Nga Avokati Kieran Both

Ashtu si të gjithë ata që bëjnë udhëtime ndërkombëtare, edhe banorët e përhershëm të ligjshëm (LPR) — të njohur ndryshe si persona që kanë marrë green card — kur mbërrijnë në një aeroport ose në një pikë hyrjeje tokësore i nënshtrohen kontrollit nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së (CBP). Është e vërtetë që LPR-të kur kthehen në Shtetet e Bashkuara pas udhëtimit jashtë vendit gëzojnë më shumë të drejta sesa jo-emigrantët, por megjithatë ashtu si të gjithë jo-nënshtetasit edhe LPR-të po përballen këto kohë me rritje të kontrollit në kufi. Ky kontroll shtesë bëhet për shkak të problemeve të mëparshme me emigracionin, ndërveprimeve të mundshme me policinë dhe aktivitetit politik. Ndaj, është e rëndësishme që të njihni të drejtat tuaja përpara se të ktheheni në Shtetet e Bashkuara.
Dallimi mes banorit të përhershëm të ligjshëm që kthehet në SHBA dhe të huajit (alien) që nuk ka Green Card:
Si banor i përhershëm i ligjshëm (LPR), CBP-ja do t’ju kontrollojë për të vendosur nëse jeni një “LPR që kthehet” në SHBA apo një “i huaj (alien) që ka mbërritur” në SHBA. Nëse CBP-ja vendos që jeni një “LPR që kthehet,” procedura në kufi kryhet shpejt dhe ju lejohet të hyni në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, CBP-ja do t’ju konsiderojë “alien që ka mbërritur” në SHBA nëse pas kontrollit vendos se:
• Keni braktisur apo hequr dorë nga statusi i banorit të përhershëm të ligjshëm;
• Keni qëndruar jashtë SHBA-së për një periudhë të pandërprerë prej 180 ditësh;
• Kur jeni larguar nga SHBA-ja, jeni marrë me aktivitet të paligjshëm;
• Jeni larguar nga SHBA-ja gjatë kohës që ishit nën procedura largimi ose ekstradimi;
• Keni kryer disa vepra penale të caktuara, me përjashtim të rastit kur ju është aprovuar më parë një kërkesë për falje (waiver); ose
• Po mundoheni të hyni pa iu nënshtruar inspektimit në kufi.
Nëse dalin pyetje dhe CBP-ja nuk mund t’ju lejojë të hyni menjëherë në SHBA, ka të ngjarë t’ju dërgojnë në një zonë të veçantë për një “inspektim të dytë”. Dërgimi për një inspektim të dytë nuk do të thotë domosdoshmërisht se do t’ju hapen probleme, por mund t’ju duhet të qëndroni aty nga disa minuta deri në disa orë ose edhe më gjatë. Gjatë inspektimit të dytë, CBP-ja do të vendosë nëse duhet t’ju lejojë ose jo të hyni në Shtetet e Bashkuara. Gjatë inspektimit të dytë:
• CBP-ja mund t’ju bëjë pyetje, të kryejë kontrolle dhe të mbledhë të dhënat tuaja biografike dhe biometrike (si shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë);
• Telefoni, laptopi ose pajisje të tjera elektronike që keni me vete mund të kontrollohen dhe të mbahen përkohësisht. Pjesë e kontrollit mund të jetë dhe shqyrtimi i aktivitetit tuaj në rrjetet sociale. Në disa raste, pajisjet mund të mbahen dhe t’ju kthehen më vonë;
• Mund të kërkoni një faturë për pajisjet nëse jua mban CBP-ja.
• Mund t’ju ndalojnë në kufi nëse CBP-ja e shikon me shqetësim pranimin tuaj në SHBA.
