Në ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se Petroviq është liruar nga paraburgimi.

“Drejtësia fitoi, Radosh Petroviq është lënë në liri! Pse u paraburgos 26 ditë kur të gjithë e dinë se ai nuk ishte fajtor dhe për këtë ka prova?”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.

Ai shtoi se të gjithë serbët e arrestuar “duhet të lirohen”.

Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulmet ndaj KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

(REL)