Orav: Zgjedhja e Presidentit është çështje e Kosovës, BE nuk ndërhyn

Prishtinë, 21 mars 2026 – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit është një proces tërësisht i brendshëm dhe nuk i takon Bashkimit Evropian të ndërhyjë.

“Zgjedhja e presidentit apo presidentes suaj është zgjedhje e juaja… e parlamentarëve tuaj, të cilët, sipas Kushtetutës, duhet të votojnë dhe të propozojnë kandidatë”, ka thënë Orav për një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai ka theksuar se mungesa e konsensusit politik nuk mund të zgjidhet nga faktori ndërkombëtar.

“Nëse askush nuk propozon kandidat… nuk di çfarë të them, nuk di cilat janë pritjet nga ne në këtë rast”, është shprehur ai.

Orav ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka rol në përcaktimin e procesit apo të emrave për këtë pozitë.

“Ne nuk kemi qasje që t’u tregojmë se si ta zgjidhni Presidentin apo kënd ta zgjidhni”, ka thënë  ambasadori Orav.

Ai ka thënë se Kosova tashmë e ka arritur një nivel të mjaftueshëm të pjekurisë institucionale për të menaxhuar vetë procese të tilla.

“Kosova është mjaft e pjekur”, ka thënë ai.

Orav e ka cilësuar vitin e kaluar si “vit të humbur”, për shkak se Kosova nuk arriti t’i krijojë institucionet e reja të shtetit dhe ka shfaqur shpresën se kjo situatë nuk do të përsëritet dhe Kosova do të arrijë t’i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Shpresoj shumë që ky vit nuk do të jetë i njëjtë. Por, tashmë kanë kaluar tre muaj. Është mirë që Kuvendi ka arritur të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe pagesat e para mund të arrijnë. Por, tani ka afate të qarta kohore se kur duhet të realizohen disa reforma të caktuara. Ato janë deri në qershor dhe ka rrezik që Kosova t’i humbasë këto para. Dhe kjo nuk është në interes të Kosovës, nuk është në interes të qeverisë dhe as të opozitës apo të qytetarëve”, ka thënë ambasadori i Bashkimit Evropiann ë Kosovë, Aivo Orav.

(r.m.)