Opozita e quan sulm ndaj rendit kushtetues përpjekjen për zgjedhjen e presidentit pa kuorum kushtetues

Prishtinë, 28 prill 2026 – Tri partitëe opozitare shqiptare në Kuvendin e Kosovës po e bojkotojnë procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit, për shkak të mungesës së një kandidati konsensual.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca ër Ardhmërinë e Kosovës (AAK) refuzojnë kategorikisht të marrin pjesë në seancën e kuvendit dhe të votojnë për cilindo kandidat që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje pa miratimin e tyre.

Të tria këto parti e akuzojnë kryetarin e Lëvizjes Vetëverndosje (LVV), Albin Kurti, se po bën çmos që të marrë nën kontroll edhe pozitën e presidentit të vendit, pavarësisht mungesës së kuorumit të përcaktuar me Kushtetutë për votim të vlefshëm.

Udhëheqësit e tyre e përdorin si argument për këto akuza votimin për dy kandidatet e fundit për president – Feride Rushtin e Hatixhe Hoxhën – me praninë e vetëm 64 deputetëve të sallë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur akt të rrezikshëm nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit pa pjesëmarrjen e 80 deputetëve në sallë. Ai ka thënë se kjo përbën shkelje flagrante të Kushtetutës, duke theksuar se përpjekja për zgjedhjen e presidentit në këtë mënyrë minon rendin demokratik. 

“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik. Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se nisja e procesit për zgjedhjen e presidentit pa pjesëmarrjen e shumicës në Kuvend rrezikon ta çojë vendin drejt “një anarkie politike”. 

“Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës”, ka thënë Hamza. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë këtë.

Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti po i tekalojnë, siç u shpreh “të gjithë kufijtë”.

“Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë, Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë”, ka thënë ajo.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se me votimin me më pak se 80 vota për president, siç kërkohet nga Kushtetuta për dy raundet e para, po teston “nëse mund të vendoset Republika e Kurtit”.

“Mbramë ishte testim, nëse ka mundësi të vendoset Republika e Kurtit e që nëse lejohet, të vendoset sistem paralel partiak për Gjyqësor e për çdo gjë që nuk e ka kap ende kopja e zbehtë e Xhaxhit. Jeni në Republikën e Kosovës edhe koha e xhaxhit është varrosur”, shkroi ajo në Facebook.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë krijuar një situatë e rrezikshme në Kosovë dhe ka bërë thirrje për ndërperjen e veprimeve që rrezikojnë rendin kushtetues në Kosovë. 

“Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kam pa në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksionet shtetërore dje kanë bë shkelje kushtetuese. Është një drejtim i rrezikshëm dhe u bëjë thirrje të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim”, tha Haradinaj.

Ai u bëri thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese dhe theksoi se zgjidhja e vetme në këtë situatë janë zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Ruajtja e pushtetit, mbajtja, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën, demokracinë, nëse shkojmë në këtë rrugë të rëndësishme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk mendojnë rrugë tjetër, pos t’i kthehemi popullit. I thërras vetëdijes së të gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese, këtij turpi. Nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, kësaj sjellje të rrezikshme, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëhen pjesë”, tha Haradinaj. 

(r.m.)

Comment

*