Kjo ka ndodhur në një vend fshatarësh në Ballkanin kodrinor, një tog nxënësish është shuar të njëjtën ditë nga krimi mizor…
Po të jetonte edhe pak kohë, Desanka (Desanka Maksimoviq, poete serbe, përkth.) do të përjetonte sërish pushkatimin e nxënësve serbë, më tmerrësisht se sa ai që e kishin kryer ushtarët e Wehrmacht-it të Hitlerit, në Kragujevc, në vitin 1941. Nxënësit serbë nuk u pushkatuan nga okupatori, por nga serbët, nga shteti terrorist i Serbisë. Nga skuadra e vdekjes e Gestapo-së saj, nga UDB-ja e saj.
* * *
Ishte e hënë, 14 dhjetor 1998, pak minuta para mesnate. Nëpër rrugët e qytetit të Dukagjinit, Pejës, po patrullonin ushtarët e RFJ-së së atëhershme (Serbisë e Malit të Zi), forcat policore dhe parapolicore të Serbisë, JSO-së (Jedinica za Specijalne Operacije – Njësia për Operacione Speciale) së kolonelit të UDB-së, Milorad Ulemek, të njohur si “Legija”. Terroristët e maskuar hynë në kafenenë e nxënësve “Panda”, pranë shkollës së mesme “Sveti Sava”. Huh! – ulëritën dhe qëlluan me rafale, pastaj dolën me vrap në rrugë. Askush nga ushtria apo nga policia nuk i ndaloi. Sirenat e “Hummerit’ të JSO-së po ulërinin…
Në kafene, pranë tavolinave ku ishin ulur, ishin të shtrirë gjashtë nxënës serbë të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur…
UDB-ja dhe TV-Serbia njoftuan se vrasës ishin terroristët shqiptarë!
Së shpejti pasuan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, me qëllim që të ndërpritej katastrofa humanitare e shqiptarëve. Afro 800.000 shqiptarë u dëbuan në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, mijëra të tjerë u vranë, kurse mijëra hallexhinj duarthatë dhe fëmijë u hodhën në lumenj e liqene nëpër Serbi, në varrezat sekrete në poligonet e stërvitjes së policisë, në Beograd. Millosheviqi e humbi luftën me aleancën e NATO-s. Ai e nënshkroi kapitulimin dhe, me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbia, si shtet bandit, u dëbua nga Kosova, kurse Hitleri i saj vdiq në njësinë e paraburgimit në Hagë.
As më vonë, kur ra Millosheviqi, në “Serbinë demokratike”, askush nuk e hetoi rastin e vrasjes së nxënësve serbë në “Panda”. Edhe për pushtetin e ri vrasësit mbetën “terroristë të panjohur shqiptarë”.
Prindërit e nxënësve serbë të pushkatuar kërkonin kot në Beograd që të gjendeshin dhe të dënoheshin ata “terroristë të panjohur shqiptarë”. Askush nuk donte as t’i takonte.
Në kryeqytetin e “Serbisë demokratike”, në ekranet televizive dhe në faqet e reklamave të gazetave, atyre njerëzve të dëshpëruar u ngërdheshej ujku rrënqethës, simboli i JSO-së, skuadrës së vdekjes të UDB-së, e cila u nderua si “çlirimtare e Serbisë” më 5 tetor 2000, kur Slobodan Milosheviqi u rrëzua nga pushteti. Ndërkaq, qeveria e re, në çdo 14 dhjetor, e përkujtonte masakrën në “Panda” si krim të kryer nga “terroristët shqiptarë”.
* * *
Pesëmbëdhjetë vjet pas pushkatimit të nxënësve serbë në “Panda”, më 28 dhjetor 2013, krejt papritur, Aleksandar Vuçiq, asokohe zëvendëskryeministër i Qeverisë së Serbisë dhe koordinator i shërbimeve të sigurisë, në një fjalim televiziv për publikun, njoftoi se masakra në “Panda” nuk ishte kryer as nga shqiptarët e as nga shërbimet e huaja, dhe se Serbia do të tronditeJ kur do ta mësonte të vërtetën! Edhe si kryeministër edhe si president i Serbisë, ai do ta përsërisë këtë pretendim të tij, por emrat e terroristëve dhe të atyre që kishin urdhëruat të pushkatoheshin nxënësit serbë mbaheshin ende në errësirë, kurse prindërit e të vrarëve iu lutën kot kreut të shtetit që t’i takonte. Ai as nuk i takoi dhe as nuk e zbuloi të vërtetën tronditëse e të tmerrshme për krimin. Pse? Tash dhjetë vjet nuk ka përgjigje në këtë pyetje.
Ndoshta përgjigjen e mora unë, nga prokurori i shtetit.
* * *
Më 18 dhjetor 2019, nën kërcënimin me arrestim nga policia, u thirra të shkoja në “zyrën e hetimit për t’u marrë në pyetje për veprën penale të terrorizmit”!
Unë shkova. Intervista është e regjistruar me zë dhe figurë.
Prokurori më tha se Prokuroria e Shtetit po zhvillonte hetime kundër terroristëve të panjohur të UÇK-së terroriste shqiptare, për krimin në kafenenë “Panda”!
