O’Brien, Escobar e Lajçak koordinojnë strategjitë për të shtyrë përpara dialogun Kosovë – Serbi

Uashington, 8 maj 2024 – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë takuar të mërkurën në Uashington, për të koordinuar strategjitë për avancimin e dialogut.

Z. O’Brien ka bërë të ditur se në këtë takim i kanë “koordinuar strategjitë” për të çuar përpara dialogun mes dy shteteve.

“Diskutime të rëndësishme me zëvendës-ndihmës sekretarin Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, sot. Koordinuam strategjitë për t’i çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA-ja fuqishëm mbështet dialogun si rrugë për marrëdhënie paqësore dhe produktive”, ka shkruar O’Brien në platformën X.

Edhe Lajçak ka shkruar se në takim është diskutuar rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbi, si edhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ai e ka cilësuar të shkëlqyeshëm bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Pata kënaqësinë të takoj Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Jim O’Brien dhe Zëvendës-ndihmës Sekretarin Escobar sot në Uashington, për të diskutuar për rrugën përpara të Dialogut dhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Lajçak.

(r.m.)

Comment

*