Shkup, 30 nëntor 2023 – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.
“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.
Ai ka theksuar se pavarësisht atyre shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.
“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien.
Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Në fjalën e hapjes së punimeve, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, si nikoqir i samitit, është përqendruar në sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.
“Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t’i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri dhe katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës”, ka thënë Kovaçevski, teksa ka vënë theksin te takimi gjatë së mërkurës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, David Cameron.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, në Ukrainë. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre, dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë”, ka thënë Kovaçevski.
Ai ka shtuar se agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar “me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda dhe shkatërruese duke konfirmuar padrejtësinë e saj”.
“Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.
(REL)