Kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u është drejtuar krerëve të partive parlamentare, duke kërkuar që të bien dakord që të shkurtohet në 10 ditë fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Përmes një video-mesazhi, Abdixhiku kërkoi që partitë politike ta bartin përballen politike “nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”.
“Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeroj ta ftojmë parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim, e të japim shembull të mirë për vendin, qytetarët tanë e secilin tjetër të përfshirë në këtë drejtim. Në fund, është shëndeti publik, jetët e njerëzve tanë, ajo që mban rëndësi. Shpresoj e pres përgjigje pozitive në këtë drejtim”, tha Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur kësaj kërkese të Abdixhikut, duke propozuar që fushata të shkurtohet në pesë ditë.
“Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, deri më tani kësaj kërkese të Abdixhikut nuk i është përgjigjur kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta dhe sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fushata zgjedhore zgjat 30 ditë.
Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar numër të madh të rasteve të vdekjeve dhe infektimeve nga koronavirusi. Vetëm gjatë të mërkurës, në vend janë regjistruar 22 raste të vdekjes dhe 1.894 raste me COVID-19./REL