Operacion ndërkombëtar kundër krimit kompjuterik, 4 të arrestuar në Shqipëri

Tiranë, 10 nëntor 2022 – Katër persona janë arrestuar ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim gjatë një operacioni ndërkombëtar të kryer në Shqipëri dhe në 9 shtete të tjera. Operacioni është iniciuar nga Spanja, në kuadër të ndjekjes së autorëve të mashtrimeve kompjuterike, me vlerë miliona euro.

Prokuroria e Posaçme njoftoi të enjten se e ka përfunduar operacionin ndërkombëtar të pagëzuar “FRIDA-REFOX”, me arrestimin e 4 personave dhe me shpalljen në kërkim të 6 të tjerëve që dyshohen si pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare të përshirë në mashtrimin kompjuterik me vlerë qindra milion euro dhe me mijëra viktima.

SPAK thotë se aksioni, i zhvilluar në 9 shtete u koordinua nga EuroJust me seli në Hagë, Holandë. Veç Shqipërisë dhe Spanjës që ishte nismëtare e hetimeve ndaj grupit, në operacion u përfshin edhe shtetet Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedonia e Veriut, Suedi dhe Ukraina.

Hetimet ndaj “Call Center”-ve në Shqipëri që ishin pjesë e kësaj strukture dhe që dyshohet se mashtronin nëpërmjet sistemeve kompjuterike, shtetas të huaj kryesisht spanjollë, filluan në vitin 2020. Ndërsa SPAK ka marrë disa letërporosi për disa subjekte në vitin 2021.

“Nga hetimi i përbashkët ka rezultuar se numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra-mijëra persona të cilët janë kryesisht shtetas të vendeve europiane”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë të dyshuarit i përkasin një rrjeti kriminal me emërtimin “OCG”, që dyshohet i përfshirë në mashtrim kompjuterik dhe sisteme trë përdorura për vjeljen e të ardhurave dhe kriptovalutave. “Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike (Call Center) në disa vende dhe qindra platforma në rrjet, për të kryer mashtrimet kompjuterike”, thuhet në njoftim ku bëhet me dije se në Shqipëri ishin tre “Call Center”, në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. “Grupi i strukturuar kriminal i mashtroi viktimat, duke fituar besimin e tyre në internet dhe duke ngritur profesionalisht qendra telefonike (Call Center), ose mënyra të tjera të të ashtuquajturës inxhinieri sociale. Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit të kontrolluara nga grupi i strukturuar kriminal, duke shkaktuar humbjen e shumave të mëdha të parave”, thuhet në njoftim.

SPAK sqaron se ishin arrestuar 4 persona në Shqipëri, dy prej të cilëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe 6 persona ishin shpallur në kërkim, tre prej të cilëve shpallur në kërkim ndërkombëtarë. Ndërkohë janë sekuestruar 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera digjitale dhe dokumente të shumta, portofole kriptovalutash me vlerë 15.000 dollarë dhe 90 mijë euro cash.

(Reporter.al)