Noel Malcolm dhe jehona e një kujtimi 25 vjeçar

Rafaela Prifti

Shfaqja e filmit dokumentar Mirënjohje për historianin e njohur britanik Sir Noel Malcolm në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork më solli në kujtesë takimin njëzet e pesë vjet më parë me autorin e librit Kosova – Një histori e shkurtër.

I nderuar me titullin fisnik Sir në vitin 2014 për kontributin e tij në fushën e studimeve, gazetarisë dhe historisë evropiane, ai është autor i dhjetëra monografive dhe botimeve shkencore. Në sajë të horizontit të gjerë akademik dhe njohjes së shumë gjuhëve të rajonit të Ballkanit, Malcolm ka punuar si gazetar dhe pastaj kolumnist për çështje politike në Daily Telegraph gjatë viteve ’80. Është diplomuar nga Cambridge University, ku nisi edhe karrierën e tij akademike. Sir Noel Malcolm është bashkëpunëtor i vjetër shkencor në All Souls College në Oksford (Oxford University) nga viti 2002.

Në sferën akademike emri i tij njihet si studiues i historisë së hershme të mendimit veçanërisht filozofisë së Thomas Hobbes (1588-1679) si edhe i marrëdhënieve midis Evropës Perëndimore dhe botës islamike në fillimet e periudhës moderne, por Malcolm hyri në botën e shqiptarëve dhe në bibliotekat e tyre me botimin e librit “Kosova: Një histori e shkurtër” nga New York University Press, 1998.

Ishte një botim me peshë të padiskutueshme si nga ana e përmbajtjes ashtu edhe e kohës së publikimit. Qartësimi i fakteve dhe të vërtetës historike të Kosovës përballë vorbullës me shkrime të pretendimeve serbe dhe shtrembërimeve pa baza të akademikëve filo serbë kishte veçanërisht rëndësi në vitin 1998 sepse i parapriu fillimit të luftës në Kosovë dhe, çka ishte vendimtare, rolit të faktorit ndërkombëtar në një kohë shumë kritike. Si rrallëkush, Malcolm gëzonte respektin e politikanëve, kishte aftësitë akademike dhe busullën personale për të sjellë historinë e Kosovës të ndarë nga mitet të cilat ishin kultivuar për shumë vite nga shërbëtorë të politikës.  

Tema e ndikimit të një libri dhe në përgjithësi një studimi në politikë mund të diskutohet nga shumë pikëpamje por është e qartë se dëmi i prurjeve nga historianë sharlatanë dhe në shërbim të politikës së ditës përbën një sfidë të vazhdueshme. Edhe sot diplomacia botërore formulohet nga interesat imediate, në pjesën më të madhe, dhe ndikohet nga pretendimet politike të ndërtuara mbi të ashtuquajturat arsyetime historike, prej nga bëhet edhe më i rëndësishëm verifikimi i tyre i drejtë, në shembullin e studimit të Kosovës nga hulumtuesi britanik.   

Si sot 25 vjet më parë, në 14 maj 1999, Noel Malcolm ishte në Nju Jork për prezantimin e librit të tij për Kosovën. Në takimin te Bruno Restaurant në Manhattan, babai im Naum Prifti, motra Julika biseduan me “një mik të ri” për historinë e shqiptarëve dhe qeshën me faktin se, nga ata, i vetmi që kishte qenë në Kosovë në atë kohë ishte Malcolm. Babai dhe motra shkuan për herë të parë në Kosovë në vitin 2002.

Shfaqja e dokumentarit përcjell jehonën e kohës kur u botua libri për Kosovën por tashmë në rrethana të tjera. Historiani Malcolm mban qëndrim kritik ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për sa i takon kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Një lojë e përsëritur e faktorit ndërkombëtar dhe kalkulimeve politike që luhaten nën trysninë serbe duke dhënë koncesione në kurriz të të vërtetave historike dhe Kosovës.