OEAK kërkon heqjen e masave për importet nga Serbia

Prishtinë, 5 shtator 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të heqë masat për importet nga Serbia, pasi sipas kësaj organizate ekonomike, një vendim i tillë po prek edhe importet nga kompanitë në pronësi amerikane.

Më 15 qershor, pasi forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës, Qeveria në Prishtinë ndaloi pothuajse të gjitha importet nga Serbia. Policët më pas u liruan, por ekzekutivi kosovar mbajti në fuqi ndalesën për importet.

Sipas OEAK-ut, ky vendim ka bërë që importet nga kompanitë në pronësi amerikane të bien për më shumë se 39 për qind, krahasuar me vitin paraprak, duke shtuar se importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen “me një rritëm alarmues”.

“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikon në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”, u tha në një njoftim për media të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Doganat e Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë rënë importet nga Serbia. Sipas të dhënave, në qershor dhe korrik të këtij viti, vlera e importeve serbe ishte afër 20 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Radio Evropa e Lirë raportoi më 2 shtator se importet nga Serbia po zëvendësohen me mallra nga shtetet e tjera, kryesisht nga Maqedonia e Veriut.

OEAK tha se dhe në të kaluarën ka kundërshtuar barrierat tregtare nga Kosova për importet e shteteve fqinje.

“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht kryesor për integrimin euroatlantik të Kosovës. Masat aktuale, për fat të keq, janë në kundërshtim me thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët bëjnë thirrje për marrëdhënie harmonike rajonale. Prandaj, Oda Amerikane thekson se normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilaterale. Është një strategji thelbësore për çimentimin e stabilitetit rajonal dhe për të çuar përpara ambiciet e integrimit evropian”, u tha në njoftim.

Mesatarisht në vit, Kosova importon mallra nga vendet e ndryshme të botës në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton vlerën e më pak se 1 miliard eurove.

(REL)