Olaf Scholz është optimist për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Berlin, 7 mars 2023 – Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se pret që marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet së shpejti.

Të martën, në berlin, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Scholz tha se propozimi franko-gjerman për Kosovën është “shumë i peshuar”.

“Me të vërtetë kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë e Francës dhe që gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Komisionit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, tha Scholz.

 “Kemi bërë përparime në krahasim me përpara”, tha Scholz, duke iu referuar edhe deklaratave publike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Kam një ndjesi të mirë se do të bëhet realitet ajo që deri tani nuk ka qenë e mundur”, shtoi ai.

Në fokus të takimit të Scholzit me Ramën ishte koordinimi për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri.  Scholz tha se takimi do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

“Është hera e parë që një konferencë e tillë zhvillohet në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Rama dhe se samiti do të trajtojë “bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe objektivat për t’u arritur më tutje”. Ai tha se ky samit “do të fuqizojë edhe më shumë bashkëpunimin në rajon”.

Scholz e vlerësoi faktin se Shqipëria tashmë i ka ratifikuar tri marrëveshjet e arritura në samitin e kaluar në Berlin: marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve me karta identiteti, marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave dhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të larta për profesione të caktuara, si për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Kancelari gjerman e vlerësoi Shqipërinë si “një partner të besueshëm” në skenën ndërkombëtare. Ai veçoi përgjegjësitë që ka marrë përsipër Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe si anëtare e NATO-s

Kancelari gjerman premtoi vazhdimin e mbështetjes së qeverisë së tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

(r.m.)