Nga Lutfi Dervishi

1. Nuk të pëlqen Partia Demokratike dhe numri 1? Shko voto, të paktën do të numërohesh si një nga ata që mendon se opozita nuk ka qeverisur mirë këto 12 vjet.
2. Nuk të pëlqen Lëvizja Bashkë dhe numri 2? Shko voto, ndoshta të bashkohet vota me ndonjë tjetër skeptik që ende mendon se PS është parti e majtë.
3. Nuk të pëlqen Atdheu dhe numri 3? Shko voto, ndoshta Atdheu të fal, por mos thuaj më: “të gjithë njëlloj janë”, se nuk janë.
4. Nuk beson te koalicioni Euro-Atlantik dhe ke kujtime të këqija nga numri 4? Shko voto, por mos qaj më se Berisha i ka marrë peng të gjithë demokratët.
5. Nuk mendon se Partia Socialiste duhet të qëndrojë 16 vite në pushtet dhe nuk të pëlqen numri 5? Shko voto, ndoshta nga aq shumë mandate, ky është i fundit.
6. Nuk beson te Nisma Shqipëria Bëhet dhe ngatërron numrin 6 me numrin 9, shko voto por mos thuaj më: na mbyten këta që kanë 30 vjet në politikë.
7. Nuk të mbush syrin Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe numri 7. Shko voto, por mos u hiq më si patriot i flaktë në Facebook.
8. Nuk ke dëgjuar për Aleancën Demokracia e Re dhe nr 8. Shko voto, por mos thuaj nesër se i kam parë të gjithë në TV. Nuk i ke parë.
9. Nuk bindesh për Djathtas për Zhvillim dhe numrin 9? Shko voto, por mos u qaj se të gjithë janë të majtë …
10. Nuk beson te Mundësia dhe numri 10? Shko voto, por mos thuaj të hënën se të gjithë politikanët bëhen të pasur duke vjedhur.
11. Nuk të bind programi Social Demokrat dhe numri 11? Shko voto, por mos u anko se vota nuk ka vlerë…
Nuk të pëlqen asnjë nga 11 alternativat? Shko voto! Bëje fletën e votimit të pavlefshme. Të paktën do ta kuptojnë që je gjallë dhe nuk ekziston vetëm në regjistrin e gjendjes civile.