Nuk ka qeveri “Konjufca”, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Prishtinë, 19 nëntor 2025 – Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, i mandatuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e qeverisë së re të vendit nuk i siguroi votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja Osmani tani duhet ta shpërbë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas Kushtetutës, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen më së largu 40 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit.

Glauk Konjufca ishte mandatari i dytë i LVV-së për formimin e qeverisë. Edhe mandatari i parë, Albin Kurti, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme, muajin e kaluar.

Konjufca e paraqiti para Kuvendit objektivat kryesore të qeverisë që do ta udhëhiqte ai. Ai tha se qeveria e tij, nëse do të zgjidhe, do t’i trajtonte me prioritet absolut buxhetin e shtetit, miratimin e Planit të Rritjes, miratimin e disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, ekzekutimin e pagave për punëtorët e transmetuesit publik dhe miratimin e buxhetit për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

Konjufca prezantoi para Kuvendit përbërjen e qeverisë që do ta udhëhiqte ai. Përbërja e kabinetit qeveritar që e propozoi ai ishte po ajo që e kishte propozuar Kurti, me përjashtim të ndërrimit të emrave të tij dhe të Kurtit. Në propozimin e Konjufcës ishte ai kryeministër, kurse Kurti ishte Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, derisa në propozimin e Kurtit ishte ai kryeministër ndërsa Konjufca ishte Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përbërja e kabinetit qeveritar të propozuar nga Konjufca në seancën e sotme parlamentare:

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari

Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall.

Konjufca u bëri thirrje deputetëve të Kuvenditt ë Kosovës që ta miratojnë përbërjen e qeverisë së tij për të shmangur zgjedhjet parlamentare në dhjetor e ndoshta edhe zgjedhjet e tjera të jashtëzakonshme në pranverë, nëse nuk arrihet një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ardfhshëm të vendit.

“Me këtë Qeveri e kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale. Do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë drejt në zgjedhje. Tash, nëse shkojmë në zgjedhje në dhjetor, kush do të na garantojë që do t’i shmangin ato edhe në mars?”, u shpreh ai.

Por, përbërja e qeverisë së propozuar nga ai i mori votat e vetëm 56 deputetëve. 53 deputetë votuan kundër dhe 4 deputetë abstenuan. Kundër Qeverisë “Konjufca” votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe Listës Serbe.

Më herët gjtë ditës, LVV-ja e thirri një tjetër seancë të Kuvendit për të miratuar katër projektligje të rëndësishme për vendin – përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare – por nuk pati vota të mjaftueshme. Deputetët e PDK-së, LDK-ë, AAK-së dhe Nismës e bojkotuan këtë seancë, të cilën e cilësuan si joligjore dhe jokushtetuese. Njëkohësisht, ato e fajësuan LVV-në për humbjen e mundshme të miliona eurove nga Plani i Rritjes I Bashkimit Evropian dhe nga fondet e huaja.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën. Ai u bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to. Por, sipas deklaratave të liderëve të partive opozitare – PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe – nuk mund të pritet vazhdimi i seancës, kështu që shpërbërja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme mbetet rrugë e vetme për zgjidfhjen e krizës politike dhe institucionale në të cilën është futur Kosova.

(r.m.)