Opozita e pret me skepticizëm ligjin e ri për sinjalizuesit

Tiranë, 15 dhjetor 2025 – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi dhe miratoi në parim të hënën projektligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, nismë e Këshillit të Ministrave.

Nisma, e njohur ndryshe dhe si ligji i “bilbilfryrësve” vjen gati një dekadë pas miratimit të ligjit në fuqi, i cili deri më sot nuk duket se ia ka dalë të ndërtojë një mekanizëm funksional të sinjalizimit për shkeljet ligjore dhe korruptive brenda administratës publike.

I konsideruar si një mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, ligji i referohet me termin “sinjalizues” punonjësve në sektorin publik dhe privat, të cilët kanë qasje në informacione dhe dijeni për shkelje ligjore, raste korruptive, etj., dhe ligji u ofron mekanizma për ta përçuar këtë informacion duke u ruajtur konfidencialitetin dhe duke ofruar mbrojtje nga hakmarrja.

Në ndryshim nga ligji ekzistues, nisma e re ofron mbrojtje nga hakmarrja dhe për “sinjalizuesit publikë” që zgjedhin të përdorin median për të bërë denoncimet e tyre.

Adea Pirdeni, ministre shteti për Administratën Publike dhe Luftën kudër Korrupsionit prezantoi nismën si një qasje e re që merr parasysh dhe mangësitë e ligjit në fuqi.

“Parashikon një arkitekturë të re ligjore me standarde dhe garanci për standardet e BE për mbrojtjen e sinjalizuesve,” tha ajo, ndërsa shtoi se ligji i ri “vendos mekanizmat mbrojtës kundër veprimeve hakmarrëse”.

Bilanci i ligjit në fuqi ka sjellë pak rezultate, sipas shifrave që solli Pirdeni, me vetëm 97 raste të sinjalizimit të jashtëm dhe me 56 raste sinjalizimi në institucione përkatëse.

Sipas ministres, ligji i ri është në përputhje të plotë me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian, zgjeron fushën e zbatimit publik, dhe garanton konfidencialitetin dhe mbrojtjen nga çdo veprim hakmarrës.

Por deputetët e opozitës të pranishëm në mbledhje e pritën me skepticizëm nismën e re të qeverisë dhe ngritën shqetësime për korrupsion të lartë në Administratën Publike.

Deputeti i PD-së, Saimir Koreshi madje e quajti nismën “qesharake”.

“Po i bëni kot,”  tha ai duke shtuar se “do të nxisni luftë spiunësh tek publiku dhe privati”.

“Sa kallëzime ka që nga 2016? Dhe sa masa janë marrë? Asnjë, zero,” iu drejtua ai ministres.

Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se mazhoranca ka dështuar të ndërtojë një sistem funksional sinjalizimi në gjithë këto vite në pushtet duke ngritur pikëpyetje mbi garancinë e ligjit të ri.

Sipas tij, qeveria nuk ka “moralin politik” për të sjellë ligje të tilla kur ka në kabinet një zv.kryeministre të pandehur ndaj së cilës ka prova të qarta korrupsioni.

“Na flisni për sukses në luftën kundër korrupsionit, kur raportet serioze ndërkombëtare na rendisin sërish ndër vendet më të korruptuara në Evropë dhe ndër më të këqijat në botë për ryshfet,” iu drejtua ai ministres.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se opozita po anatemon nismën dhe kjo krijon efektin e kundërt të qëllimeve të ligjit, që është nxitja e punonjësve të administratës që të denoncojnë korrupsionin.

“Shqetësimi duhet të jetë si ta bëjmë më të zbatueshëm në praktikë këtë ligj,” tha ai dhe jo të “të flitet me gjuhën e linçimit”.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim nismën vetëm me votat e mazhorancës.

Projektligji parashikon zgjerim të rrugëve të sinjalizimit, të cilat mund të bëhen në njësitë e posaçme të ngritura brenda institucioneve, direkt në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në mënyrë publike ose në organe të tjera përgjegjëse.

Dispozitat e reja po ashtu tentojnë të forcojnë mekanizmin mbrojtjes së sinjalizuesve duke zgjeruar mbrojtjen edhe për personat e lidhur me ta, për ndihmësin, çdo individ që mbështet procesin e sinjalizimit, si dhe për personat juridikë që sinjalizuesi zotëron, përfaqëson, punon ose ka një marrëdhënie biznesi me ta.

Të vetmet raste kur ligji nuk ka fuqi për mbrojtjen e denoncuesve janë ato që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, ruajtjen e sekretit profesional të avokatit,  konfidencialitetin e informacionit mjekësor,  konfidencialitetin e diskutimeve dhe të vendimeve të marra në dhomë këshillimi dhe ruajtjen e sekretit hetimor në procesin penal.

(Reporter)