NJERIU I NJERËZVE – ILIA MAZNIKU

Nga Ylli Pango

Ka ndrruar jetë një nga njerëzit që aq rrallë, gjithnjë e më rrallë, i gjejmë mbi këtë tokë. Është larguar njeriu që nuk ka lënë njeri pa ndihmuar, shëruar, kujdesur, inkurajuar. Nuk kam njohur deri më sot as këtu e as gjetkë, njeri si ai. Njeri për të cilin çdokush që e njohu a dëgjoi për të, foli veç mirë. Vetëm mirë. Kam sfiduar këdo që e ka njohur, sa kohë ish gjallë e po e bëj dhe sot. Të më gjejë qoftë edhe një që të mos flasë me admirim, respekt, dashuri, për të. Nuk po idealizoj. Nuk po flas për shenjt. As thjesht për njeri të afërt. Asnjera. Po flas për një njeri që mbi gjithshka ishte Njeri. Aq NjERI. Që nuk linte kërkënd pa ju gjendur për hall a për vuajtje. Njeri që besonte te njeriu dhe vetëm te e mira e tij. Që i ka dhënë njerëzve besim e dashuri pa fund. Por dhe që e kanë dashur, i kanë besuar e kanë marrë nga mirësitë e tij pa fund.

…Kaloi një fëmijëri jo të lehtë. Nuk patën prindërit as pasuri e as privilegje. Nuk kishin për luks, as për barqe. Nuk patēn as ai e as vëllezër e motra, përkëdheli nga fati. Ja hynë punës e nuk ju ndanë derisa ikën. Ai i arriti të gjitha vetë. Me aq dhunti sa i dha Zoti, e me energji, punë kolosale, të palodhur deri ditët e fundit të jetës. Fundi i jetës e kapi të angazhuar në katër punë.

…Në rini veç shkollës ja hyri dhe sportit e u bë kampion. Në atletike. Rekordmen në tre gara nga më të vështirat. Kampion e rekord-pa thyer për vite me rradhë.

Ja hyri mjekësisë. U bë mjek me duar të arta. Kirurg ortoped. Në spital e në shtëpi pacientësh. U rikthye në universitet edhe si pedagog e profesor i dashur nga të gjithë. Shkroi libra e tekste. Shkroi dhe për të tjerë njerëz tē punës. Mjekoi e shëroi pa fund të mirë e të ligj. E bënë drejtor spitali. Nuk dalloi kurrë nga ai i pari. Koleg e njeri. U bë baba i dhëmbshur i një djali Ervin e i një vajze Kledia që të rrallë i kanë shokët në punë e karakter. U bë gjysh i tre mbesave që i shpinte në shkollë, i ushqente e i mësonte si tē ishte nëna e tyre…U bë edhe stërgjysh po veç për pak më shumë se një muaj. Mandej u largua.

…Ishte burri i jetës i motrës time të vetme e të shtrenjtë Luljeta, që aq shumë ngjante me të. Që e ndoqi hap pas hapi e nuk ju nda sa mbylli sytë…

Ai ishte e do mbetet për jetë një emër i ndritur, një njeri zemërmadh e human. Një burim e rrezatim energjie i pashterrshëm kurrë. Doktor e profesor i vërtetë ILIA MAZNIKU.

……Iku i thjeshtë e pa zhurmë siç jetoi. Pa i rënë njeriu në qafë e pa munduar njeri me hallin e fundjetës së tij që e la të zgjaste fare pak. Nuk u shtri një ditë në shtrat lëngate. Nuk patën shumë kohë t’i rrinin mbi kokë, atij që ju ndenji mbi krye sa e sa njerezve. Iku kur nuk pritej të ikte. Iku kur i biri pothuaj e kandisi të shkonte ca kohë në Amerikë tek ai e të përkujdeseshin për të. Por me sa duket nuk qe bindur fare.Nuk ju nda këtij dheu…

……Mediat nuk patën vend e as kohë të shkruanin a flisnin dy fjalë për të. Për një shqiptar, mjek, profesor, drejtor, prind, Njeri të rrallê.

