OBSH: Ndërhyrja e forcave izraelite në spitalin e Gazës është krejtësisht e papranueshme

Gjenevë, 15 nëntor 2023 – Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, e ka cilësuar si “krejtësisht të papranueshme” ndërhyrjen e forcave izraelite në spitalin “Al Shifa” në Gazë.

Ghebreyesus ka thënë se raportimet nga ndëhyrja e forcave izraelite në spital ishin “thellësisht shqetësuese”. Ai ka thënë se OBSH nuk ka informacion për gjendjen në spital.

“Ne e kemi humbur përsëri kontaktin me personelin shëndetësor të spitalit,” ka shkruar ai në platformën X.

“Tri ditët e fundit nuk ka asnjë përditësim për numrin e vdekjeve”, ka shtuar ai, duke theksuar se ndëhrja e forcave izraelite e bën më të vështirë vlerësimin e sistemit shëndetësor në Gaza.

Ghebreyesus ka thënë se para këtij konflikti në gjithë Gazën kishte 3,500 shtretër spitalorë, kurse tani janë vetëm rreth 1.400 sish.

(r.m.)