Nuk ishin “serbët e Kosovës”por Vuçiqi dhe veglat e tij

Nga Ruben Avxhiu

Municionet e gjetura nga Policia e Kosovës kishin edhe logo të KFOR-it, që mund të përdoreshin për synime manipulimi.

Një nga hipotezat e përsëritura shpesh është se grupi terrorist serb po përgatiste një sulm kundër pelegrinëve që po vizitonin manastirin ortodoks.

Nëse është e vërtetë, atëhere Policia e Kosovës ua dogji planin e tani po vijnë vërdallë për të gjetur se si duhet vepruar.

Deklarata e Presidentit Vuçiq dje në darkë ishte një bashkim copash nga fjalimi që mbase kishte përgatitur nëse sulmi terrorist do të kishte pasur sukses.

Sigurisht mund të jetë pasur edhe skenare të tjera veprimi. Ajo që ka më shumë rëndësi është që Vuçiqi të mos lejohet të krijojë distancë nga terroristët. E gjithë loja e tij diplomatike me ndërkombëtarët është që ta paraqesë veten si një njeri të balancuar e të arsyeshëm në një det nacionalistësh e ekstremistësh, të cilët ky mezi po i mban të lidhur.

Loja e vjetër e Millosheviqit që e paraqiste Sheshejlin si një tigër gati për të dalë nga kafazi, kur në fakt ishte një klloun që kërcente kur dhe sa donte diktatori.

Loja e Vuçiqit në Kosovë, ashtu si ajo e Putinit në Ukrainë kanë të njëjtën plan pune. Është një riinskenim me dramën e Kosovës të viteve 1990. E treguar thjesht, një popullsi e pafajshme shtypet kaq egërsisht sa që detyrohet për të marrë armët që të mbrojë veten. Pas kësaj fillon shfarosja e tyre, duke bërë që bota të ndërhyjë.

Putini gjithmonë ka besuar se kjo lojë nuk ka humbje. Ka vetëm fitore të madhe ose fitore të vogël.

Fitorja e madhe do të ishte që bota e mbështet ndërkohë që ky hyn në Ukrainë për të shpëtuar rusët lokalë ashtu si NATO hyri në Kosovë në 1999.

Fitorja e vogël është që nëse Rusia gabon që po hyn, po ashtu ka gabuar edhe NATO në 1999. Dmth as Perëndimi nuk ka moral, kështu që le të fitojë e drejta e më të fortit.

Vuçiqi ka nevojë për serbë të vrarë në Kosovë, ka nevojë për shtypje të pakicës serbe, ka nevojë për të krijuar një narrativë sadopak të ngjashme me Kosovën e viteve 1990.

Problemi është se serbët në Kosovë janë nga pakicat më të privilegjuara në botë. Me të drejtën për të vënë veto mbi ligje të rëndësishme të Kosovës. Me nivel të lartë vetqeverisjeje lokale. Nuk ka dashuri mes shqiptarëve dhe serbëve, por serbët po të duan mund të shkojnë te mjeku serb, te mësuesi serb, te prifti serb, te tregëtari serb. Ideale do të ishte njereëzit në Kosovë të ndaheshin në ata që kanë bërë krime dhe ata që nuk kanë bërë, por nuk jetojmë në botë ideale ndaj Kosova ka pranuar të respektojë ndjeshmëritë dhe paranojat e pakicës serbe.

Por kjo situatë nuk i shkon për shtat Vuçiqit, i cili ashtu si Millosheviqi në fund të viteve 1990 u ka ardhur serbëve në majë të hundës. Ata duan ndryshim në pushtet dhe Vuçiqi ashtu si ish-shefi i tij ka nevojë për një luftë që të largojë vëmendjen nga korrupsioni dhe padrejtësitë në Beograd. Ashtu si Putini me rusët etnikë edhe ai ka gjetur serbët e Kosovës që t’i përdorë si mish për top.

Për këto e shumë të tjera ai nuk duhet të lejohet që ta paraqesë veprimin terrorist të djeshëm si një prodhim i serbëve të Kosovës. Ata ishin njerëzit e tij, të drejtuar nga aparati i tij shtetëror, në një vend të cilin e sundon me dorë të hekurt e ku asgjë nuk bëhet më pa aprovimin e tij.

Mbeturinat e kolonëve serbë në Kosovë nuk krahasohen dot me Kosovën e viteve 1990. Kosova ishte një ish-njësi federative me histori dhe kufij të përcaktuar mirë, me një vullnet popullor të lirë e të qartë. Ishte i vetmi vend në Europë ku nuk kishte mbërritur demokracia, e ku shumica jetonte e segreguar nën një regjim të militarizuar. Ajo kohë nuk do të kthehet më dhe sa më shpejt që ndërkombëtarët do ta pranojnë të vërtetën për Vuçiqin, aq më shpejt Beogradi e serbët në Kosovë do të binden se ka vetëm një rrugë drejt paqes dhe sigurisë në Ballkan: njohja e pavarësisë së Kosovës.