Organizatat humanitare: Gjendja humanitare në Gazë – katastrofike

Gaza, 19 tetor 2023 – Njëmbëdhjetë ditë bombardime ndaj Gazës, kanë shkatërruar gjerësisht shkolla e spitale si dhe kanë zhvendosur afro një milion njerëz. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Maxim Adams, agjencitë humanitare paralajmërojnë për mungesa të jashtëzakonshme të ilaçeve e pajisjeve mjekësore.

Si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka nisur një fushatë të bombardimeve të pandëprerje në Gaza, rajonn me popullsi shumë të dendur.

Tommaso Della Longa, zëdhënës i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, thotë se situata në Gaza është katastrofike.

“Ekipeve tona në Gazë po u mbarojnë ilaçet, furnizimet dhe karburanti. Gjysmëhëna e Kuqe palestineze drejton dy spitale, një në qytetin e Gazës, një në Khan Yunis; njëra ndodhet në veri dhe tjetra në jug të Rripit të Gazës. Të dyja furnizohen me energji nëpërmjet gjeneratorëve, që do të thotë se pa karburant nuk ka energji. Punonjësit e spitaleve na thanë se ka aq pak karburant, sa nuk mjafton as për një ditë. Aktualisht disa pjesë të spitaleve janë pa energji elektrike sepse po përdorin karburant për njësitë e kujdesit intensiv, për gjeneratorët si dhe inkubatorët për foshnjat”, thotë ai.

Që nga fillimi i konfliktit rreth 1 milionë palestinezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Izraeli ka mbyllur për një kohë të pacaktuar vendkalimin me Rripin e Gazës në Erez. Më 13 tetor, autoritetet izraelite rekomanduan evakuimin e banorëve të Gazës në jug të rripit, duke paralajmëruar bombardime.

“Ka dëshpërim mes njerëzve. Autoriteteve të spitalit që administrohet nga Gjysmëhëna e Kuqe në qytetin e Gazës, iu kërkua tre herë të evakuoheshin dhe ata vendosën të qëndronin. Ata e kanë thënë hapur dhe e kanë shpjeguar se nuk kanë mundësi të evakuojnë pacientët, ata nuk kanë mjete apo logjistikë për ta bërë këtë. Ndaj vendosën të qëndrojnë me pacientët e tyre”, thotë zoti Della Longa.

Mijëra refugjatë kanë mbërritur në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, gjë që ka bërë që Kajro të forcojë masat e sigurisë. Sipas gazetës ‘Jerusalem Post’, deri më tani Egjipti ka refuzuar të hapë vendkalimet për refugjatët që vijnë nga Rripi i Gazës.

“Izraeli, së bashku me Shtetet e Bashkuara, i ka kërkuar Egjiptit, që të lejojë futjen në këtë vend të të gjithë palestinezëve dhe të lejojë largimin e shtetasve të huaj, të shtetasve nga vende të treta. Autoritetet egjiptiane kanë thënë se janë të gatshëm të lejojnë largimin e shtetasve të huaj, për sa kohë që pala izraelite dhe ajo palestineze përpunojnë dokumentet e tyre. Ata thonë se nuk kanë asgjë kundër largimit të shtetasve të huaj, por do ta bëjnë nëse do të lejohet futja e ndihmës humanitare. Egjipti është i shqetësuar se ata që dëbohen nga Rripi i Gazës, nuk do të lejohen kurrë të kthehen mbrapsht”, thotë Mirette Mabrouk, e Institutit për Lindjen e Mesme.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën për Refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt më shumë se një milion banorë të Gazës i janë drejtuar pikës kufitare me Egjiptin.

(Zëri i Amerikës)