OBSH: Kostot e shërbimeve shëndetësore i çojnë shqiptarët drejt varfërisë

Tiranë, 22 nëntor 2022 – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në një analizë që i bëri sistemit shëndetësor përgjatë 2018-ës, nxori në dritë se kostot e mjekimit i çojnë buzë varfërisë 8% të familjeve shqiptare, ndërsa i rrënojnë ekonomikisht 12% të familjeve më të varfra.

Në vitin 2018, Shqipëria shpenzoi 275 dollarë amerikanë për frymë për kujdesin shëndetësor, më pak se gjysma e mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ka një mesatare mbi 500 dollarë. Kjo shumë është sa 1/5 e mesatares së vendeve të Balltikut dhe të Evropës Juglindore.

Në vitin 2018, shpenzimet e brendshme për shëndetin publik ishin 2.8 për qind e prodhimit bruto të Shqipërisë. Një nivel shumë më i ulët se mesatarja prej 5 % në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi mbështetja që jep shteti për frymë jo vetëm ëhstë shumë larg asaj që ka nevojë ky sistem, por është edhe më i vogël se kontributi që paguhet nga skema e sigurimeve shëndetësore.

Më konkretisht, në vitin 2020, shteti shqiptar shpenzoi vetëm 13.923 lekë për banor ose 113 euro. Këtu përfshihen shpenzimet për shërbimin parësor, spitalet bashkiake dhe rajonale, qendrat universitare dhe urgjenca.

Nga ana tjetër, një të punësuari me pagë mesatare 50 000 lekë në muaj, i mbahen në një vit 29 400 Lekë si pagesë e detyrueshme për Fondin e sigurimeve shëndetësore.

Pra, dy herë më shumë se sa paguan shteti për sistemin shëndetësor. Ky shpenzim në vitin 2010 ishte vetëm 8 447 lekë ose 61euro në vit për banor.

(Top Channel)