OKB do të votojë për rezolutën që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Nju Jork, 22 mars 2024 – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë për një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, në të cilën thuhet se “një armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm” në luftën Izrael-Hamas në Gaza, është “i domosdoshëm” për të mbrojtur civilët dhe për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare, për më shumë se 2 milionë palestinezë të uritur.

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield, u shpreh optimiste se projektrezoluta e re, më e ashpër, do të miratohet të premten nga këshilli 15 anëtarësh.

Projektrezoluta që do të hidhet në votim, përcakton “domosdoshmërinë e një armëpushimi të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm”, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me lirimin e pengjeve të marra gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, gjë që ishte në projektin e mëparshëm. Por, rezoluta do të mbështes pa mëdyshje përpjekjet diplomatike “për të siguruar një armëpushim të tillë në lidhje me lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura”.

Zëvendës ambasadori rus në OKB-së Dmitry Polyansky, tha se Moska nuk do të jetë e kënaqur “me asgjë që nuk kërkon një armëpushim të menjëhershëm”, duke thënë se kjo është ajo për të cilën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po ushtron trysni dhe ajo që “të gjithë” e duan.

Këshilli i Sigurimit ka miratuar tashmë dy rezoluta mbi përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza, por asnjëra nuk bënte thirrje për një armëpushim.

Rusia dhe Kina i vunë veto një rezolute të hartuar nga Shtetet e Bashkuara në fund të tetorit, duke bërë thirrje për pushimin e luftimeve për të ofruar ndihma, për mbrojtjen e civilëve dhe për ndalimin e armatimit të Hamasit. Ato thanë se kjo nuk pasqyronte thirrjet globale për një armëpushim.

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, u vuri veton tri rezolutave që kërkonin një armëpushim, më e fundit një e tillë e mbështetur nga Arabët që mori votat e 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit.

Rezoluta do të hidhet në votim ndërsa shefi i diplomacisë amerikane Antony Blinken, ndodhet në misionin e tij të gjashtë urgjent në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas, duke diskutuar një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, si dhe skenarët për zhvillimet e pas luftës.

Nate Evans, zëdhënësi i Misionit amerikan në Kombet e Bashkuara, i cili njoftoi votimin e së premtes, tha se “kjo rezolutë është një mundësi që Këshilli të flasë me një zë për të mbështetur diplomacinë në terren dhe për t’i bërë trysni Hamasit të pranojë marrëveshjen”.

Militantët palestinezë vranë rreth 1200 veta në sulmin e befasishëm të 7 tetorit në jug të Izraelit, dhe rrëmbyen 250 persona të tjerë. Hamasi ende besohet se mban peng rreth 100 persona, si dhe trupat e 30 të tjerëve.

Në Gaza, ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se numri i të vrarëve ka arritur në afro 32,000. Ministria nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e të vrarëve.

Grupet ndërkombëtare të ndihmës paralajmëruan këtë javë se “uria është e afërt” në Gazën veriore, ku 70 për qind e banorëve po përjetojnë uri katastrofike.

Projektrezoluta amerikane shpreh “shqetësimin e thellë për kërcënimin e urisë dhe epidemive të shkaktuara nga konflikti, numrin e njerëzve të kequshqyer, dhe nivelet katastrofike të urisë në Gaza”.

Ajo thekson “nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmës humanitare për civilët në të gjithë Rripin e Gazës” dhe për të hequr të gjitha barrierat për dërgimin e ndihmës.

Izraeli përballet me trysni në rritje edhe nga aleatët e tij më të ngushtë për të përmirësuar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, për të hapur më shumë vendkalime tokësore dhe për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Por kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar për një sulm ushtarak në qytetin jugor të Rafahut, ku rreth 1.3 milionë palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar siguri. Kryeministri Netanyahu thotë se qyteti është një fortesë e Hamasit.

Në projektin përfundimtar amerikan është ndryshuar gjuha e projektit fillestar në të cilin thuhej se sulmi i Izraelit në Rafah “nuk duhet të vazhdojë në rrethanat aktuale”. Në vend të kësaj, në një paragraf hyrës, këshilli do të theksonte shqetësimin e tij se një ofensivë tokësore në Rafah “do të çonte në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme, mbase në vendet fqinje, dhe do të kishte ndikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale”.

Nëse miratohet projekti amerikan, për herë të parë një rezolutë e OKB-së, do të dënonte “të gjitha aktet e terrorizmit, përfshirë sulmet e udhëhequra nga Hamasi me 7 tetorit 2023, si dhe marrjen dhe vrasjen e pengjeve, vrasjen e civilëve dhe dhunën seksuale, përfshirë përdhunimet”.

(Zëri i Amerikës)