Nuk ka rëndësi nga vjen….

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 Viti 2025 shënoi 80-vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për këto festime u angazhua edhe Orkestra Simfonike e OKB-së në New York, e cila interpretoi Simfoninë Nr. 9 të Beethoven-it. Kjo orkestër së bashku me instrumentistët dhe artistët me famë botërore, angazhohet në çdo përvjetor që përbëjnë ditë dhe ngjarje të rëndësishme për mbarë popujt e botës.

Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Gruas” 2025, në partneritet me “Zërat e Bashkuar për Paqe”, kjo orkestër prezantoi iniciativën për “Gratë Globale në Muzikë”, që çdo vit prezanton vepra muzikore nga kompozitore femra nga e gjithë bota për të çuar përpara barazinë gjinore.

Gjithashtu si ditë të rëndësishme, orkestra simfonike e OKB vlerëson edhe “Ditën  Ndërkombëtare të Miqësisë”, ku vetë OKB inkurajon qeveritë, organizatat dhe grupet e komunitetit që të mbajnë veprimtari, aktivitete dhe iniciativa që nxisin solidaritetin, mirëkuptimin dhe pajtimin reciprok.

Koncertin e rradhës kjo orkestër e mbajti në Carnegie Hall në New York, ku u ftua të performonte edhe violinistja shqiptare Merlin Tushe. Për Merlinin ishte vërtet një privilegj ftesa në këtë eveniment, si dhe të shkelte mbi atë skenë ku kanë performuar artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Emri i saj tashmë i është bashkangjitur listës së artistëve më të ndritur të muzikës klasike.

Jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për amerikanët, pjesëmarrja në institucione të larta të artit dhe kulturës amerikane përbën një eveniment të rëndësishëm e shumë sensacional. Gjatë bisedës me miq e shokë të saj, mori jo vetëm urimet e tyre por edhe në shenjë dashamirësie dëgjoi t’i thonin “ndihemi xhelozë” që je pjesë e këtij eventi të rrallë edhe për vetë amerikanët.

Rrugëtimin e saj akademik, Merlini e nisi në Universitetin La Sapienza në Romë. Me ardhjen në Amerikë, ajo përsëri vijoi studimet universitare. Duke pasur rezultate të shkëlqyera në studimet e saj gjatë viteve të Kolegjit, është pranuar në organizatën e gjenive të botës si dhe ftohet në Ceremonitë e Inaugurimit të Presidentëve në SHBA.

Me modestinë që e karakterizon ajo thotë se nuk është e para, sigurisht as e fundit ndër shqiptarë që kanë marrë pjesë e do të marrin në këto festime madhështore, por fati ia ka sjellë edhe asaj në derë që këtë ditë të jetë prezente mes personaliteteve të lartë të Amerikës, si politikanë, studentë të shkëlqyer, shkencëtarë, artistë, gazetarë, etj.

Zakonisht hyrje ekskluzive në këto lloj eventesh siç janë Inaugurimet Presidenciale, i rezervohen vetëm studentëve dhe të diplomuarve që falë rezultateve të tyre të larta dhe arritjeve të shkëlqyera akademike, si gjeni të botës rradhiten në 5%-shin e më të mirëve në Amerikë e mbarë rruzullin tokësor.

Është një pjesëmarrje me kritere selektive, prandaj edhe administrata amerikane ka si parim thithjen e trurit me nivel të lartë intelektual, dhe vlerësojnë sakrificën e individit dhe specifikat e tyre, studiojnë elementët nëpër universitete, kolegje, shkolla të mesme e fillore, e më pas përzgjedhin më të mirinëmirën e të mirëve, për t’i vlerësuar në të ardhmen.

Merlini gjithashtu ka studiuar edhe në një nga Universitetet më në zë të Parisit dhe është zotëruese e shtatë gjuhëve të huaja. Keqardhje për vendin tonë për largimin e trurit e Bravo për SHBA-të, që dinë të vlerësojnë inteligjencën e individit, duke i dhënë secilit atë që i takon. Shprehja e njohur amerikane “Nuk ka rëndësi nga vjen, por ku shkon e çfarë bën në të mirë të vetvetes e mbarë qytetërimit” i përshtatet shumë edhe Merlinit, e cilitdo që ka treguar veten, se adaptimi në tokën e re është një obligim që duhet realizuar me sukses. Pjesëmarrja e Merlinit në Ditën e Inaugurimit Presidencial në SHBA do të mbetet një eksperiencë e paharruar, si dhe realizim i vërtetë i ëndrrës amerikane.

Merlini me aftësitë e saj edukative jo vetëm që është shquar gjithmonë si një studente ekselente, por është dalluar edhe si një femër me virtyte të larta në familje, shoqëri e institucionin ku punon, të cilët herë pas here e kanë vlerësuar me Çmime e Mirënjohje të ndryshme.

Për të gjitha këto merita Merlini ështe vlerësuar me Tituj e çmime të dryshme nga Kryetari i Bashkisë në New York, Spitali Montefiore në New York, Senatorja Nathalia Fernandez, si dhe organizata të tjera jo qeveritare. Është edhe një muzikante e talentuar. Me violinën e saj që kur studionte në Liceun Artistik në Tiranë, ka marrë pjesë në shumë koncerte simfonike në Spanjë, Kosovë, por edhe në New York pranë Orkestrës Simfonike të Kolegjit Albert Einstein, ku edhe shumë shqiptarë kanë ndjekur nga afër koncertet e saj.