Ai e hapi një dosje me fotokopje të deklaratave e teksteve të mia për krimin në “Panda”. Më pyeti nga e dija se Slobodan Milosheviqi e kishte urdhëruar pushkatimin e nxënësve serbë, se shefi i UDB-së, Radomir Markoviq, e kishte zgjedhur JSO-në e Legias për të kryer krimin, se ajo skuadër e vdekjes i vrau shumë shqiptarë lojalë të Serbisë anembanë Kosovës dhe se likuidimet janë kryer me qëllim që ato t’i atribuoheshin guerilës shqiptare dhe që në Serbi të ndizeshin pasionet e urrejtjes, hakmarrjes së verbër dhe histerisë së luftës?
A është Aleksandar Vuçiqi një nga burimet e mia? – më pyeti prokurori. Çfarë më ka thënë për rastin “Panda”? A ma kishte treguar ndonjë provë dhe çfarë?
Përse po takohesha me prindërit e nxënësve të pushkatuar? Çfarë më kishin thënë ata mua dhe çfarë u kisha thënë unë atyre? A i kisha njoftuar për atë që kisha mësuar nga Aleksandar Vuçiqi? Përse këta njerëz po kërkonin të takoheshin me Vuçiqin?
* * *
Morbide dhe e frikshme! Po hetoheshim si armiku i shtetit – unë, prindërit e nxënësve serbë të pushkatuar, si edhe vetë kreu i shtetit – nga prokurori që nuk e fshehte fare se po e përfaqësonte dhe mbronte terrorizmin e Serbisë së Milosheviqit, skuadrat e banditëve të saj, oktapodin e KGB-së dhe UDB-së, të pacenuar dhe të pandëshkuar, por i torturuar çmendurisht nga cunami i putinofilisë.
Ai “shteti i thellë” i UDB-së vetëmsa u qetësua pak dhe kalimthi nga aksioni “Sablja“ (Aksioni policor pas vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjinxhiq, përkth.). Vetëm Radomir Markoviqi, Legija dhe disa terroristë të tjerë u dënuan për vrasjen e katërfishtë në Magjistralen e Ibrit, për hedhjen e Ivan Stamboliqit në gropën e gjallë të gëlqeres dhe për vrasjen e Zoran Gjinxhiqit. UDB-ja, ajo degë fanatike e KGB-së, u rimëkëmb shumë shpejt. “Sablja” u thye, kurse hetimet për dhjetëra, qindra e mijëra krime të UDB-së u ndërprenë.
Prokurorët e UDB-së e gjetën një emër për terroristët e UDB-së që i mbrojnë: Autorët N.N., Autorët e panjohur. Ata terroristë të “panjohur” i kanë pushkatuar nxënësit serbë në “Panda”, ministrin e Mbrojtjes Pavle Bullatoviq, gazetaren Dada Vujasinoviq, gjyqtarin Nebojsha Simeunoviq, Miodrag Nikoliqin, tre vëllezërit Bytyqi, Pexha Starçeviqin, Branivoje Milinoviqin, Nedelko Kosoviqin, Gjorgje Bozhoviqin, Branislav Matiqin, Zhika Petroviqin, Boshko Perosheviqin…
“Të panjohur” mbeten edhe vrasësit e Oliver Ivanoviqit, të gazetarit Milan Pantiq, të serbëve në veri të Kosovës, të Vladimir Cvijanit dhe…
Lista është shumë e gjatë. Edhe e qartë.
UDB-ja është vrasëse kudo që autori është “N. N.”.
* * *
Prokurori i shtetit që po hetonte rastin e pushkatimit të nxënësve serbë në “Panda”, ishte prokuror i përbindëshit të KGB-së dhe UDB-së, të cilin nuk mund ta kontrollonte e frenonte askush, prokuror që nuk e fsheh fuqinë e tij. Ajo Hydra i ka oficerët e saj të fuqishëm në elitën nacionale, pothuajse në të gjitha mediat, në sistemin e drejtësisë, në polici, në ushtri… Ajo e shkatërron gjithë pushtetin e shtetit, si myshku drurin. Janë shumëzuar si kërpudhat pas shiut stalinistët e Kremlinit dhe ortodoksët e zellshëm të mbikëqyrur nga jashtë, lëvizjet dhe shoqatat, por edhe klanet e reja të vrasësve dhe bandat që i kanë rrjepur viktimat – të gjitha në regji të UDB-së.
Në gjyqin e vrasësve të Slavko Çuruvisë, UDB-ja, si të thuash, në mënyrë banditeske u shkelën shteti dhe ligjet e tij. Vrasësit, të gjithë komandantë të UDB-së, u dënuan “të mbyllen” jo në burg, por në rrethin e tyre familjar!
Në televizionet me frekuenca nacionale kërkohet që ata që e kanë urdhëruar pushkatimin e nxënësve serbë në “Panda” të lirohen dhe të dekorohen si heronj kombëtarë!
Për herë të njëmijtë rezultojnë të vërteta fjalët e ish-shefit të Shërbimit të Sigurisë Serbe (UDB-së) Jovica Stanishiq, i cili thoshte se nuk ka as parti, as qeveri, as parlament, as president dhe as gjyqësor. Eksziton vetëm UDB-ja.
Autori është shkrimtar dhe politikan serb. Ky shkrim është publikuar në gazetën beogradase “Danas”. Ttitulli original i shkrimit: ”Vuk Drašković: Zašto sam saslušavan o slučaju ubistva mladića u kafiću Panda” (Vuk Drashkoviq: Përse u mora në pyetje për rastin e vrasjes së të rinjëve në kafenenë Panda).
Përktheu në shqip: Ramadan Muçolli