Prishtinë, 7 korrik 2025 – Policia e Kosovës njoftoi të hënën se, në një aksion të gjerë të zhvilluar në Prishtinë, janë arrestuar 34 persona të dyshuar veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.
Në njoftim thuhet se 8 prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje, kurse 28 të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia bëri të ditur se 15 lokale janë mbyllur për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave dhe janë iniciuar 25 raste penale që lidhen me vepra penale të ndryshme.
“15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunale, për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave. Janë iniciuar 25 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.
Policia njoftoi se gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe prova të rëndësishme për veprimtari të kundërligjshme.
“18 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtër, pajisje të laboratorit për kultivim, përpunim të substancave narkotike, para 5544.40 euro, 3 laptop, 2 printer për shtypje te tiketave, 3 aparate skenimi te tiketave, 16 telefona mobil të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se operacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25.04.2025, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të rajonit të Prishtinës.
Në njoftim thuhet se gjatë fazes së hetimeve se janë vëzhguar-verifikuar, 91 lokale të ndryshme, në 60 prej të cilave janë kryer kontrolle të detajuara.
Në Kosovë, lojërat e fatit janë ndaluar me ligj prej vitit 2019. Kjo ndalesë është bërë me iniciativë të Qeverisë atëhershme të Kosovës, pas disa vrasjeve dhe veprave tjera penela të kryera nëpër lokalet e bixhozit.
(r.m.)