Prishtinë, 27 qershor 2026 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) vlerëson se prioritetet e paraqitura nga Qeveria në detyrë për çështjen e energjesë nuk e adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, për zvogëlimin e varësisë nga importet e energjisë dhe, rrjedhimisht, për fuqizimin e sigurisë së furnizimit me energji.
Të premten ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përsëritur se Kosova nuk është kundër gazit amerikan, por ka insistuar në gazifikimin e thëngjillit. Ajo ka thënë se, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse, Qeveria e ka parë si zgjidhje më të përshtatshme importimin e gazit të lëngëzuar përmes Vlorës, prodhimin e energjisë atje dhe transmetimin e energjisë në Kosovë, duke qenë se kjo nuk ka nevojë për investime shtesë.
OEAK, nëpërmjet një komunikate për publikun, tha Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë: të zhvillojë sa më shpejt kapacitetet e reja gjeneruese me bazë LNG për të adresuar nevojat afatshkurtra dhe afatmesme të sigurisë energjetike dhe, paralelisht, të vazhdojë vlerësimin e opsioneve afatgjata për shfrytëzimin e burimeve të saj vendore.
“Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në komunikatë.
OEAK thekson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.
“Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.
OEAK thekson se përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane është opsioni më ishpejtë dhe më i favorshëm ekonomikisht për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.
“Ndërtimi i interkoneksionit të gazit përmes Maqedonisë së Veriut është identifikuar, përmes studimeve të mbështetura nga Korpusi i Inxhinierëve i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC), si alternativa më e favorshme ekonomike për furnizimin e Kosovës me gaz natyror. Kapacitetet gjeneruese me bazë LNG janë ndër teknologjitë komercialisht të gatshme që mund të ndërtohen brenda një periudhe prej vetëm dy deri në tre vitesh. Për më tepër, projekte të tilla kanë mundësi dukshëm më të mëdha të financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare sesa ndërtimi i kapaciteteve të reja me bazë qymyri. Po aq e rëndësishme është të kuptohet se LNG-ja nuk është alternativë ndaj burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Përkundrazi, ajo është teknologjia që mundëson integrimin e një sasie shumë më të madhe të energjisë nga era dhe dielli, duke siguruar fleksibilitetin e nevojshëm për funksionimin e një sistemi modern elektroenergjetik”, thekson OEAK.
OEAK e konsideron ndërtimin e infrastrukturës për LNG edhe si komponentë kyçe të politikës së sigurisë dhe partneriteteve strategjike.
“Përtej aspektit ekonomik, këto vendime janë udhëhequr nga objektiva strategjike për diversifikimin e burimeve të furnizimit, zvogëlimin e varësisë nga një numër i kufizuar furnizuesish dhe forcimin e sigurisë kombëtare. Në realitetin e ri gjeopolitik, energjia nuk trajtohet më vetëm si mall tregtar, por si komponentë kyçe e politikës së sigurisë dhe i partneriteteve strategjike. Prandaj, Kosova nuk guxon të mbetet jashtë këtij transformimi”, thekson OAEK.
“Përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do t’i mundësonte vendit ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në afatin më të shkurtër të mundshëm, do të rriste ndjeshëm sigurinë energjetike, do të forconte konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës dhe do ta thellonte më tej partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e OEAK.
(r.m.)