Duke u privuar nga lojrat fëminore, leksionet për violinë i ka filluar në Shtëpinë e Pionierëve në Tiranë (sot Pallati i Princ Lekës) qysh në moshën 3-vjeçare me violinisten e njohur Suzana Nehani Bezhani, e cila sot punon si pedagoge në Konservatorin e Bilkentit në Ankara. Gjatë viteve kur jetonte në Shqipëri, Suzana Nehani Bezhani ka qenë pedagoge në Akademinë e Arteve. Eshtë një nga emrat më me potencë të artit, kulturës dhe muzikës shqiptare. Ka qenë soliste dhe Spala (Violinë e Parë) pranë Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Si soliste, ka performuar jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato të huaja duke përfaqësuar me vlera të larta dhe dinjitet Shqipërinë.

Vlen për t’u përmendur fakti se gjatë viteve të diktaturës komuniste, violinistes Suzana Nehani Bezhani njerëz të ndryshëm i thanë: “Përse e trajton me kaq kujdes si violiniste këtë vajzë (për Merlinin) pasi ajo ka probleme të rënda politike në biografinë e saj dhe është pa perspektivë për të ardhmen si instrumentiste”.

Zysh Zana, si femër e guximshme dhe e palëkundur në qëndrimet e karakterin e saj, jo vetëm që nuk u ndikua nga ato fjalë dhe kurrë nuk kërkoi shpërblim, por së bashku me bashkëshortin e saj mjekun e njohur Edip Bezhani, nuk e larguan atë kohë vogëlushen Merlin edhe nga familja e tyre.

Përgjigjja e violinistes Bezhani ndaj ndërhyrjeve për biografinë e Merlinit ishte: “Ç’faj ka një fëmijë i vogël në këtë moshë që të privohet nga instrumenti i violinës për shkak biografie, se gjyshi i saj është i dënuar politik? Kjo është një vajzë e mbarë dhe tepër e talentuar. Besoj shumë në suksesin e saj si violiniste. Ajo do të jetë e ardhmja e violinës në Shqipëri.” Në përfundim të bisedës telefonike me artisten e madhe Bezhani, ndër të tjera ajo tha: “Dhe ishte vërtetë fatkeqësi, pasi njolla në biografi e ndoqi Merlinin edhe më pas. Studimet e larta mundi t’i vazhdojë më tej jashtë vendit, në Itali në La Sapienza, SHBA dhe Francë”.

Duke u kthyer pas, kur Merlini ishte nxënëse e klasës parë fillore në shkollën “Kongresi i Përmetit”, kohë kur nxënësit studionin edhe aty instrumentë muzikore. Megjithëse fitoi konkursin me pikët maksimale, që ishte e vetmja që konkuroi me disa pjesë të përgatitura në violinë, por duke qenë se për shkak biografie nëna e saj punonte pastruese me tre turne në Spitalin Pediatrik në Tiranë, si dhe gjyshi i burgosur politik, komisioni dhe drejtoria e shkollës refuzonin ta pranonin si nxënëse. Megjithëse shkolla “Kongresi i Përmetit” atë kohë nuk ishte Lice Artistik, por thjesht një shkollë publike, përsëri kërkonin që ta diskriminonin Merlinin, duke mos e pranuar aty si nxënëse për shkak të biografisë. Ishte këmbëngulja e violinistes Suzana Nehani Bexhani, që Merlini filloi studimet fillore në atë shkollë.

Ndërsa sot edhe pse kanë kaluar kaqe vite, Merlini thotë se ajo nuk ishte e vetmja në atë kohë të turbullt e të vështirë që kaloi populli ynë gjatë viteve të diktaturës komuniste, ku familja persekutohej në shtatë breza deri tek fëmija në djep. “Mos të harrojmë – vijon ajo -, helmimet dhe vdekjet që kanë ndodhur ndaj fëmijëve nëpër internime, si në Holokaustin Famëkeq të Tepelenës, etj. Apo edhe qindra divorce që kanë ndodhur atë periudhë për shkak të ‘luftës së klasave’, burgosjeve, pushkatimeve dhe internimit të nënës, babait apo të gjithë familjes”.

Çdo performancë e Merlinit ashtu si edhe koncerti i saj në Carnegie Hall, New York, në “Ditën Ndërkombëtare të Miqësisë” u ndoq edhe nga përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA dhe dashamirës të shumtë të muzikës klasike. Sot, nga kjo sallë, ajo përshëndet miqtë e shokët e saj kudo që ndodhen dhe i uron miqësi të përjetshme. “Ndihem vërtetë e privilegjuar – thotë ajo – që sot ndodhem pranë me shumë artistë, njerëz të njohur të muzikës dhe artit amerikan, pasi është ëndërr e çdo artisti të performojë sikur edhe një herë në këtë sallë prestigjoze.”

Në kuader edhe të anagzhimeve të saj sociale, Merlini njëherësh shkruan artikuj mbi jetën dhe arritjet e shqiptarëve në Amerikë, si dhe është veprimtare për të drejtat e grave dhe fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Orkestra Simfonike e Organizatë së Kombeve të Bashkuara në New York, e cila i ka rinovuar ftesën si violiniste Merlinit, së bashku me artistët operistikë dhe stafin organizativ është duke përgatitur një koncert madhështor me rastin e festave të fundvitit, ku do të interpretojnë artistë klasi e me famë botërore.

Comment

*