Mediat patën qenë si gjithnjë të zēna. Me vrasje e me presje. Me politikanë e me botox……Me rep e me bla bla…Zoti i ndjeftë…

……Nuk kam njohur e as nuk do kem më kohë të njoh si ai. Në njohshi a punofshi me ndonjë të tillë, quajeni veten me fat. Unë e pata atë fat. Gjysëm shekulli jetova me të në një familje, në njē shtēpi, në një vēllazëri. Nuk pata vëlla, por atë e pata vëlla të madh. Pati duar të mëdha të arta që çdo gjë që kapnin e ujdisnin për mrekulli. Gjithshka. Që nga mjete pune e deri kocka njerëzish. Ato duar më ngritën nga toka edhe mua kur i mbytur në gjak mezi mbrrita në spital me time motër të llahtarisur. Ai më ringjalli. Në ato krahë u mbështeta kur të tjerë më kthyen krahët. Ai u përkujdes për plagët e më hoqi copat e bombës nga mishi. Më ngjiti këmbën e dorën kur mu thyen. Më shëroi plagët e shpirtit e të trupit.

Ai i ndenji mbi kokë sime mëje vite me rradhë tek kalbej në krevat. …Ai u kujdes derisa i përcollëm në atë botë. Mëmë e tatë. I shkrova këto jo se i bëri thjesht vetëm për ne, si familjarë. Po se njëlloj i ka bërë për qindra të tjerë jo të një gjaku a familje. Se ai ishte për këdo. Për gjithë familjen e madhe njerëzore.

…Këto nuk janë metafora. Kanë ndodhur vërtet në trupin tim, në shpirtin tim. Në atë të nënës time. Në ato të qindra a ndofta mijra njerëzve të aksidentuar. Të sakatuar. Të plagosur. Të mirë e të këqinj. Duke i parë mbi të gjitha si njerëz,pacientë. Qënie humane.

Prandaj shumë syresh mbetën e janë ende gjallë. Prandaj dhe unë e të tjerë jemi ende gjallë. Kishim atê.

…Kam shkruar pak kohë më parë në një libër, për mozaikun e jetës…Atë që ka vetja e çdo njeriu me gjithë ata që jeton e që ka përeth. Mozaiku i jetës. Kur bien gur të këtij mozaiku, rreth gurit tënd, fillon e plasaritet e dalngadalë prishet i gjithë mozaiku. Bie së fundmi dhe guri yt. Jeta jote. …Ky që ra tani nga mozaiku i jetës time, qe ndër më të mëdhenjtë e më të çmuarit gurë që rrethonin jetën time. (Natyrisht jo vetëm timen). Tani ndjehem i tëri i lëvizur nga vendi. Në mozaikun ku isha pjesë. Një e shtyrë e vogël më duhet të dal nga vendi e të bie dhe unë. Kam pasur disa rënie. Por edhe ngjitje sërish. Por pas kësaj…Nuk do më bëjë përshtypje…edhe të mos ngrihem më…

…Një gropë e madhe është hapur në shtëpinë tonë të përbashkët. Shtëpine që e ndërtuam në sajë të tij…Nuk besoj të mbyllet më…Ishte gur i madh, i rëndë, i çmuar Ilia.

…Nuk më mjaftojnë fjalët për të shkruar për të. As jeta. Ndofta duhet jetuar aq sa të jetë e shkruar, qoftë edhe për të shkruar deri në fund, pa fund, për të.

…Je i Zotit Ilia Mazniku. Njeriu me Nj-të madhe Ilia. Ilia si shenjt, si shpirt i madh, i paharruari Ilia.

Bekuar qoftë dita që të njohëm. Pas do na kesh. Ndofta do të takohemi diku, dikur, në ndonjë jetë, tjetër jetë