Paralajmërim lidhur me Formularin I-407: Braktisja e Statusit të Banorit të Përhershëm të Ligjshëm (LPR)
CBP-ja mund t’ju kërkojë të nënshkruani Formularin I-407, Record of Abandonment of Lawful Permanent Resident Status (të Braktisjes së Statusit të Banorit të Përhershëm Ligjshëm). MOS e nënshkruani këtë formular pa u këshilluar më parë me një avokat. Formulari I-407 duhet të nënshkruhet vullnetarisht. Është e rëndësishme të dini se nuk mund të humbisni statusin tuaj LPR thjesht për arsye të kohës që keni qëndruar jashtë SHBA-së pa pasur më parë mundësinë që një gjykatës i emigracionit të shqyrtojë arsyet pse po presupozohet braktisja e statusit. Gjatë procedurave në gjykatë për largim nga SHBA-ja, pala e qeverisë duhet të vërtetojë me prova të qarta, të pakundërshtueshme dhe bindëse që bëhet fjalë për braktisje të statusit LPR. CBP-ja nuk mund ta bëjë diçka të tillë në kufi. Nëse refuzoni të nënshkruani Formularin I-407, CBP-ja duhet t’ju lëshojë një njoftim për të dalë përpara gjykatës së emigracionit (Notice to Appear). Nëse CBP-ja jua merr green card-ën, mund të kërkoni dëshmi të statusit tuaj nëpërmjet një vule në pasaportë. Nëse jua refuzojnë diçka të tillë, mund të caktoni një takim pranë USCIS-it për të kërkuar që t’ju vënë një vulë I-551 në pasaportë si provë e statusit që keni.
Nëse Ju Ndalojnë – Njihni të Drejtat Tuaja:
Nëse CBP-ja beson se nuk duhet t’ju lejojë të hyni në SHBA ose nëse ju vetë refuzoni të nënshkruani Formularin I-407, mund t’ju ndalojnë për një natë ose t’ju transferojnë në qeli emigracioni. Megjithatë, ju ende gëzoni të drejtat e mëposhtme: Keni të drejtën të kontaktoni konsullatën tuaj. Konsullata mund t’ju ndihmojë të kontaktoni një avokat ose një anëtar të familjes; mund të kërkoni të flisni me një avokat. CBP-ja mund t’ju pengojë lidhjen me avokatin, por ia vlen ta kërkoni diçka të tillë qoftë dhe për ta pasur të regjistruar si kërkesë; Keni të drejtën të mos flisni dhe të mos nënshkruani asnjë dokument pa marrë më parë këshillë ligjore, veçanërisht nëse vëreni gabime në dokumente ose nuk pajtoheni me përmbajtjen e tyre; Keni të drejtën të rishikoni të gjitha deklaratat me shkrim që përgatiten për ju, në një gjuhë që jeni në gjendje ta kuptoni; Keni të drejtën të kërkoni një përkthyes nëse nuk kuptoni plotësisht pyetjet që ju bëhen ose dokumentet që ju jepen. Mos nënshkruani asgjë që nuk e kuptoni.
Nëse CBP-ja pretendon se duhet të largoheni nga SHBA-ja, mos harroni që keni të drejtë të kërkoni seancë gjyqësore para një gjykatësi emigracioni. Mos hiqni dorë nga kjo e drejtë. Një gjykatës emigracioni — jo CBP-ja — duhet të vendosë nëse mund t’ju hiqet ose jo statusi i banorit të përhershëm të ligjshëm pra t’ju “merret “green card”-a.
CBP-ja mund t’ju pyesë për bindjet tuaja politike, shoqatat ku jeni anëtarë ose pjesëmarrjen në protesta. Nuk jeni të detyruar të jepni përgjigje për asnjë nga veprimtaritë që mbrohen nga Amendamenti i Parë. Mund të refuzoni t’u përgjigjeni pyetjeve të papërshtatshme.
Përpara se të udhëtoni
Duhet të konsultoheni me një avokat emigracioni para se të ndërmerrni një udhëtim nëse: keni një të kaluar penale — qoftë edhe për shkelje të vogla ose arrestime — ose një çështje penale pezull; keni aplikime pezull me USCIS-in ose gjykatën e emigracionit; keni shkelur më parë rregullat dhe ligjet e emigracionit ose keni patur ndërveprime të një natyre konfliktuale apo sfiduese me CBP-në; keni green card me kusht.
Kur të udhëtoni, mbani me vete të shkruar në një copë letër veç informacionin e kontaktit të avokatit tuaj dhe të konsullatës. Njoftoni familjen për planet tuaja të udhëtimit dhe kontaktojini kur avioni të zbresë në pistë. Nëse ndaloheni, përpiquni të kontaktoni një avokat ose të keni dikë që t’ju përfaqësojë. Në disa raste, mund të jetë e dobishme të keni me vete një Formular G-28 të nënshkruar nga avokati juaj i emigracionit.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com